Lezhë, atentat me pistoletë kryekomunarit, një i dyshuar
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Atentat kryekomunarit të Blinishtit në Lezhë. Një 22-vjeçar dyshohet të jetë autori, por ndonëse është shoqëruar ende nuk është prerë fleta e arrestit për të. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm, ku mbeti i plagosur në këmbë 48-vjeçari, Jak Zhuba. Mësohet se i riu, me pistoletë në dorë, i ka zënë pritë kryekomunarit. Ndërsa Zhuba po afrohej me makinën e tij fouristradë, me targa të huaja, në afërsi të qendrës së fshatit, atentatori e ka qëlluar disa herë. Plumbat për fat e kanë prekur Zhubën vetëm në pjesën e poshtme të trupit, duke e shpëtuar nga vdekja e sigurt. Burime zyrtare të informacionit shprehen se kryetari i komunës në momentin që është qëlluar me armë zjarri, po dilte nga qendra e fshatit Blinisht për të shkuar në qytetin e Lezhës. Policia e Lezhës ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke hetuar mbi atë që kishte ndodhur. Nga verifikimet e kryera dyshohet se autori është një 22-vjeçar, banor i Blinishtit. Nisur nga precedentët me kryetarin e komunës, ai është shoqëruar në komisariatin e policisë, deri në përcaktimin me prova mbi autorësinë. Sipas të dhënave nga ky fshat, mësohet se i riu ishte zënë pak ditë më parë me një moshatarin e tij. Për të shuar grindjen kishte ndërhyrë kryetari i komunës, por në vend që të qetësohej, i riu, i kthyer pak kohë më parë nga emigracioni, ishte përplasur me fjalë dhe me Zhubën. Po ashtu, mësohet se familja e tij është në konflikt me komunën, pasi ndërtesa e këtij institucioni është ndërtuar mbi tokën ku pretendohet pronësia. Këto episode kanë shtyrë grupin hetimor të dyshojë se autor është 22-vjeçari, ndërsa po vazhdon punën për të mbledhur dëshmi dhe prova. Aktualisht, Jak Zhuba është dërguar në spitalin e Lezhës dhe po mbahet nën përkujdesin e mjekëve të këtij spitali, të cilët shprehen se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pritet që dhe dëshmia e tij të hedhë dritë mbi këtë ngjarje që desh i mori jetën.