E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi; Atentati ndaj gjyqtarit Nuni, jo për motive personale



Atentati ndaj gjyqtarit Ardian Nuni nuk ka ndodhur për motive personale, siç është deklaruar gjatë këtyre ditëve pas ngjarjes. Madje, anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, nuk i ka mohuar në asnjë moment bashkëpunimin policisë apo organit të akuzës. Një pohim i tillë vjen nga burime të afërta pranë gjyqtarit Nuni, të cilat bëjnë të ditur për gazetën se i dëmtuari është habitur kur ka dëgjuar përmes mediave të ndryshme se nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë apo prokurorët për zbardhjen e atentatit të disa ditëve më parë kundër tij. Madje, ai rrëzon edhe deklarimet se ka përjashtuar si pistë plagosjen për shkak të detyrës, duke u shprehur, por sipas të njëjtave burime, se “bashkëpunimi me policinë dhe akuzën ka ndodhur që në momentet e para pas ngjarjes. Prokurorit të çështjes i është rrëfyer me detaje si ka ndodhur ngjarja, ndonëse kontakti i parë ka qenë menjëherë pas atentatit në ambientet e spitalit”. Po sipas burimeve të afërta pranë gjyqtarit Nuni, asnjëherë gjatë kontakteve me grupin hetimor, i dëmtuari nuk ka përjashtuar apo hedhur pista për të nxjerrë autorin. “Nuk mund të deklarohet se gjyqtari Nuni është plagosur për çështje personale, ndërkohë që çështja është nën hetim dhe nuk ka një pistë konkrete ku po hetohet nga organi i akuzës. Sipas të dhënave që kemi, po hetohet në të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, - përfunduan po të njëjtat burime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›