“Rendition”, medalja me dy kokë e luftës kundër terrorizmit
Debutim hollivudian për Gavin Hood që ndërton një triller klasik, të nevojshëm për të reflektuar mbi kaosin anarkik të kohëve tona. Histori të ndërthurura në luftën kundër terrorizimit oas 11 shtatorit, një film që arritur të lidhë përfshirjen emotive dhe kërkimin e të vërtetës. Në Shtetet e Bashkuara të pas 11 shtatorit, e quajnë “Etraordinary Rendition”, burgimi i jashtëzakonshëm ose rrëmbimi dhe pyetja e qytetarëve që mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ata rrëmbehen, dhe i nënshtrohen një hetimi të pazakontë në burgje sekrete jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në realitet janë 5-6 raste të tilla, për të cilat media e huaj ka folur mjaft, por meqë një pjesë e mirë e kineastëve synojnë tema impenjative të ditëve tona, një triller mbi këtë realitet nuk mund të mungonte. “Rendition” (Rrëmbimi) është filmi që ngrihet mbi këtë të vërtetë dhe që ka nisur projektimin në ekranin e madh të Millenium II në Tiranë që ditën e shtunë. Në këtë film, viktimë e metodës “extraordinary rendition” mbetet një kimist amerikan me origjinë egjiptiane, i dyshuar për terrorizëm. Mes kamikazëve dhe katastrofave familjare, regjisori afrikanojugor Gavin Hood ofron një refleksion të kundërt mbi rreziqet e një metode që shkel të drejtat themelore të çdo qytetari. Një qytetar egjiptian, prej vitesh rezident në Amerikë, është i punësuar në sektorin e inxhinierisë kimike. Arrestohet gjatë kthimit nga një udhëtim pune dhe në fshehtësi të madhe transferohet në një vend sekret, diku në një lokalitet islamik, për t’u torturuar me qëllim nxjerrjen e informacionit. Për të marrë pjesë në këtë hetim të pazakontë thirret Douglas Freeman, interpretuar nga Jake Gyllenhaal, -agjent i CIA-s. Akuza: Lidhje me degë të fondamentalizmit radikal. Në një këndvështrim të pjesshëm regjisori ka arritur të ndërtojë mirë atmosferën aktuale, duke sjellë edhe gërshetimin e dy botëve, asaj amerikane, islamin. Sulme terroriste, histori dashurie, komplote ndërkombëtare, lidhje politike; gjithçka për një “spy-story”, e cila për fat të keq ka shumë analogji me ditët e sotme. Nga pikëvështrimi narrativ çdo gjë rrjedh mirë me ndonjë përjashtim kur krijohet një boshllëk në skenar, por që mbulohet me zgjuarsi nga regjisori nëpërmjet fuqisë evokative të imazheve. “Rrëmbimi” eksploron zonën gri mes të drejtës dhe të gabuarës, duke hedhur një vështrim provokues mbi mënyrën sesi Amerika e lufton terrorizmin.
EKSPOZITA
Artan Shabani sjell “Homos balcanicus” në galerinë “Zenit”
Janë tetë punë të piktorit Artan Shabani, të cilat i përkasin ciklit “Homos balcanicus”, që mund të vizitohen në ambjentet e galerisë private “Zenit” në kryeqytet. Sipas autorit Shabani, njeriu i Ballkanit, në latinisht “Homos Balcanicus” brenda vetes përmban një energji të madhe vitale. Kjo temë madje mund të konsiderohet si një studim përmes pikturës, i cili në vetvete nuk mbart as moral e as nostalgji.
Muzeu “Mezuraj” nis ankandin e pikturave të Artur Muharremit
Muzeu “Mezuraj” do të nxjerrë në shitje përmes ankandit disa nga veprat e njërit prej piktorëve të tij. Autori tashmë i njohur për publikun sa i takon arteve vizuale, Artur Muharremi, vazhdon që të punojë dhe të ekspozojë në muzeun privat në Tiranë “Mezuraj”. Ndër punët e tij dallohen padyshim cikli i realizmit, metafizika, koha, manekinët, vizatimet dhe kllounada, etj. Siç shprehet drejtori Moikom Zeqo, në këtë ekspozitë impresioni i parë të vjen nga ngjyrat.
“Një autor, një vepër”, çelet fondi i galerisë “DidArt”
Në një tjetër galeri private në kryeqytet siç është “DidArt” organizohet ekspozita e titulluar “Një autor një vepër”, me piktura nga fondi i galerisë private. Pikturat janë punë të piktorëve të mirënjohur shqiptarë. Çdo artist do të prezantohet me një vepër. Në këtë ekspozitë do të gjenden peizazhe, kompozime, portrete dhe natyra të qeta, të realizuara me vaj mbi kanavacë. Në të gjitha punimet e përzgjedhura dominojnë
ngjyrat e ndezura; Shtëpi të vjetra tiranase, shtëpi veriore, buqetë lulesh e gra mirditore të veshura me kostume tradicionale, janë dhe disa nga motivet e tablove.
5 Gusht 2008