Hyn ne fuqi rritja e pensioneve

Të gjithë pensionistët që do të shkojnë për të tërhequr pensionin pranë qendrave paguese do ta marrin atë bashke me rritjen në masën 4% për pensionet e pleqërisë, familjare e të invaliditetit në qytet dhe në masën prej 5% për ato në fshat.
Rritja e pensioneve ka filluar që nga 1 korriku 2012, por sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho ata që ditën e hënë e kanë marrë pensionin pa rritje shtesën do të mund ta tërheqin bashkë me pensionin e muajit gusht.
Numri i përfituesve nga rritja e pensionit është 552 904 persona nga të cilët 291 893 pensione pleqërie, 50 167 pensione invaliditeti dhe 50 656 pensione familjare për qytetin.
Ndërsa për fshatin përfitojnë 160 188 pensionistë si dhe 30 900 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë.