E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn në fuqi marrëveshja midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për heqjen e vizave



Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka njoftuar dje se ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe protokollit të saj për qarkullimin në zonat kufitare. Angazhimi i qeverisë shqiptare për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me vendet fqinjë dhe krijimi i mundësive për lëvizjen e lirë të shtetasve në këto hapësira, është konkretizuar dhe materializuar në “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe protokollit të saj për qarkullimin në zonat kufitare”. Kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve në të dy anët e kufirit dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Në këtë marrëveshje parashikohet përjashtimi nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve të cilët, janë mbajtës të pasaportave të zakonshme, të shërbimit dhe diplomatike, dhe dëshirojnë të hyjnë, tranzitojnë ose qëndrojnë në territorin e secilit vend. Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera. Kjo është një nga risitë e kësaj marrëveshje, që i përputhet dëshirës së të dy palëve për lehtësimin maksimal nga barrierat apo detyrimet, duke e përqasur praktikën e lëvizjes ndërmjet dy vendeve me praktikën e lëvizjes së shtetasve në hapësirën e BE-së. Marrëveshja u nënshkrua në datën 19 shkurt 2008 nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve gjatë vizitës së kryeministrit Gruevski në Tiranë. Marrëveshja u ratifikua në një kohë të shpejtë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe për këtë u njoftua pala maqedonase më 24 prill 2008. Pala maqedonase ka njoftuar për plotësimin e procedurave ligjore për hyrjen në fuqi të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe protokollit të saj për qarkullimin në zonat kufitare” në datën 27 gusht 2008. Në bazë të nenit 14 të kësaj marrëveshjeje ajo ka hyrë në fuqi në datën 27 gusht 2008, që është data e marrjes së notës së fundit të palës maqedonase.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›