Sherri me thika, vetëdorëzohet autori
Vetëdorëzohet në polici autori i vrasjes së Fatjon Çelës pas sherrit me thika të ndodhur më 14 qershor në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet. Një javë pas krimit të rëndë që i mori jetën 30-vjeçarit Çela dhe që rrezikoi dy vëllezërit Klodian e Taulant Allmuça, autori është vetëdorëzuar në polici. Mesditën e djeshme i shpalluri në kërkim Erjon Duda, u paraqit në portën kryesore të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit duke i dhënë fund arratisë njëjavore. Brenda pak çastesh efektivët e policisë që ndodheshin në shërbim kanë kryer procedurat ligjore, duke e vënë të vetëdorëzuarin në dispozicion të kolegëve të tyre që ndjekin krimet kundër jetës dhe shëndetit. Në një njoftim zyrtar të shpërndarë mesditën e djeshme, policia e kryeqytetit pohoi: "Ditën e sotme në orën 12:00 është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Erjon Duda, autori i dyshuar i vrasjes së 30-vjeçarit Fatjon Murat Çela si dhe të plagosjes së vëllezërve Klodjan dhe Taulant Allmuça". Kjo ngjarje, sipas policisë së kryeqytetit, ka ndodhur në orët e pasdites së 14 qershorit, një javë më parë, në afërsi të rrugës "Ali Demi" në Tiranë, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë numër një, si dhe specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, morën njoftimin se janë tentuar të vriten me armë të ftohtë, thikë, pas një konflikti midis tyre, shtetasit Fatjon Çela dhe vëllezërit Klodjan e Taulant Allmuça, me autorin e dyshuar shtetasin Erjon Kujtim Duda, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e rëndë, në vendngjarje shkuan forcat të policisë, nga ku u formua grupi hetimor i përbërë nga specialistë kriminalistë, të cilët sqaruan brenda pak orësh rrethanat dhe motivin e krimit si dhe identifikuan autorin. Ndërkohë dje pas vetëdorëzimit i riu 27-vjeçar ka rrëfyer para efektivëve të policisë ngjarjen e rëndë që përfundoi me vdekjen 30-vjeçarit Çela. Sipas asaj çka ai ka rrëfyer në polici, fillimisht konflikti mes tyre ka ndodhur rreth 10 ditë më parë, në ambientet e një lokali në Tiranë, ku ai dhe tre viktimat kanë debatuar për motive të dobëta. Më pas, më datë 14 qershor dy vëllezërit Allmuça dhe shoku i tyre Çela janë konfliktuar sërish me Erjon Dudën. Në këtë moment Duda i ka goditur të tre kundërshtarët me një thikë, e cila plotësonte kushtet e një arme të ftohtë. Të plagosurit janë dërguar nga shërbimet e policisë menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku mjekët i mjekuan në mënyrë intensive. Por si pasojë e plagës së marrë në pjesën e gjoksin, 30-vjeçari Çela nuk mundi të mbijetonte, duke humbur jetën disa orë më vonë në spital. Ndërkohë, dy vëllezërit Klodian dhe Taulant Allmuça, respektivisht 28 dhe 24 vjeç, me banim në Tiranë, pasi morën mjekime ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Po dje policia e kryeqytetit bëri të ditur se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, morën arrestin në flagrancë për autorin e dyshuar të vrasjes, Erjon Kujtim Duda, ndaj të cilit u ngrit paraprakisht akuza e "vrasjes me dashje", e parashikuar nga neni 76 i të Kodit Penal. Ende nuk dihet çfarë qëndrimi ka mbajtur në lidhje me këtë akuzë i riu, pasi ai paraprakisht ka pohuar në polici se nuk ka pasur si qëllim të vriste ndonjë prej viktimave, por vetëm t'i plagoste ata. Sipas tij, fakti i vdekjes së 30-vjeçarit ishte arsyeja e vetëdorëzimit në polici. Po dje policia pohoi se materialet hetimore të përpiluara i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme. fa.ma.
Çela vdiq në spital pak orë pas plagosjes
TIRANE - Fatjon Çela, personi që u plagos një javë më parë në kryeqytet prej Erjon Dudës, nuk arriti t'i mbijetonte plagëve të marra. Vetëm pak orë pasi u dërgua në Spitalin Ushtarak ai ndërroi jetë, ndërsa mjekët pohuan se shkak i vdekjes ishte një çarje e madhe që ai kishte marrë në gjoks. Tehu i thikës i kishte dëmtuar mushkërinë, duke bërë që t'i mbusheshin me gjak. Po kështu gjatë zënkës ai kishte marrë edhe plagë të tjera më të lehta, të cilat nuk kanë ndikuar në humbjen e jetës. Ndërkohë plaga kryesore në gjoks i kishte shkaktuar edhe hemorragji të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e së cilës kishte humbur një sasi të konsiderueshme gjaku. Burime mjekësore pohuan se Çela, megjithëse kishte mbërritur me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nuk kishte mundur t'i mbijetonte plagës dhe humbjes së një sasie të konsiderueshme të gjakut. Kurse dy vëllezërit Klodian e Taulant Allmuça arritën të kalonin rrezikun për jetën pasi kishin marrë plagë më të lehta, ndërkohë që edhe mjekët ndërhynë në mënyrë intensive. Po kështu policia ka pohuar se dy vëllezërit kishin marrë shumë goditje thike, por fatmirësisht asnjëra serioze për jetën. f.m.
I vetëdorëzuari sot në gjykatë për masë sigurie
TIRANE - Gjatë paradites së sotme pritet që 27-vjeçari Erjon Duda të dërgohet para gjykatësit të gatshëm në Gjykatën e Tiranës, ku do të përballet me akuzën paraprake gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Aktualisht prokuroria ka ngritur akuzën e "vrasjes me dashje" ndaj tij, por ai vetë pohon se nuk ka pasur si qëllim aspak vdekjen e viktimës Fajton Çela apo dy vëllezërve Klodian dhe Taulant Allmuça. Ende nuk dihet se cili do të jetë pretendimi i tij gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria apo gjykata. Paraprakisht mësohet se i riu është shprehur në polici se arsyeja e vetëdorëzimit ishte fakti i vdekjes së 30-vjeçarit Çela. Ky për të mos rënduar pozitën e tij në krim ka preferuar të vetëdorëzohet, duke pasur mundësi që të përballej vetë me akuzën e ngritur ndaj tij. f.m.