“Pastërtia e figurës” tenton të godasë prokurorët e “Gërdecit”
Habjon Hasani
Tiranë - Drafti “Për pastërtinë e figurës”, i propozuar nga Partia Demokratike, sjell një “goditje” të drejtpërdrejtë në ekipin e hetuesve të dosjes “Gërdeci”. Ky draft, i cili aktualisht po diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, eliminon në mënyrë radikale aktivitetin e cilitdo prokurori apo gjykatësi që ka punuar si hetues apo gjyqtar përpara viteve ‘90. Vetëm në rastin e dosjes “Gërdeci” evidentohen lehtësisht të paktën dy prokurorë që kanë hetuar dhe para viteve ‘90. E, ç’është më e rëndësishmja, bëhet fjalë pikërisht për dy prej hetuesve më kryesorë të kësaj dosjeje, të cilët janë thuajse dirigjuesit e hetimit që aktualisht është përqendruar në pistën e trafikimit të armëve. Sipas këtij drafti, cilido prokuror apo gjykatës përjashtohet automatikisht nga ky funksion mjaft që të ketë punuar në të njëjtin pozicion para vitit 1990. Me shumë gjasa ky draft do të kalojë për votim në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi, ndërsa një kriter i tillë është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë.
Drafti
“Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive. Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme”, - shkruhet ndër të tjera në këtë draft, i cili detajon të gjitha kategoritë e funksionarëve publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit. Por nëse përfshirja e këtyre kategorive është një akt krejt normal, “kushtet e filtrimit” që parashikon ky projektligj duket se cenojnë disa nga prokurorët dhe gjykatësit që sot janë duke hetuar apo gjykuar “dosje të rënda”, që në thelbin e tyre prezumojnë implikimin e funksionarëve më të lartë të qeverisë dhe maxhorancës (e cila ka hartuar projektligjin) në krime dhe trafiqe që kanë shokuar dy vitet e fundit opinionin publik.
Janë më së paku dy prokurorë të dosjes “Gërdeci” që mund të “skualifikohen” porsa ky ligj të shpallet në Fletoren Zyrtare (në rast se votohet në Kuvend) dhe e humbin menjëherë vendin e punë. Por duket se nga ky ligj preket dhe prokurori që rizgjoi hetimin e dosjes “Remzi Hoxha”, e cila është gjithashtu një dosje që lidh emra të fuqishëm të maxhorancës me një krim shtetëror të mirorganizuar.
Goditje
Së fundi, sikurse është publikuar në të gjitha mediat, dosja “Rrëshen-Kalimash” i është drejtuar Gjykatës së Lartë. Pikërisht dhe në këtë institucion mund të preken dy gjyqtarë, të cilët edhe kur u votuan në Parlament (me dekret të presidentit), për pak sa nuk u “dogjën” nga mungesa e votave të një pjese të maxhorancës. Por ç’është më e rëndësishmja lidhet me faktin se drafti i maxhorancës po shënon një “rast unikal dhe të paprecedentë” në lëmin e të drejtave të njeriut. Kjo mund të thuhet lehtësisht në kushtet kur të gjithë këta zyrtarë që kanë punuar para viteve ’90, në thelb kanë qenë “shërbëtorë të ligjit”, e pikërisht për këtë arsye, në të gjitha vendet ish-komuniste, trajtimi i statusit të tyre u është nënshtruar analizave dhe projektligjeve të ardhura si propozime shkencore dhe jo si propozime të ngutshme politike apo partiake. Madje, në rrethanat aktuale, kjo nismë kaq “radikale” e maxhorancës duket se vë në pikëpyetje serioze qëllimet e saj, pasi nga ky draft preken prokurorë që po drejtojnë hetime kundrejt pushtetarëve të rëndësishëm, madje dhe ndaj familjarëve të tyre për implikime kriminale. E, ky ligj i ardhur në këtë kontekst duket se po kërkon që në emër të padrejtësive të bëra para viteve ‘90 të mbulojë padrejtësitë dhe implikimet kriminale të viteve 2000.
Funksionarët që janë objekt verifikimi:
... d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën “c”.
”Gërdeci”, amerikanët ndërhynë për të ndalur presionet mbi Prokurorinë
Që pas shpërthimit vdekjeprurës më 15 mars në Gërdec, hetimi i kësaj çështjeje është shoqëruar vazhdimisht me dritëhijet e “luftës” së ftohtë për bllokimin e hetimeve. Pas dy muajsh hetimi paraprak dhe intensiv nga Prokuroria, më 3 qershor të këtij viti, nga ambasadori amerikan do të vinte një deklaratë e fortë, e cila komprometoi publikisht rolin e qeverisë në raport me hetimet. Strumbullari ishte kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Pas mbërritjes së kësaj kërkese, kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një përgjigje Prokurorisë, të cilën zyrtarë amerikan të Departamentit të Shtetit e quajtën si një “letër-horror”. Dukej sikur kryeparlamentarja ishte kthyer në gjykatëse duke i sugjeruar madje Prokurorisë se si duhej hetuar zoti Mediu. Ndërkohë që pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çdo lloj përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi asokohe Uidhers.
Fazlliç, Berisha e nxori “të jashtëligjshme” Prokurorinë shqiptare
Fill pasi Prokuroria nisi hetimin ndaj mikut të kryeministrit Damir Fazlliç, ky i fundit doli publikisht dhe deklaroi se do të kërkonte hetim ndërkombëtar, duke nxjerrë thuajse “jashtë loje” kushtetutshmërinë e institucionit të Prokurorisë shqiptare. Kryeministri u shpreh se do të nxirrte një dekret, nëpërmjet të cilit do të kërkonte hetimin ndërkombëtar të Fazlliçit, hetim i cili do të zbardhë nëse ky biznesmen ka përfituar ose jo nga fondet publike të qeverisë shqiptare. Berisha gjithashtu bëri të ditur se do të kishte edhe një hetim parlamentar ndaj Fazlliçit, pasi do të miratohet së shpejti ngritja e një komisioni të posaçëm hetimor. Gjatë fjalës së mbajtur përpara mediave, Berisha akuzoi prokurorët Shtylla dhe Mazreku se kanë shkelur Kushtetutën ndërsa kanë kërkuar nëpërmjet një bisede telefonike që të ndalohet nga policia Damir Fazlliç, gjatë vizitës së zhvilluar ditë më parë në Tiranë. Po kështu, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi të padrejtë ngrirjen e aseteve të kompanive të biznesmenit Fazlliç. Rasti Fazlliçit u paraqit shumë interesant, pasi këtij biznesmeni iu provua në media shitja antiligjore e një firme ku u dyshua për pastrim parash. Fazlliç në biznesin e tij implikoi studion ligjore të vajzës së kryeministrit, kunatin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, por edhe pronarin e kompanisë amerikane “BG&R” (e cila mbështeti PD-në në zgjedhjet e vitit 2005) Ed Roxhers. Fill pas kësaj deklarate “të frikshme” të Berishës, ambasadori amerikan shprehu publikisht mbështetjen maksimale për Prokurorinë shqiptare, ndërsa amerikanët ofruan dhe ekspertizën e tyre pranë Prokurorisë në hetimin e komplikuar të pastrimit të parave dhe krimit ndërkombëtar. Ndonëse Berisha premtoi publikisht “hetim ndërkombëtar” dhe “komision hetimor parlamentar” për Prokurorinë (referuar kërkesës për marrjen në pyetje të Fazlliçit), sot askush nga maxhoranca nuk flet më për një gjë të tillë, ndonëse dy apo tre figura të maxhorancës dolën për tri javë me radhë nëpër media duke mbrojtur idenë dhe nismën e këtyre hapave të paralajmëruar nga vetë Berisha. Por deri tani hetimi i Prokurorisë ka vazhduar normalisht, madje duke u asistuar dhe duke pasur interesimin dhe të hetuesve ndërkombëtarë. Pak kohë më parë, disa hetues të huaj kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë kontakte me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme për këtë çështje. “Albania” ka mundur të mësojë se hetuesit e huaj kanë qenë seriozisht të interesuar për të ngelur në kontakt dhe për të mos nënvleftësuar asnjë të dhënë që do të dalë nga hetimi shqiptar për Fazlliçin lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri.
12 Dhjetor 2008