E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga greva e urisë te tryeza e negociatave

Eduard Shalsi

Duke mos dashur të merrem me gjithçka është thënë e shkruar kundër grevës së urisë dhe ku për fat të keq, një pjesë e mirë e opinioneve të shprehura kanë qenë të nxitura nga interesa të lidhura me pushtetin, për servilizëm apo konformizëm qeveritar, e shoh të udhës të veçoj shkrimin me titull, “ Nga greva e urisë në restorant” të Artan Fugës.
Shkrimi më kujtoi bisedat e gjata telefonike në orët e vona të mbrëmjes me një mikun tim të huaj, jo pa përvojë në çështjet politike, pak ditë pasi kishte filluar greva. Gjatë gjithë atyre ditëve, mu desh t’i shpjegoja hollësisht mikut tim të shqetësuar, se pse arritëm deri në këtë pikë, duke i folur jo vetëm për transparencën zgjedhore, por për të gjithë sjelljen e maxhorancës gjatë gjithë kësaj kohe. I fola me detaje edhe për 20 e kusur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave në disfavor të Qeverisë dhe për shumë gjëra të tjera...
E solla këtë histori për të treguar analogjinë që lindi në mendjen time, midis shkrimit të z.Fuga dhe mentalitetit të mikut tim anglez, i cili tashme e ka kuptuar se gjërat shkojnë aq mbrapsht në këtë Shqipërinë tonë, saqë vetëm prania e një arbitri të drejtë dhe të paanshëm përbën garanci për përmirësimin e sistemit të ashtuquajtur demokratik. Dhe sikur z. Fuga, integritetin e të cilit nuk e vë aspak në dyshim, të jetonte jashtë Shqipërisë, do ta kuptoja dhe madje do ta mirëkuptoja plotësisht. Më vijnë ndërmend shumë beteja politike primitive dhe anakronike që, ndërsa vazhdojnë të zhvillohen në Shqipëri, nga skenat politike evropiane janë zhdukur qysh prej kur nuk mbahen mend.
Prej muajsh jam larguar nga Bashkia e Tiranës dhe, megjithë intensitetin e angazhimit tim politik, kam pasur mundësinë të reflektoj më me qetësi mbi ecurinë e punëve në qytetin e Tiranës. Kam përforcuar shumë konkluzione, mbi të cilat do të gjej raste të tjera të shprehem dhe më me detaje. Por një gjë më duhet të pohoj me plot bindje dhe për të cilën sfidoj cilindo që do të tentojë të provojë të kundërtën: se do të kishim një Tiranë shumë më ndryshe dhe më të mirë, sikur të mos kishin një Qeveri pa vizion dhe me sjellje primitive, që betejën me kundërshtarët politikë e ka parë siç shikonte Partia e Punës luftën e klasave. Më ka bërë përshtypje vazhdimisht, se përgjatë konflikteve të shumta dhe intensive, midis Qeverisë qendrore dhe Bashkisë së Tiranës, mungonin shpesh herë analistët dhe investiguesit të cilët, në bazë të verifikimit të argumenteve të palëve, të mbanin një pozicion të qartë. E kemi ndjerë shumë një mangësi të tillë, që i ka dhënë një pjese të politikës mundësinë të thotë e të bëjë çdo gjë që i lind në kokë, pa u kujdesur aspak për stigmatizimin dhe dënimin që një shoqëri e shëndoshë do të duhet t’i bënte një ditë. Jo gjithmonë është dashur shumë mund dhe logjikë të kuptohet se mbi cilën anë qëndron e vërteta, ndërkohë që dihen tashmë qëndrimet e “arbitrit” – gjykatë, që ka zbythur Qeverinë qëndrore në një mori rastesh, që fillojnë nga konflikti i Zogut të Zi e deri te ndërhyrja absurde e Prefektit, në lidhje me një emërim të bërë nga Edi Rama. Ndërkohë tashmë ka një tjetër “arbitër” ndërkombëtar (jo ai i përfshirë në zgjidhjen tashmë të konfliktit PS-PD, në lidhje me transparencën zgjedhore) që po analizon hapat mbrapa të demokracisë vendore në Shqipëri dhe që nuk është çudi të sugjerojë ndonjë masë që do të na tregojë edhe një herë se sjellja qeveritare e ka larguar dhe jo afruar Shqipërinë me Evropën. Dhe mund të konfirmoj se Bashkia e Tiranës i ka fituar betejat me gjykatat, megjithëse Qeveria qendrore nuk do t’ia dijë për të reflektuar mbi vendimet e tyre. Bashkia Tiranës ka provuar dhunimin flagrant të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, të firmosur që në ’99 dhe që përbën detyrim për t’u ndjekur dhe zbatuar, e megjithatë Qeveria qendrore as që ka ndërmend të ndryshojë sjelljen arrogante.
E solla rastin e Bashkisë së Tiranës, për të sjellë në vëmendjen e z.Fuga një betejë të paprinciptë politike, që Sali Berisha prej 5 vjetësh ka ndërrmarrë kundër Bashkisë së Tiranës për të kryqëzuar Edi Ramën, dhe që, përveçse ka pasur dhe ka një kosto të jashtëzakonshme për qytetarët, është e paprecedentë dhe shumë e rrezikshme për nga mjetet e përdorura dhe të provuara tashmë si antiligjore dhe antikushtetuese.
Dhe në një demokraci mund të ndodhin dhunime sporadike të parimeve mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë pushtetet, por një vend demokratik nuk mund të lejojë që këto dhunime të bëhen sistematike, sepse nëse bëhen të tilla, atëherë termi demokraci nuk qëndron më dhe, të tjera norma dhe mjete hyjnë në fuqi.
Z.Fuga merret shumë gjatë me mjetet dhe aspak me shkakun se pse kemi zgjedhur këto forma rezistence dhe kjo vjen ngaqë ai e konsideron të gjithë aksionin tonë thjesht si një luftë politike, pa bërë dallimin midis luftërave parimore dhe luftërave të paprinciptave politike. Nuk e prisja që ai të kalonte aq përciptazi arsyen madhore të grevës, heroizmin e plagët e grevistëve, qindramijëra protestuesit dhe, për çudinë time të madhe, impaktin e rezultatin e saj konkret. Flet për restorant, ndërkohë që fjala është për një tryezë që është hapur me një darkë pune dhe që nuk është mbyllur me ëmbëlsirën e restorant “Krokodil”-it, po me ultimatumin e hidhur dyjavor për klasën politike shqiptare, e cila vazhdon të jetë e ulur në atë tryezë për të negociuar me praninë ndërkombëtare një marrëveshje që ne e kërkojmë prej 9 muajsh. Ende pa u mbyllur procesi zgjedhor, ne kërkuam, duke u mbështetur në Kodin Elektoral, rinumërim të kutive në disa zona. Jo vetëm që kërkesa jonë u refuzua vazhdimisht, por dhe sjellja dhe gjuha e Kryeministrit erdhi duke u degraduar, derisa arriti kulmin në fund të nëntorit, me kërcënimet dhe fyerjet pikërisht nga foltorja e Parlamentit. Shumë deputetë të parlamenteve evropiane e kanë parë të përkthyer me titra atë fjalim banal të Kryeministrit dhe gjithkush ka ngelur i shokuar. Më vjen turp dhe sinqerisht nuk do doja të isha pjesë e një Parlamenti, ku Kryeministri të fliste si në një mejhane të rëndomtë. Kjo duhet të përbënte një preokupim të madh për z. Fuga. Mirë bën kur shqetësohet sepse qeshin nën zë deputetë evropiane kur shohin grevën e urisë, por ja vlen të alarmohemi se si edhe pas 13 vjetëve, ne kemi nevojë për ta, për të negociuar me njëri-tjetrin ndërkohë që protagonisti mbetet i njëjti. Unë i përkas një kategorie parlamentarësh me një eksperiencë modeste politike dhe pranoj kufizimet e mia, por nëse përvoja politike, mungesën e së cilës z. Fuga e citon si shkak të veprimeve tona, i referohet historisë politike të këtyre 20 viteve në Shqipëri, unë e konsideroj si përparësi faktin që nuk e kam.
Shikoni se sa kontradiktore janë bërë qëndrimet e Kryeministrit në lidhje me kërkesën tonë për hapjen e kutive të votimit. Kurrë nuk provoi se pse nuk duhet të hapen kutitë. Dhe kurrë nuk do të provojë sepse nuk ka bazë ligjore se ku të mbështetet. Njëherë thoshte se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejon hapjen e kutive e herën tjetër, si pa të keq, na akuzonte se pse nuk e çojmë çështjen për shqyrtim në të, ndërkohë që është ai që duhet të provojë antikushtetueshmërinë e kërkesës tonë. E njëjta gjë për komisionin e Venecias. Njëherë e sugjeron që ti drejtohemi për interpretim, ndërsa tani krejt befas del me teorinë e djegies së kutive të fletëve të votimit.
E kemi thënë dhe stërthënë se synojmë të bëjmë transparencën e zgjedhjeve për të mësuar me detaje të vërtetën, të vërtetën dhe vetëm të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke besuar se vetëm në këtë mënyrë mund të përgatisim zgjedhje të ardhshme dinjitoze, sipas standardeve evropiane. Demokracia në vetvete nuk është një sistem perfekt dhe sigurisht që kjo e jona ka shumë më tepër punë për t’u zhvilluar e përmirësuar. Por nëse ne do të lejonim që zgjedhjet të mos hetoheshin, askush nuk mund ta ndalte më këtë Qeveri revanshiste që ka deformuar raportet midis pushteteve, duke vënë seriozisht në pikëpyetje sistemin. Dhe janë të shumtë shembujt e sjelljes arrogante të Kryeministrit, jo vetëm me pushtetin vendor por edhe me atë gjyqësor, ku në jo pak raste e kemi parë të kërcënojë duke bërë edhe gjyqtarin edhe prokurorin, për qëllimet e tij të mbrapshta politike. U deshën muaj të tërë lufte politike, për t’i shkulur nga mendja uzurpimin e një tjetër institucioni të rëndësishëm, si SHISH-it, që ai kishte provuar se si e kishte keqpërdorur një herë. Dhe besoj se do t’i kujtohet z. Fuga se kush e zmbrapsi Kryeministrin nga ajo ide diabolike.
Ne e kemi pësuar një herë në vitin famëkeq ’97 dhe jemi djegur asokohe nga prishja e ekuilibrave, që vlen të thuhet se nuk ishte vetëm financiare por mbi të gjitha politike dhe institucionale. Askush nuk mund të llogarisë se çfarë mund të ndodhë nëse ekuilibrat prishen përsëri. Dhe zgjedhjet e deformuara nuk mund të prodhojnë, përveçse institucione të deformuara me veprimtari që do të sjellë pasoja të rrezikshme. Kjo është arsyeja se pse i biem këmbanave të alarmit. Më vjen keq që z. Fuga nuk e ka kuptuar se ne nuk po kërkojmë të imponojmë të drejtën tonë në mënyrë të njëanshme, apriori. Ne po kërkojmë të instalojmë në Shqipëri rregulla dhe parime të funksionimit të një shteti demokratik, që nisin nga zgjedhjet dhe kjo nuk është çështje preferencash politike partiake, porse konfirmim i të vërtetave të pakontestueshme e të pranuara në teoritë dhe praktikat moderne evropiane.
Demokratike janë të gjitha mjetet e rezistencës jo të dhunshme që nisën nga shkaqe madhore të interesit publik, dhe që shërbejnë për ta bërë më të mirë shoqërinë, duke sjellë ndryshime politike me kah pozitiv. Natyrisht që rrjedha e ngjarjeve do të provojë se sa të drejta kanë qenë qëndrimet tona, por unë jam i bindur që pas kësaj greve gjërat nuk do të jenë njëlloj në Shqipëri. Ajo e kurorëzoi përpjekjen tonë për të sjellë transparencë në zgjedhjet e 28 qershorit dhe tashmë hapja e një palë kutive nuk është më një ëndërr e parealizueshme. Duke qenë se rezultatet e grevës kanë të bëjnë edhe me të ardhmen, do t’i lutesha z. Fuga të priste me durim frytet e saj se vetëm ashtu do të kuptonte se si nga greva nuk u shkua në restorant, por në tryezën e negociatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›