Topalli reagon ndaj Ramës: “Verifikimi i figurës së zyrtarëve të fillojë nga unë”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar dje ndaj deklaratës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Topalli është shprehur e hapur që ligji për verifikimin e pastërtisë së figurave të fillojë të zbatohet së pari më të. Vetëm një ditë më parë Rama bëri thirrje që Topalli të deklarojë nëse ka qenë apo jo bashkëpunëtore me ish-Sigurimin e Shtetit.
Zonja Topalli, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ju ka kërkuar juve si maxhorancë, por edhe si kryetare Parlamenti, ta nisni nga vetja verifikimin e figurës. Cili është komenti juaj?
Topalli: Unë përshëndes ndryshimin e qëndrimit të shprehur nga zoti Rama dhe shpresoj shumë të jetë kështu dhe të mos jetë demagogji, por kjo sigurisht do të provohet në sallën e Parlamentit. Gjithmonë kam besuar se ky ligj duhet të jetë një ligj me "tolerancë zero" ndaj çdo oficeri dhe spiuni të Sigurimit të Shtetit, pa klauzola lehtësuese, pra një ligj me një nen, po të ishte për mua. Pa çrrënjosur nga jeta publike rrjetin e "gestapos" shqiptare ky vend nuk ka të ardhme në Europë, dhe këtë po jua them si një njeri që Sigurimin e Shtetit dhe spiunët e tij i kam pasur në kurriz, jo që nga dita kur kam lindur, por 20 vjet para se të lindja, që më 1944-n.
Mes PS-së dhe PD-së ka mosmarrëveshje se si duhen verifikuar zyrtarët. A mendoni se do të lëshoni nga kjo pikë për hir të konsensusit?
Topalli: Është parim bazë dhe e kam përsëritur edhe herë tjetër që verifikimi të nisë nga kryetari i Parlamentit e të vazhdojë me të gjithë zyrtarët e lartë dhe kryetarët e partive politike. Personalisht mbroj fort idenë që edhe politikanët që janë verifikuar 2 apo 3 herë, edhe nga PS-ja edhe nga PD-ja, të riverifikohen. Duke votuar dhe firmosur këtë ligj si deputete dhe kryetare e Kuvendit, do të jetë një ditë kur do të jem krenare se po i bëj një shërbim të madh vendit tim për t’u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara që ka qenë nga më të egrat.
4 Shtator 2008