Një muaj pushime për Kinema "Millennium"
Pas gati nëntë vitesh aktivitet të pandërprerë, pak pushim edhe për Kinema "Millennium" në Tiranë. Për një muaj, publiku nuk do të mund të ndjekë filmat në ekranin e madh të kinemasë në qendër të kryeqytetit. Zyra e shtypit, pranë kinemasë njofton publikun se që nga data 3 gusht ka filluar rikonstruksionin e ambienteve të saj të brendshme. "Për pasojë kinemaja ka ndërprerë projeksionet dhe do të qëndrojë e mbyllur për gati një muaj. "Millennium" do të hapë sërish dyert për spektatorët në muajin shtator kur do të startojë një sezon plot surpriza me filmat më të rinj të Hollivudit, por edhe ambiente më bashkëkohore për publikun", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit. Kjo do të thotë se në këtë verë të thatë në aktivitete kulturore, do të ketë një argëtim më pak. Por ndërkohë, ndër të paktat mundësi janë dy kinematë "Imperial" dhe "Kristal", të cilat vijojnë aktivitetin e tyre me shfaqjen e filmave më të fundit të Hollivudit.