E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyjnë në fuqi pagat e reja për ambasadorët dhe punonjësit e ambasadave



Janë botuar në Fletoren Zyrtare pagat e reja për ambasadorët dhe punonjësit e ambasadave. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, paga mujore e personelit diplomatik të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja do të jetë për pozicionin e ambasadorit 1250 euro, ose 1520 dollarë amerikanë. Për këtë kategori shtesa për përfaqësim të Shqipërisë do të jetë 75% mbi pagë. Ndërsa paga e personave që mbajnë postin konsullit të Përgjithshëm, ministër fuqiplotë dhe ministër Këshilltar, do të jetë 940 euro, ose 1140 dollarë. Për këtë kategori shtesa mbi pagë për përfaqësim do të jetë 75-40%. Personat që mbajnë postin e këshilltarëve në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit do të kenë një pagë mujore prej 780 eurosh, ose 990 dollarë, me një shtesë mbi pagë për përfaqësim 40%. Sekretarët e parë do të marrin një pagë prej 630 eurosh ose 780 dollarë, me një shtesë mbi pagë për përfaqësim 40%. Sekretarët e dytë dhe zëvendëskonsujt do të marrin një pagë mujore prej 480 eurosh, ose 620 dollarë, me një shtesë 40%. Sekretarët e tretë dhe konsujt agjentë do të marrin një pagë prej 430 eurosh, ose 530 dollarë, me një shtesë 40%. Këshilli i Ministrave ka parashikuar një pagë prej 380 eurosh, ose 480 dollarë për individët që mbajnë postin e atasheut në përfaqësitë diplomatikë të Shqipërisë në vendet e huaja. Po kështu, në vendimin e qeverisë janë parashikuar dhe pagat për personelin administrativo-teknik të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit. Kështu, personat që mbajnë postin e sekretarit teknik, financierit apo specialistit do të marrin një pagë që varion nga 790 euro deri në 640 euro, varet nga grupi i vendeve ku punon. Personat që punojnë në pozicionin shofer do të kenë një pagë mujore nga 750 euro deri në 600 euro. Këto paga janë për personat me kohë të plotë në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë. Ndërsa personat me kohë të pjesshme do të kenë pagë tjetër. Kështu, në vendimin e qeverisë është parashikuar që individët që mbajnë postin e sekretarit teknik, financier dhe specialist dhe që punojnë me kohë të pjesshme në përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë vendit do të kenë një pagë minimumi 280 euro dhe maksimumi 420 euro. Ndërsa punonjësit e shërbimit sanitar në këto diplomaci do të kenë një pagë minimumi 210 euro dhe maksimumi 280 euro. Ky vendim ka hyrë tashmë në fuqi.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›