E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyka mahnit Zvicrën, tifozët e quajnë “Mesi”

ZVICËR- Jahmir Hyka ka mahnitur 2 mijë tifozët e pranishëm në Sarner Seefeld, në miqësoren mes Luzernës dhe Araut, e përfunduar 5-1. Gazeta “Onz” bën të ditur në uebsajtin e saj on-line se fantazisti shqiptar ka qenë më i miri në fushë, duke dhuruar lëvizje të një kalibri shumë të lartë.

“Thjesht i mrekullueshëm, - e quan kjo gazetë Jahmir Hykën. – Ai ka nënshkruar një kontratë një vjeçare, por duke parë nivelin e tij, ajo do të zgjatet”. Ndërkohë, përveç trajnerit Murat Jakin, që nuk i ka kursyer elozhet, tifozët kanë nisur ta thërrasin Hykën “Mesi i Luzernës”. Futbollisti i kombëtares kuqezi luajti për 60 minuta në këtë sfidë, duke u zëvendësuar më pas nga Nelson Ferreira.

“Ai është vetëm 23 vjeç, por ka shumë eksperiencë. Me këtë formë, do të ketë gjithnjë vend në skuadër”, deklaroi trajneri Jakin. Jahmir Hyka ka vetëm dy javë që ka firmosur me Luzernën, pas largimit nga Tirana.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›