E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sloganet e dështuara

Nga Xheladin ÇELMETA
Kakofonia parazgjedhore që sapo ka filluar, ende nuk ka kristalizuar qartë sloganet e reja me të cilat forcat politike të spektrit elektoral do të hyjnë zyrtarisht në fushatën për votimet e vitit 2009. Ndoshta ngushtimi gjithnjë e më tepër i dallimeve në programe, ndoshta fakti që tashmë shqiptarët po e kuptojnë përherë e më qartë falsitetin që fshihet pas frazave propagandistike të politikanëve, kanë bërë që vetë krerët e partive, stafet, këshilltarët apo moderatorët e tyre, të maten mirë për të lëshuar në eter të pathënën e re, të padëgjuarën  në gjithë këto vite demokracie. Qytetarët e këtij vendi pas afro njëzet javësh do të vendosin për forcën politike që do ti drejtojë, dhe për rrjedhojë, edhe për të zgjedhurit e rinj, për më të mençurit, të cilët do të marrin poste shtetërore në katër vitet e ardhshme. Që në fillim më duhet ta shpreh se qytetarët e këtij vendi, do të gjenden  para kutive të votimit, si para një ekuacioni të vështirë. Në kaq herë zgjedhje të lira në Shqipëri, veç kontestimeve, zhurmnajave pafund, sherreve; kemi parë jo rrallë herë slogane të dështuara. Të dështuara totalisht. Skema e kafshatës, me të cilën nisi fushatën Kryeministri Berisha katër vjet më parë, është ripërsëritur këto ditë prapë po nga ai vetë. Kjo ka ndodhur, kinse një javë më parë në një mbledhje qeveritare rutinë. Legalizim, pastaj urbanizim, ishte slogani me të cilin Meta nga ana e tij gjithashtu nisi fushatën e zgjedhjeve të kaluara, por që nuk pati fatin të provohej për shkaqet që dihen, pasi  mori aq vota saç është thënë. Urbanizim, pastaj legalizim, vijoi si kundërthënie slogani tjetër i Ramës në atë kohë...  Qytetarët tanë tani ndjehen vërtetë keq, teksa konstatojnë se asnjë nga këto slogane nuk u kthye dot në një fuqi reale shndërruese e transformuese. Kjo Shqipëri me kaq halle e probleme, duket se spaska shansin të shohë dot politikanë të tillë që të shohin larg perspektivën, që të inkurajojnë njerëzit, që të zgjojnë guximin për të shpresuar(!). Ashtu, si Obama i përtej oqeanit... Tani në Shqipëri logjikisht kemi shumë më pak militantë të verbër partish, dhe më shumë qytetarë dinjitozë. Le të fitojë kush ta meritojë, gjykojnë ata, për ne boll që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, boll që ata që zgjidhen të na garantojnë një shtet serioz, i cili, për vetë gjendjen në të cilin ndodhemi, të jetë paksa edhe social, por edhe me ligje të arsyeshme në shërbim të shtetasve të vet, edhe i rreptë ndaj  korrupsionit, ryshfetit, etj, etj.  Realisht, pra, kjo është fraza më e kudogjendur sot. Mund të dëgjosh atë në rrugë, në një kafene në Tiranë, Durrës, Vlorë, a Shkodër, apo edhe në një pleqërim rastësor njerëzish nëpër zona të largëta e shumë të largëta rurale. Për të qenë i sinqertë me vetveten, për sa po shprehemi, gjithashtu më duhet të them se kjo Qeveri, nuk është se nuk ka bërë punë, se ka qenë e dembelosur, etj. etj. Nuk është se ska rritur rrogat apo pensionet. Puna është se këto rroga, e sidomos pensionet, nuk të shtyjnë dot të shkosh në treg për shportën e përditshëm ushqimore. Jo atë me lloj-lloj artikujsh, por atë modesten me 2-3 gjëra të domosdoshme. Troç, kuleta jonë ska aq qindarka sa të jetë e mjaftueshme për të jetuar. E sidomos këtu në metropol.  Kjo nuk është shaka, as lojë fjalësh, as se duhet shkruar keq, kundër të djathtës, apo kundër të majtës. Edhe shembulli më banal e përligj këtë që po them. Më thoni, çtë bëjë një familje, ta zëmë; prej katër vetësh në Tiranë, që ka: Kryefamiljarin pensionist me 180 mijë lekë të vjetra në muaj. Bashkëshorten, me 270 mijë lekë të vjetra në muaj. Ka dy fëmijë ende në shkollë. Në një ditë fatale të muajit a vitit, atij i duhet  të paguajë: taksën vjetore prej 110 mijë lekësh të vjetra, faturën e dritave dhe ujit prej 20 mijë lekësh të vjetra, taksën e regjistrimit të fëmijëve për semestrin e ri, 2x150 mijë lekë të vjetra. Më thoni, sa lekë mbeten për tu ushqyer në muaj?. Jam krejtësisht i bindur, se nuk është dhe aq dinjitoze që një qytetar i kësaj bote që jeton në vitin 2009, të bëjë llogari të tilla në një artikull gazete, por ja që kjo është e vërteta, e cila nuk do koment, e cila nuk mund të fshihet. Morëm kështu si shembull një familje që sot rëndom quhet e mesme, pa për ato të varfra, në fakt ska formulë që ta zgjidhë këtë ekuacion të llahtarshëm mbijetese... Shqiptarët kanë ende pak kohë për tu menduar dhe për të vendosur se cilët njerëz do të zgjedhin për ti qeverisur e drejtuar. Nisur nga ky kontekst, ata nuk kanë përse ti besojnë dhe aq sloganeve partiake, se sa vetë mençurisë së tyre: Zgjidh më të ndershmin, zgjidh vizionarin, zgjidh njeriun që beson se jeton vërtetë me hallet e tua, me telashet e jetës tënde të përditshme.             

Last Updated on Friday, 13 February 2009 11:39

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›