E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti denoncon për dhunë policinë

 

SARANDE – Një 34-vjeçar denoncon për dhunë uniformat blu të Sarandës. Arjan Musta, banor i Delvinës, dhe prej shumë vitesh emigrant në shtetin grek, u shoqërua dje në urgjencën e spitalit të Sarandës për të marrë mjekime dhe duke denoncuar, sipas tij, dhunën e ushtruar nga policia. Ai është shfaqur me shenja gjaku në fytyrë dhe në syrin e majtë kishte një hematomë. Burime policore thanë se, 34-vjeçari është shoqëruar nga policia në gjendje të dehur për sqarim në mjediset e Komisariatit, pasi ka kundërshtuar me dhunë policët e grupit të gatshëm. Sipas tyre, Musta nuk është keqtrajtuar, por se ai është rrëzuar përtokë duke qenë në gjendje të dehur. Ndërsa familjarët e emigrantit akuzojnë forcat e rendit për dhunën e ushtruar. Daja i Mustës, Hasan Haxhiu, tregon se e ka parë nipin e tij në gjendje të rëndë dhe nuk ka dyshim se është keqtrajtuar, pavarësisht deklarimeve të policisë. Sipas mjekes së urgjencës, Enkeleda Manaj, nga vizita e kryer rezulton se Musta kishte hematoma në anën e majtë të fytyrës, gërvishtje në sup si dhe shenja goditjeje në trup. Familjarët kërkuan nga SHKB-ja ndjekjen e këtij rasti, ndërsa mësohet se dhe prokuroria ka nisur hetimin për të verifikuar denoncimin e qytetarit.                              sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›