Huntelar është lojtar i Milanit
Do jetë Klas-Jan Huntelar, sulmuesi i ri i Milanit. Faktikisht klubi kuqezi, ka gjetur marrëveshjen me Real Madrid, për blerjen e bomberit 25-vjeçar. Holandezi, pritet të zbarkojë gjatë orëve në vazhdim në Milano ku duhet të zhvillojë edhe vizitat mjekësore, e më pas do i bashkëngjitet skuadrës së Leonardos. Kjo marrëveshje ndërmjet Realit dhe Milanit, ka marrë jetë pas atij samiti në "Milanelo" ndërmjet Adriano Galianit dhe Silvio Berluskonit, në përfundim të së cilit klubi kuqezi "ka bërë të ditur" emrin e sulmuesit të ri. Administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani, pasi ka marrë miratimin e presidentit Berluskoni, ka gjetur menjëherë marrëveshjen eko-nomike me Realin e Madridit, mbi bazën e 15 milionë eurove. Kujtojmë që një sezon më parë klubi madrilen e ka blerë Huntelarin nga Ajaksi për 26 milionë euro. Ndërkaq, për sulmuesin, Milani, ka gati një kontratë 4-vjeçare nga e cila Klas-Jan Huntelar do përfitojë 3 milionë euro neto në sezon. Bomberi madrilen pritet të mbërrijë në Milano ditën e enjte ose të premte e pas vizitave mjekësore do prezantohet zyrtarisht përballë mediave dhe tifozëve kuqezinj. Holandezi me fanellën e kombëtares "tulipane" ka shënuar 13 gola në 21 ndeshje, ndërsa me Realin gjatë gjashtë muajve në Madrid numëron 19 ndeshje dhe 8 gola të shënuar. Por akoma më fantastike janë statistikat e Huntelarit me Ajaksin: në 92 ndeshje, 76 gola. Ndërkaq sipas të përditshmes 'Marca', sulmuesi ka refuzuar gjermanët e Shtutgartit, të cilët ofronin më shumë euro, vetëm e vetëm për të shkuar tek Milani. Tashmë tifozët kuqezi mund të shpresojnë se kuqezinjtë kanë gjetur trashëgimtarin e Marko Van Bastenit.
Klas-Jan Huntelar
Datëlindja: 12 gusht 1983
Vendlindja: Holandë
Gjatësia: 186
Pesha: 80 kg
Roli: Sulmues
Karriera në klube
2002-2003 PSV
2003 De Grafshap
2003-2004 AGOVV
2004-2006 Herenven
2006-2009 Ajaks
2009 Real Madrid
Kombëtarja
Holanda U-21
Holanda
Berluskoni hap thesin,konfirmon Pirlon
"Andrea Pirlo do qëndroj tek Milani". Padroni i klubit kuqezi Silvio Berluskoni në përfundim të samitit në 'Milanelo' me Adriano Galianin dhe trajnerit Leonardo e ka shprehur dëshirën e tij për të mbajtur tek Milani përjetësisht mesfushorin Andrea Pirlo. Ka qenë takimi kokë më kokë me mesfushorin e Milanit dhe Kombëtares italiane, i cili ia ka mbushur mendjen presidentit Silvio Berluskoni. "Mesfushorit tonë Andrea Pirlo, do i hiqet emri nga listat e merkatos, ai do qëndroj tek ne e do ta mbyll karrierën e tij këtu. E dini mirë - ka shtuar Berluskoni duke iu drejtuar gazetarëve - që për Pirlon, klubi anglez i Çelsit na ka bërë një ofertë të mirë. Ne folëm me futbollistin dhe vendosëm të pranonim kërkesën e Leonardos për ta mbajtur në skuadër. Si rrjedhojë Pirlo është dhe do mbetet një futbollist i Milanit, deri në përfundim të karrierës së tij".
Ronaldinjo, natë e bardhë në diskotekë
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, e ka detyruar Ronaldinjon të betohej përpara shokëve të tij se do sillej si një profesionist i vërtetë, por sipas të përditshmes spanjolle 'Sport', braziliani është shumë i dhënë pas jetës së natës për t'i qëndruar besnik betimit të dhënë. Ka qenë po kjo e përditshme spanjolle e cila ka bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme Ronaldinjo e ka kaluar të gjithë natën nëpër diskotekat e Spanjës, nën shoqërinë e një grupi miqsh, që të gjithë nga Brazili. Sulmuesi brazilian i Milanit mësohet të jetë larguar nga diskoteka gjatë orëve të para të mëngjesit nën shoqërinë e disa femrave. Me sa duket, Ronaldinjo ato dy ditë të dhëna pushim nga Leonardo ka preferuar ti kaloj mes miqsh dhe femrash duke u zbavitur nëpër klubet e natës. Tani pritet se cili do jetë reagimi i Leonardos, nëse kjo histori do rezultojë e vërtetë.