E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mario Cenolli: Ju tregoj nga Rudi Vata te Xhon Terri

Njihet gjerësisht në Shqipëri si menaxher i "Vata Vision Football Management", agjencisë qe drejtohet nga agjenti i FIFA-s, Rudi Vata, por pakkush e di se ish-portieri Mario Cenolli, është ndoshta nga ata të paktë futbollistë shqiptarë që ka luajtur në Angli, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, ku kulmi i tij është Kristal Pallas, një emër prestigjioz i futbollit britanik. Tetë klube në statistikat e tij nuk janë pak për një portier shqiptar: Hendo, Aldershot Toun, Hamilton Thunder (Kanada), Berkhamsted Toun, Farnborough Toun, Brentford, Fulham, Kristall Palas e Uindsor & Eton. "Shkova qysh 16-vjec në Itali, në vitin 1997, dhe u angazhova me një ekip moshash në vendin fqinjë. Për fat në një nga turnetë e zhvilluar në Itali u pikasa nga menaxherë anglezë, të cilët bënë të mundur edhe kalimin tim në ishullin britanik", - tregon Mario. "Trajneri që kam punuar më shumë është ai Readingut, Stiv Kopel. Është ky që më lancoi te Kristal Pallasi. Një tjetër emër i respektuar për mua është Terri Venëbëlls, ish-trajneri i Kombëtares angleze".
Portieri Mario Cenolli, kur luante me ekipin e tij Hamilton Thunder (Kanada) Shtatë vjet në futbollin e ashpër anglez nuk janë pak. Por, sa i vështirë është kampionati anglez për një futbollist shqiptar? "Për mua është më i vështirë nga të gjithë kampionatet e botës. Është një kampionat i fortë fizikisht dhe duhet të jesh mirë i përgatitur edhe psikologjikisht. Ka shumë presion. Të njëjtin mendim ndan edhe Rudi Vata, i cili ka luajtur për shumë vite te Selltiku në Skoci". "Edhe tani kur kujtoj lodhjen në stërvitje më këputen gjunjët. Na përgatisnin fizikisht si të ishim makina, pasi edhe kundërshtarët në atë nivel ishin. Dhe një përgatitje e tillë nis qysh me grupmoshat. Më pas shkova në Amerikë e në Kanada, ku luajta në Nju Jork e në Toronto. Atëherë nuk ishte shumë i zhvilluar futbolli i klubeve në këto vende. Mund të them se kam qenë shqiptari i parë që kam luajtur futboll në SHBA. U riktheva sërish në Angli për të luajtur me ligat inferiore".
Mario Cenolli, duke folur per Albania-sport.com 27-vjecari Cenolli punon prej disa vitesh si bashkëpunëtor i "Vata Vision Football Management", një agjenci shqiptare aktive në merkato me shtrirje të gjerë ndërkombëtare: "Tani e gjithë eksperienca ime është të ndihmoj futbollistët e rinj. Për fat të mirë lidhja me ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, më ka hapur mundësi të reja. Ndihem i privilegjuar të mësoj nga eksperienca e një legjende sic është Rudi Vata. Ka vuajtur jo pak e ka punuar shumë për të qenë ai që është në futboll. E njeh shumë mirë futbollin e djemtë e talentuar e me të ardhme. Vlerësohet në Angli si një skauter profesionit talentesh. Të jep kurajo, të sugjeron e të motivon më shumë për të shkuar përpara. Jemi të pranishëm në cdo ndeshje të Kombëtares, ku prioritet janë ato të moshave. Kemi disa lojtarë në përfaqësueset e moshave, duhet t'i ndjekim e të jemi në kontakt". "Vata Vision Football Management" bashkëpunon edhe me disa agjentë të huaj të FIFA-s, të cilët së fundi realizuan edhe transferimin e Mateja Kezhmanit nga Fenerbahce te Paris Sën Zhermeni, apo të tjerë lojtarë. Në rrethin e partnerëve janë dhe menaxherët e serbi Aleksandër Gubar e Nikola Zigic, por fijet shtrihen deri te Dejan Stankovic. "Jemi partnerë me menaxherin si holandez Martin van Ofahauzen, me të cilën kemi bashkërisht edhe disa lojtarë që luajnë në kategoritë inferiore si në Holandë ashtu dhe në Britaninë e Madhe", - thotë Cenolli, që shton se në Itali bashkëpunon me një nga zyrat më të mëdha të transferimit të lojtarëve të drejtuar nga Federiko Pastorrelo. Gjeografia shtrihet në Francë te Monako, ku emri më i spikatur është Patris Evra, ndërsa në Angli është Karlo Kudicini te Celsi. "Një emër tjetër i rëndësishëm i botës së futbollit, - shton Cenolli, - është edhe menaxheri i Ronaldos, Petro Mendes. Kanë krijuar shumë besim te kompania jonë dhe gjithmonë mbajmë kontakte, pasi na konsiderojnë si partnerë idealë në tregun ballkanik të lojtarëve". Cenolli banon në Londër pikërisht në zonën e Celsit dhe ka krijuar lidhje të ngushta dhe me emra të njohur të futbollit e të akademisë të klubit londinez. "Një nga këta është Skot Minton, një ish-lojtar i Celsit, i cili dikur ka qenë mbrojtës. Tani është trajner me ekipet e moshave". Por dhe futbollistët nuk përjashtohen nga rrethi miqësor i Marios. "Marrëdhënie të mira kam me Xhon Terrin e Frenk Lampardin. Kam luajtur kundër tyre, kur ata aktivizoheshin me ekipet e moshave. Unë atëhere isha me Kristal Palas, ndërsa Terri luante për Celsin, ndërsa Frenk për Uest Hemin. Njoh prej shumë kohësh portierin italian Karlo Kudicini. Një tjetër i njohur është edhe Eshli Kol". Por në listën e miqësive të tij është edhe Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi suedez i Interit, lojtari më i paguar në botë. "E njoh Ibrën personalisht, e kam takuar disa herë. Henrik Larsonin e njoh prej Rudi Vatës, pasi të dy kanë luajtur bashkë te Selltiku". Mario Cenolli Datëlindja: 06.02.81 Klubet: Hendon Aldershot Toun Hamilton Thunder Berkhamsted Toun Farnborough Toun Fulham Brentford Crystal Palace Pozicioni: Menaxher pranë kompanisë "Vata Vision Football Management"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›