Maskat grabisin nën terror kazinonë “Apex” në Plazhin e Durrësit
Durrës – Tri maska kanë shkaktuar panik, në një kazino në Plazhin e Durrësit, kur hynë dhunshëm dhe masakruan punonjësit duke grabitur një shumë të konsiderueshme të hollash. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në zonën “Hekurudha” të Plazhit të Durrësit, në Lagjen Nr 13, te lokali i lojërave të fatit “Apex”. Tre personat e maskuar kanë hyrë në ambientet e brendshme duke bërtitur me zë të lartë dhe fyer arkëtarin Admir K., si dhe punonjësin e sigurisë Florian M. Referuar dëshmisë së të dëmtuarve, policia bëri me dije se Floriani është goditur prej tyre me grushte që në momentin që tre personat e maskuar kanë hyrë në lokal. Ndërsa Admiri, i frikësuar, është fshehur prapa makinerive. Njëri prej tri maskave është afruar te banaku dhe ka marrë në sirtarin ku mbaheshin lekët një shumë prej 80 mijë lekësh dhe më pas janë larguar të tre. Policia deklaroi gjithashtu se dëshmitarët nuk ishin të qartë nëse tre personat e maskuar kishin armë me vete në momentet e grabitjes së denoncuar. Sipas kallëzimit të bërë, në momentin që ka ndodhur ngjarja në lokal nuk ka pasur asnjë klient përveç dy punonjësve që kryen denoncimin. Policia ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.
3 Shkurt 2009