Hyka “çmend” tifozët: “Nuk ngopen me magji”
Jahmir Hyka po shndërrohet në magjistarin e ri të Mainc 05. Këtë e pranojnë si trajneri norvegjez Andersen por dhe tifozët e i klubit gjerman të Bundesligës 2. Fitorja 4-0 në transfertën kundër Bahlingerin e Oberligës (kategoria e katërt në Gjermani) të premten e kaluar,përpara më shumë se 2 mijë tifozësh ishte një tjetër mbrëmje e bukur për “Maradonën shqiptar”. “Bahlinger nuk ishte ekip i keq. Fituam thellë, por dua të them se personalisht Zoti ishte me mua atë ditë. Shënova një gol shumë të bukur nga 25 metra, pasi driblova me finesë një kundërshtar (goli 4-0), por dhashë edhe një asist (goli 3-0). U çmendën të gjithë. Jam përshtatur shumë mirë me modulin e lojës, luaj si mesfushor i majtë i avancuar në krahë, -thotë për “Albania”-n në linjë telefonike nga Gjermania, mesfushori i Kombëtares. Një ditë, më pas të shtunën e kaluar, Mainc 05 luajti kundër Frajburgut, me të cilin humbi 0-1. “Nuk isha pjesë e formacionit, pasi të premten luajta gjatë gjithë takimit, - thotë Hyka. “Gjithsesi, kam bërë paraqitje të mira, por krahas përgëzimeve rutinë të trajnerit (Andersen), ajo që më kënaq më shumë janë fjalët e mira të tifozëve të Maincit, dhe ata që dinë anglisht kanë dëshirë të bisedojnë e të flasim për futboll. Autografe? Sa të duash”, - thotë duke qeshur Hyka, që mban në fanellë numrin 18. Gjithsesi, 20-vjeçari flet një anglishte thuajse perfekte dhe po mëson gjuhën vendase “Kam filluar të eci pak nga pak edhe në gjermanisht, është pak e vështirë si gjuhë. Me trajnerin flas gjithmonë anglisht, por dhe me lojtarët gjermanë, pasi dinë të flasin nga pak”. Hyka luajti më parë për 45 minuta kundër spanjollëve të Real Santanderit. “Çdo gjë shkoi mirë për mua, ndeshja përfundoi në barazim 2-2 dhe tifozët më pritën mirë në atë takim. Kjo ishte shumë e rëndësishme”, Por sa ndryshojnë tifozët gjermanë me atë në Shqipëri? Hyka thotë: “Këtu (në Gjermani) tifozët të përkrahin edhe në momentet më të vështira, madje të duartrokasin edhe kur humbet. Në Shqipëri, është pak ndryshe”, - pranon Jahmiri, i cili nuk dëshiron të flasë për këtë argument. Të shtunën Mainc do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për sezonin e ri, atë për raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, Babelsberg. “Është një ekip i kategorisë së tretë. Besoj se do të fitojmë, pavarësisht se do të luhet në transfertë. Shpresoj të luaj”, - thotë Hyka. Ndërkohë, që përpara së të grumbullohet nga Ari Han, Mainc do të zhvillojë ndeshjen e parë në Bundesliga 2, një ndeshje në transfertë kundër Kaiserslauternit.
Lihtenshtejni
Pas 15 ditësh, Shqipëria do të luajë miqësoren me Lihteshtejnin në Tiranë, përpara se të zhvillojë takimin e parë zyrtar me Suedinë për eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Hyka, i cili bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në miqësoren e fundit me Poloninë në Reutlingen të Gjermanisë, atje edhe ku u pëlqye shumë nga menaxherët e ekipit të tij aktual, Mainc 05, thotë: “Po, është një test mjaft i mirë para ndeshjes me Suedinë, për më tepër që luhet në Tiranë. Minutat e mia? Atë e di trajneri, por çdo lojtari do i pëlqente të luante. Duke qenë edhe ndeshje miqësore, shpresoj të kem edhe unë kohën time”.
Jeta në Mainc
Hyka, i cili më parë ka jetuar edhe në Rozenborg të Norvegjisë e Athinë të Greqisë, kur u rekrutua te të rinjtë e Olimpiakosit, thotë se i pëlqen jeta në Mainc. “Është qytet i qetë. Ka ngjashmëri me Rozenborgun dhe jetohet mirë. Është i ndryshëm nga zhurma e Athinës, por dhe në Greqi bukur ishte. Tirana? Më ka marrë malli, por nuk e kam ndjerë se kohët e fundit kam ardhur shpesh”.
“Task forcë” në futboll, krijohen “arbitrat elitarë”
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare e Futbollit krijoi “arbitrat elitarë’, në të cilin përfshihen dhjetë të tillë, dhe që do të përfitojnë pagesa të kënaqshme financiare. “Komiteti Ekzukutiv miratoi propozimin e Sektorit të Garave për kategorizimin dhe rritjen e shpërblimit të arbitrave të futbollit. Është miratuar një listë e përbashkët e kategorisë superiore dhe të parë, në mënyrë që të rritet përgjegjësia, konkurrenca dhe t’i jepet mundësia arbitrave të rinj, që të përmirësojnë shkallën e tyre të kualifikimit. Dhjetë arbitrat e parë të kësaj liste, do të konsiderohen “arbitra elitë” me diferencë pagese në raport me të tjerët. Kjo listë prej dhjetë “arbitrash elitë”, do të rishikohet në përfundim të çdo faze, në bazë të rendimentit të tyre”, -thuhet në komunikatën e publikuar në fshf.org.
5 Gusht 2008