Klodian Duro: “Një nga ndeshjet e mia më të mira”

Një nga protagonistët e kësaj ndeshjeje, Klodian Duro, është shprehur optimist për të ardhmen e ekipit kuqezi, duke përgëzuar skuadrën për pjekurinë që tregoi në fushë. "Ekipet e vogla janë gjithnjë problematike. Jam i kënaqur për fitoren dhe për tri pikët dhe më duhet të them se Shqipëria sot u tregua vërtet e matur, sepse kundërshtari bëri cmos që të na i vështirësonte gjërat. Mendoj se sot kam bërë një nga paraqitjet e mia më të mira, por padyshim që kjo është meritë e gjithë skuadrës. Ishte një fitore vërtetë e vështirë, sepse na duhej të fitonim patjetër dhe ndoshta në disa momente të lojës edhe rrezikuam pak në mbrojtje, por gjithsesi gjërat shkuan shumë mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme, sepse synimi i Shqipërisë është që të grumbullojë sa më shumë pikë këtë edicion dhe të ngjitet sa më lart. Falënderoj tifozët, të cilët ishin të mrekullueshëm edhe në këtë ndeshje", është shprehur numri 10 i Kombëtares.