E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesticidet e skaduara, pas misrit kalben edhe mollët



Habjon Hasani

Tiranë - Pas skandalit me farën e skaduar të misrit, duket se edhe pesticidet dhe fungicidet e shpërndara nga “Agro-Blend” kanë të njëjtin efekt, por kësaj here me kulturën e pemëtarisë, ndërsa “vatra e katastrofës” tanimë shfaqet në Tropojë. Jo më larg se një ditë më parë “Albania” kontaktoi me pronarin e një parcele prej tre hektarësh (të mbjella me mollë) në Lugaj të Tropojës, i quajtur Gjovalin Nikolla, i cili ka pohuar se e gjithë sipërfaqja e mbjellë prej tij me mollë ka shkuar dëm për shkak të pesticideve dhe fungicideve të skaduara që ai i ka blerë në firmën “Agro-Blend”. “Mollët kanë rënë përtokë ejani dhe shikojeni vetë. U hodha ilaçin e blerë pemëve, por nuk dhanë asnjë efekt. Gjithë investimi ka shkuar dëm”, - i tha dje Nikolla gazetës, duke u shprehur se sipërfaqes së mbjellë i janë bërë gjithë shërbimet duhura, ndërsa efektin shkatërrues e kanë dhënë pesticidet dhe fungicidet.
Rreziku
Rasti i Tropojës mund të përsëritet edhe në vende të tjera, ndërsa një pjesë e mirë e sipërfaqeve të pemëtarisë në vend është spërkatur me pesticidet dhe fungicidet e blera tek firma “Agro-Blend”. Në bazë të dëshmisë së sipërmarrësit tropojan, lëndët e përdorura jo vetëm që nuk kanë dhënë efektin për eliminimin e insekteve që dëmtojnë pemëtarinë, por nisur nga fakti se janë të skaduara, ato vetë mund të kenë ndihmuar në degradimin e sipërfaqes së mollëve. Kësisoj, pas skandalit në rang kombëtar me farën e misrit, ekzistojnë të dhënat e para japin gjasa se historia mund të përsëritet po në rang kombëtar me pemëtarinë. Si rregull, Ministria e Bujqësisë ka një drejtori të specializuar që merret me kontrollin dhe standardizimin e lëndëve të para në bujqësi por realiteti në terren po tregon se lëndët e përdorura janë jashtë çdo lloj kriteri dhe po japin efekte të dëmshme në rang kombëtar.
Misri
Vetëm javën e fundit, me dhjetëra raste u evidentuan në të gjithë vendin lidhur me shpërndarjen e farës së misrit që prodhonte kallinj pa kokrra. Ndërsa Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdon të deklarohet se janë në pritje të analizave për raste të përfolura, fermerët kanë vënë alarmin se rastet me misrin e modifikuar gjenetikisht po shtohen dita-ditës. Ministri Gjana po ashtu garantoi të gjithë fermerët për cilësinë dhe sigurinë e farërave dhe fidanëve bujqësore të importuar, që shiten në tregjet e vendin. Duke vlerësuar problemin me 100 kv farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit e Peqinit dhe Fierit), kreu i Bujqësisë tha tre ditë më parë se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin. Gjana theksoi se dëmshpërblimi i fshatarëve, që nuk kanë marrë prodhim misri, do bëhet pasi të merren rezultatet e analizave të farës. Firma “Agro-Blend” ka importuar nga Franca 100 kv farë misri, që ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit. Në tregun shqiptar të farërave dhe fidanëve, operojnë 27 kompani, të licencuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për importin e farërave bujqësore.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›