Hyka: “Kundër Bajernit përjetova momente magjike”Mesfushori i Maincit ka “rizbuluar” veten në Bundesligë gjermane. Virtuozi i Kombëtares: “Kundër Danimarkës për rezultat pozitiv”

Publikoje ne:
Mesfushori i talentuar Jahmir Hyka ka “rizbuluar” veten në Gjermani. Në ndryshim nga sezoni i kaluar, kur Mainc 05 militonte në Bundesligën 2, e minutat e tij ishin të pakta gjatë gjithë edicionit, tashmë midis skuadrave më të mëdha gjermane, ato të Bundesligës 1, “Maradona” i Shqipërisë është aktivizuar si zëvendësues në tre nga katër takimet e luajtura: kundër Hanover 96, Bajern i Munihut dhe Borusia e Mënshengladbahut. Aktivizimi për disa minuta (të mira) në fitoren 2-1 historike të Maincit kundër Bajernit të Munihut, duket se e kanë bërë me “krahë” virtuozin e ri shqiptar, i cilin ndihet “Ok” me futbollin në një prej kampionateve më të forta në Europë dhe në Botë. Ndihet mirë fizikisht dhe Gjermania i ka mësuar shumë hile të futbollit. Tani, Jahmiri synon minuta edhe kundër Danimarkës.
Hyka, pas një sezoni të kaluar thuajse në bankinë kur Mainc 05 ishte në Bundesliga 2, tani gjithmonë e më shumë i aktivizuar me skuadrën tënde, edhe pse flitet për një kompeticion edhe më të rëndësishëm si Bundesliga 1. Si po e përjeton Jahmiri këtë ndryshim?
Natyrisht për mirë. E konsideroj diçka pozitive, për vetë faktin se në moshën time nuk është e lehtë të luash në Bundesligë. Megjithatë, unë kam qenë gjithmonë gati për të luajtur, dhe në ato pak ndeshje që jam aktivizuar në Bundesliga 2 kam dhënë më të mirën. Tani me ardhjen e teknikut të ri, Tucher, i cili për hir të së vërtetës ka një filozofi tjetër në lojë, ka pasur fatin të kem më shumë minuta më këmbë.
Në Shqipëri, të gjithë trajnerët kanë qenë të kënaqur me lojën tëndë, përfshirë dhe ata të Kombëtares, si Bariç, Hani e tani dhe Kuzhe. A është i kënaqur trajneri i Maincit me atë që ke paraqitur deri tani në Bundesligë, edhe pse flitet vetëm për tri ndeshjet e para të tua?
Besoj se po. Për aq kohë sa jam aktivizuar kam bërë gjëra pozitive. Normalisht, që dhe unë shpresoj për më shumë. Por, e rëndëisishme është që Tucher ka një vizion tjetër në raport me mua apo me vlerat e mia. Le të shpresoj për më shumë.
Jahmir, ishe pjesë e skuadrës në fitoren historike 2-1 kundër Bajernit të Munihut, gjigantëve të Gjermanisë. Përjetuat emocione të mëdha, a po jo?
Po e vërtetë, luajta si zëvendësues, por të them të drejtën provova një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ishte një stadium i mbushur plot dhe fundi i ndeshjes ishte me të vërtetë një çmenduri. Nuk ndodh shpesh të luash kundër Bajernit, e aq më tepër të fitosh. Unë të paktën se kishta menduar kurrë në kohën kur luaja në Shqipëri.
Luajte kundër disa prej lojtarëve më të mëdhenj të Gjermanisë, çfarë ndjeve kur trajneri të thirri për t’u futur në lojë?
Emocion e kënaqësi. Përjetova minuta magjike. Ishte e vështirë kundër tyre. Trajneri më dha këshillat e duhura në këtë rast. U futa për të ndihmuar shokët në ruajtjen e rezultatit. Për fat gjithçka përfundoi mirë. Për mua shkoi mirë, me deshi Zoti. Bëra ca driblime të bukura në ndeshjen kundër Bajernit.
Ju pret ndeshja me Hertën e Berlinit. Ke luajtur në 3 ndeshje rresht, një sinjal i mbarë për ty.
Shpresoj të vazhdoj kështu, me gjithë se nuk do të jetë e lehtë. Me Hertën synojmë fitoren pasi luajmë në shtëpi.
Kundër Danimarkës vijmë pas një fitoreje tenistike në miqësoren kundër Qipros, 6-1. Një ogur i mirë përpara sfidës ndaj një ekipi që na ka mundur thellë në ndeshjen e parë në Kopenhagen, 3-0.
Normalisht, që vijmë me moral të lartë. Jo vetëm nga ndeshja me Qipron apo me Gjeorgjinë (1-1). Besoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë edhe me Portugalinë, pavarësisht se humbëm në minutën e fundit (1-2). Gjithsesi, nuk duhet harruar se ndeshja me Qipron ishte një ndeshje miqësore. Takimi kundër Danimarkës është zyrtar, dihet forca e saj, për më tepër që kërkon kualifikimin direkt në finalet e Kampionatit Botëror. Nuk do të jetë e thjeshtë. Në takimin e parë unë nuk isha në Danimarkë, pasi nuk u thirra nga trajneri Ari Han.
Si në ndeshjet miqësore e Shqipërisë (B) kundër Milanit, ashtu dhe në ato kundër Gjeorgjisë e Qipros, kemi parë një Hykë të rritur fizikisht.
Normalisht që jam rritur në shumë aspekte, jo vetëm atë fizike, por sidomos në atë taktike të lojës. Gjermania më ka ndihmuar në shumë gjëra.
* * *
Rekordmeni i golit më të shpejtë
Anësori i Mainc 05, është një nga 20 lojtarët e thirrur nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për ndeshjen kundër Danimarkës. Ia vlen të kujtojmë, se Hyka nuk u thirr nga Ari Hani për ndeshjen e parë të humbur 3-0 me danezët në Kopenhagen. Hyka e ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, pikërisht në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë (7 shkurt 2007, të humbur 0-1 në Shkodër), kur ai ishte vetëm 18 vjeç, por “xhuxhi” ka vendosur një rekord absolut. Është autori i golit më të shpejtë në historinë e Kombëtares në miqësoren kundër Lihteshtejnit (2-0), kur realizoi në sekondën e 46-të (gusht 2008).
E Merkure, 02 Shtator 2009