E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huqi del me shpirtin



Edvin Kulluri

Në një trajnim të Institutit për Studime Bashkëkohore të zhvilluar rreth dy muaj më parë, disa ekspertë dhe sidomos dy profesorë të shkencave politike, të ardhur nga SHBA dhe Britania e Madhe, u munduan të merrnin në analizë rëndësinë e sondazheve dhe argumentet pro dhe kundër tyre. Pse duhen dhe nga çfarë ato duhen ruajtur që të jenë të frytshme dhe jo të keqpërdorshme për të nxjerrë të dhëna të gabuara? Kuptohet, që ato që i quajmë rëndom “exit polls”, ose sondazhet zgjedhore të cilat synojnë matjen e opinionin e votuesve gjatë fushatave elektorale, janë vetëm një nga llojet e sondazheve që shkenca e sociologjisë apo shkencat politike përdorin për matjen e opinionit publik. Pasi sondazhe dhe anketime mund të përdoren pambarimisht për të lejuar studiuesit e shoqërisë për gjithfarë arsyesh në funksion të studimeve të fenomeneve, paradigmave e premisave në varësi të qëllimit që kjo metodë mundohet të njohë apo të konfirmojë. Duke qenë se këto metoda janë një ndërthurje e shkencave shoqërore dhe atyre ekzakte, për nga natyra janë të prirura të mbartin problematikë dhe tension. Të matësh në mënyrë cilësore apo sasiore sjelljen njerëzore është një mision tejet i vështirë. Për këtë arsye faktorët “metodë” dhe “precedent”, të cilët i mvishen subjektit që merret me anketa dhe sondazhe, marrin një rëndësi të madhe lidhur me besueshmërinë e rezultateve që prodhon. Dhe jo më kot pas disa prezantimeve që u mbajtën në trajnimin e cituar në fillim të shkrimit, folësit iu përmbajtën përgjithësisht idesë, se aq më shumë në një vend si Shqipëria që ka njohur disa eksperienca jo të mira me etikën dhe seriozitetin e metodologjisë së sondazheve, duhet pasur shumë kujdes në përgatitjen dhe besueshmërinë e tyre. E thënë më qartë, vendi ynë është një “tokë e minuar” sondazhesh. Duhet shumë kujdes për të “vënë këmbën” mbi një terren të tillë, pasi historia e viteve të fundit ka treguar se “exit poll” të zhvilluara kanë qenë të ndarë në të besueshëm dhe ndonjëherë fare qesharakë. Diku në një libër themelor të filozofisë thuhet se “ndërgjegjja njerëzore nuk është pjellë e ideve të vetë njeriut, por e historisë së tij”.

Atëherë shtrohet natyrshëm pyetja, cila është historia afatshkurtër e sondazheve të bëra në Shqipëri? Dhe më konkretisht lidhur me dy sondazhet e fundit të “Gani Bobit” dhe “Zogbit”, çfarë përfaqësojnë me historinë e tyre dhe metodën që kanë përdorur këto dy subjekte apo ndonjë porositës i tyre? Së pari, duhet thënë se “Gani Bobi”, prej disa vitesh ka zhvilluar dhe dy sondazhe të tjera në Shqipëri. Dhe në këto sondazhe të vitit 2005 dhe 2007, ky institut ka goditur në shenjë. Në të dyja herët rezultatet e sondazheve kanë qenë të përputhura me rezultatet e zgjedhjeve. Pra parashikimi dhe rezultati kanë qenë të njëjta dhe ç’ka është më e rëndësishme, jo vetëm që kanë reflektuar tendencat e shijeve të votuesve, por edhe shifrat e publikuara kanë qenë brenda gabimit të lejueshëm metodologjik. Po të shtosh këtu edhe reputacionin e vet qendrës për studime humaniste “Gani Bobi” dhe drejtuesit të tij, Shkëlzen Maliqi, afërmendsh besueshmëria rritet. Të vetmit që nuk e njohin zotin Maliqi dhe reputacionin e tij të nderuar në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e më gjerë, janë disa analistë që janë urdhëruar që mos ta njohin atë si të tillë. Në krahun tjetër kompania “Zogby”, përveç sondazheve të sakta ka dhe një reputacion të njëkohshëm edhe si një kompani që ka dështuar në më shumë se një herë jo vetëm në SHBA (rasti Bush-Carry etj.), por edhe në Brazil e vende të tjera. Po të shtojmë dhe faktin se ata që kanë punuar si nënkontraktorë për rastin në fjalë, atëherë pikëpyetjet kthehen në bindje. Pra në njërin krah kemi një institut që nuk ka dhënë asnjë provë dështimi me sondazhet, dhe në anën tjetër një kompani që për herë të parë mat opinionin Shqipëri, por që ka gabuar aty ku ka punuar më parë. Atëherë kë të besojmë? Të parët apo të dytët? Sigurisht të parët, për sa kohë historia tregon se kjo është e vërteta që vjen prej traditës së dy subjekteve.

Por ka edhe argument edhe dyshime të tjera të forta në favor të besueshmërisë së madhe të “Gani Bobit” dhe dyshimeve mbi kompaninë e servirur nga PS-ja. Lidhur me metodën, nënkontraktorët e “Zogby” ka shumë gjasa që në sondazhin e së martës të kenë bërë pyetje ndaj të anketuarve të tipit: “Meqë Edi Rama është shpresa e vetme e shqiptarëve, ju do të votonit për të”? Është pra lehtësisht e kuptueshme se këto lloj pyetjesh nuk synojnë marrjen e opinionit nga kampioni, por detyrimin e kampionit për t’iu përgjigjur pyetjes sipas dëshirës së sonduesit. Ku qëndron besueshmëria këtu? Askund. Por dyshimi shtohet edhe më shumë po të marrim parasysh historinë e sondazhe që mbartin lëvizjet politike apo civile pranë Partisë Socialiste të cilat janë të njëjtat si me këtë sondazh. Jo më larg se tre vite më parë, pati një polemikë të madhe rreth një sondazhi të “Mjaft”-it me siglën e “Gallop International”. Një sondazh aq i besueshëm, saqë porositësit dhe të porositurit u endën gjykatave për të vërtetuar “post mortum” vërtetësinë e sondazhit. Edhe në atë rast si në sondazhin e “Zogby”, kishte një tendencë të qartë të shfryrjes së shifrave të Partisë Demokratike, e cila bezdiste ambiciet e Ramës për t’i shërbyer Nanos me devocion. Atëherë që PD “u shfry” me sondazh, ndërsa në rastin e pardjeshëm “shfryrja” qe akoma më drastike, pasi devocioni këtë herë nuk i kushtohet Nanos, por vetë Ramës.

Ndërsa dyshimi i tretë që ushqen kritikën e fortë rreth sondazhit të “Zogby”, ka të bëjë me sjelljen e mediave pranë grupimit politik që e ka porositur. Ndërsa sondazhi i “Gani Bobit” u zhduk si me magji nga faqet e gazetave dhe kronikat e lajmeve të televizioneve të afërta me Ramën, ai i “Zogby”-t jo vetëm që përbënte lajmin e parë dhe “të vërtetën e fundme të kësaj bote”, por edhe u quajt apriori i besueshëm. Përse-të nuk na janë bërë me dije ende. Përveç faktit që meqë PD është kundërshtari i Partisë Socialiste, ajo nuk meriton më shumë se 30%. Për të gjitha arsyet e mësipërme, opinioni mund të kuptojë dhe njëkohësisht është i lirë të besojë se cili nga sondazhet ia vlen të merret seriozisht. Ai i “Gani Bobit” apo i dyti i “Zogby”, pasi në rastin e zgjedhjeve të vitit 2005 apo 2007, qendra për studime humaniste e drejtuar nga Shkëlzen Maliqi pati të drejtë jo prej vetes, por prej rezultateve që u shpallën më pas. Ajo që është shqetësuese është fakti se t’i mbushësh mendjen publikut dhe vetes se çfarë mendon vetë publiku, në latinisht mund të thuhej sipas një miku që nuk jeton më, “masturbate erectum est”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›