E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT, “OK” parkut energjetik në Porto Romano

13/12/2008  Pas investimit zona mendohet të jetë një fuqi energjetike në rajon

DURRES- Qarku i Durrësit i ka hapur dritën jeshile ndërtimit të parkut energjetik në Porto Romano. Masterplani i këtij parku të madh që do të ngrejë themelet në Porto Romano ka kaluar pa asnjë kundërshtim në KRRT-në e qarkut dje në orët e pasdites. Masterplani i Zhvillimit të integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, infrastruktura dhe konturet e sa janë bërë objekt i diskutimeve të gjera mes specialistëve dhe anëtarëve të komisionit votues të një nga projekteve më të rëndësishme në Durrës. Parkut energjetik në Porto Romano i është ofruar një sipërfaqe e përgjithshme prej 810 ha duke krijuar për të gjithë zonën akses të madh punësimi e zhvillimi. Në grupin e punës për të gatuar masterplanin kanë marrë pjesë 24 specialistët më të mirë të dikastereve qendrore dhe institutit të studimeve dhe kërkimeve. Zhvillimi i zonës në themel ka patur parasysh pozicionin e këtij territori si nyje e Korridorit 8, korridor që hap të tjera perspektiva zhvillimi. Shqipëria, është thënë në këtë tryezë, ka nevojë për më shumë se 60 për qind import karburanti, të cilën e importon nga vende të tjera si Greqia, Italia, etj.

Parku

Parku në veri të Durrësit me një sipërfaqe prej 810 ha do të krijojë të gjitha mundësitë që pas investimit zona të shndërrohet në një “superfuqi” e vogël energjetike. Pjesa më e madhe e territorit ku do të nisin investimet e huaja i përket komunës Katund i Ri fitimet e të cilës do të jenë të konsideruara vetëm nga përfitimi i përqindjes për lejen e ndërtimit. Parku energjetik shtrihet 6 km në veri të qytetit dhe përshkon të gjithë gjatësinë deri tek Kepi i Palit me 1.2 km gjatësi dhe më shumë se 2 km gjerësi në lindje-perëndim. Terminali i puntilave të naftës dhe depozitat e gazit janë në të përfunduar duke zënë në vetvete afro 50 ha. Në pjesën më veriore të parkut energjetik parashikohet ngritja e dy termocentraleve me fuqi të instaluar fillimisht prej 350 MGW secili, ndërsa në zonën jugore të tij do të ndërtohet kompleksi i përpunimit të mbeturinave teknologjike si dhe një kompleks industrial. Në përgatitjen e masterplanit është treguar kujdes në aspektin mjedisor si dhe impakti që do të ketë ndërtimi i parkut dhe shfrytëzimi në këtë zonë. Vëmendje dhe kujdes ka konsumuar ruajtja e zonave arkeologjike, studimi sizmik dhe hidro-gjeologjik. Nga 810 ha mendohet se ndërtimet do të marrin 720-730 ha dhe në mesin e këtyre ndërtimeve do të ketë komplekse e kombinate të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›