E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyka: “Unë si Shnajderi, jo si Luka Modriçi”



Jahmir Hyka është një “top”, ashtu si dikur Pele, lojtari më i mirë i botës kishte thënë për Robinjon: “Po mos kishte lindur njëri, do të lindte top”. Pëlqen vetëm gjëra që kanë diçka të jashtëzakonshme brenda tyre. Brenda gjenisë së talentit shqiptar më të madh të dhjetë viteve të fundit shfaqen edhe driblingu i Maradonës (mediat gjermane e përcaktuan kështu kur ai u transferua te Mainc), edhe lëvizshmëria e Mesit (Hyka e ka si idhull), por edhe zgjuarsia pa kufi e Shnajderit (lëvizjet e të cilit Jahmiri e realizon në kohë reale në mendjen e tij kur ndjek ne televizor Holandën). “Jam tifoz me Holandën dhe i lojës së bukur”- kështu e përmbledh me një fjali Jahmir Hyka, i cili shton se shanset e Holandës për të fituar për herë të dytë Kampionatin Europian janë të mëdha. “75 për qind. Më shumë se çdo ekip tjetër. Dy fitore fantastike janë sinjali më i qartë”
EURO 2008 – “Jam tifoz i lojës së bukur dhe Holanda luan mjaft bukur futboll. Ka shumë lojtar të talentuar. Kë shoh në finale? Spanja përplaset me Holandën, nëse jo në çerekfinale, në gjysmëfinale, kështu që parashikoj një finale Holandë-Portugali. Çuditem sesi holandezët nuk bënë shumë me ne, madje na mundën me vështirësi në të dy takimet (2-1 në Amsterdam, 1-0 në Tiranë”. Portugalia është një nga kundërshtarët e Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2010. Hyka thotë: “Do të jetë një ndeshje e madhe në Tiranë. Kundër ekipeve të mëdha luajmë shumë mirë”. Në Europian po dallohen shumë talente, por “kamera” e Hykës është e fokusuar te “portokallinjtë”: “Kush më pëlqen? Shnajder dhe Roben, por për Uesli Shnajderin kam më shumë preferenca. Hyka një Shnajder shqiptar? Më pëlqen, por meqë po më krahasojnë me shumë veta, më mirë të jem Hyka si Hykë”. “Mesi është idhulli im, por tani e ndjen veten shumë ë afërt me Shnajder. Madje më pëlqen ta them këtë”. Edhe pse Dinamo e Zagrebit e kërkoi për të zëvendësuar Luka Modriçin e blerë 21 milionë euro nga Totenhemi, Hyka, i cili e ka parë me kujdes lojën e talentit kroat thotë. “Kam pak ngjashmëri me lojën e tij, madje luajmë në pozicione të ndryshme në mesfushë”.
MAINC 05 – Pse Mainc dhe jo Dinamo Zagreb? “Shiko, dua të tregohem i sinqertë, unë e kisha ndarë mendjen 100 për qind për të shkuar te Dinamo në Kroaci, por pas ndeshjes me Poloninë gjithçka ndryshoi. Më erdhën disa oferta dhe unë duhet të zgjidhja më të mirën dhe Mainci me ofroi kushte mjaft të mira si nga ana ekonomike, ashtu edhe sportive. Qëllimi im është i thjeshtë: Mainci mund të përdoret si trampolinë për më lart. Kontrata ishte 3.5 milionë euro duke përfshirë dhe taksat, ndërsa ajo neto për 3 vitet e kontratës shkon në total 1.7 milionë. Drejtuesit më ndoqën në ndeshjen kundër Polonisë dhe aq u mjaftoi për të më marrë, pasi ana financiare nuk përbente problem për ta”. Mediat gjermane e përdorën gjerësisht përcaktimin “Maradona i Ballkanit” kur Hyka u ble nga Mainc. Por sa e ndjen të afërt Hyka këtë epitet. “Më ka ngelur që i vogël. Ma ka venë trajneri im i parë Bedrizan Daçollari, të cilit i jam shumë mirënjohës për punën që ka bërë me mua. Por, në të vërtetë nuk mund ta besoj një krahasim me lojtarin më të madh të të gjitha kohërave”.
MILAN – Italia është një ëndërr reale për futbollistët shqiptarë. Igli Tare e Erion Bogdani janë një realitet. Ashtu si më parë Riza Lushta e Naim Kryeziu, por edhe Valon Behrami e Ervin Skela. “Milani është ëndrra ime. Ndoshta ia arrij një ditë të luaj për të”. Hyka e konsideron një trampolinë Maincin. Të qenit pjesë e një ekipi të Bundesligës 2 dhe pranë një media të fuqishme gjermane, në fakt do të ndikonte më shumë te një transferim i tij te Bajerni. Futbolli shqiptar është i respektuar në Gjermani. Altin Lala, Fatmir Vata, Ervin Skela, Edmond Kapllani, apo më parë edhe Igli Tare, Altin Rraklli, kanë krijuar modelin e futbollistit shqiptar. “Bajerni është ekip i madh. Në jetë nuk i dihet, por fillimisht dua të jem me këmbë në tokë. Dua të zë sa më shpejt një vend titullari te Mainc”.

Ari Han komenton Holandën ne Tv ARD

Trajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han, duket se po argëtohet shumë me fitoren e Holandën në Kampionatin Europian. Të premten në mbrëmje ai ishte një ndër të ftuarit e televizionit shtetëror gjerman “ARD”, për të disktuar në Talk-Shoun “Valdis EM-Club” rreth ndeshjeve Holandë-Francë (4-1) e Itali-Rumani (1-1). Një emision që fillon në orën 23.30 e mbaron në orën 24.00 dhe që ndiqet sipas “ARD”-së nga 5.5 milionë shikues. Së bashku me holandezin të pranishëm në studio ishin dhe Hansi Myler, Johan Etmajer, Matce Knop dhe Oliver Poher. Han pohoi se kishte mbetur i impresionuar nga paraqitja e bashkatdhetarëve të tij.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›