Hyn në fuqi vendimi i Kushtetueses për dosjet e pronave
Laureta Rryçi
Hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dosjet e pronave. Vendimi i dhënë në muajin maj nga kjo Gjykatë është botuar në fletoren zyrtare të ditës së djeshme duke penguar përfundimisht kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të rishqyrtuar të gjitha ato dosje për të cilat kishin dhënë një vendim agjencitë rajonale. Ligji u ankimua nga Avokati i Popullit pas dhjetëra ankesave nga qytetarët që prekeshin nga ndryshimi në ligj që bëri qeveria “Berisha”. Gjykata pranoi kërkesën e Avokatit të Popullit, për shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën të disa neneve në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, me argumentimin se funksionet dhe përgjegjësitë e drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe rishikimi i vendimeve të ish- komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë antikushtetuese. Në argumentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se këto nene cenojnë sigurinë juridike dhe një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, atë që ka të bëjë me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës. Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë pretendonin se ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave vinte në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës, atë që i jep të drejtën ligjvënësit të ndërhyjë në liritë dhe të drejtat e njeriut për interesa të larta publike. Sipas qeverise, ndërhyrja në të drejtën e pronës vjen në proporcion me shkaqet që e kanë shkaktuar atë.
Argumentet e Kushtetueses
“Për tu shprehur në lidhje me kushtetutshmërinë e neneve 16 dhe nenit 18 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, i ndryshuar, Gjykata e sheh me vend të konsiderojë nëse kompetenca e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP për të shqyrtuar ankimet mbi vendimet e dhëna nga ish- KKKP dhe zyrat rajonale aktuale të agjencisë, si edhe për të shqyrtuar kryesisht këto vendime, është në përputhje me Kushtetutën. Për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje Gjykata e çmon të arsyeshme të evidentoje dallimin ndërmjet të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të shtetasve, të cituara në nenin 32 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo analizë bëhet akoma më e domosdoshme po të mbajmë parasysh se gjithë procesi i rregulluar nga nenet objekt kontrolli, i përket revokimit ose shfuqizimit të akteve administrative sipas nenit 121 të Kodit të Procedurave Administrative. Sipas të drejtës administrative shqiptare, për të pasur një akt administrativ i cili të shprehë vullnetin e organit administrativ nevojitet një interes i ligjshëm publik. Kërkesa e një personi para organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave synon njohjen e të drejtës së pronës mbi një send të caktuar. Kjo e drejtë e pretenduar nga subjekti para një organi shtetëror është një e drejtë subjektive dhe jo një interes i ligjshëm i tij, në kuptim të nenit 32 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo do te thotë, nga ana tjetër, se vendimet e K.K.K.P dispononin drejtpërsëdrejti mbi të drejta subjektive, të cilat janë ekskluzive të titullarëve të caktuar dhe jo të shtetasve apo publikut në tërësi siç janë interesat publikë. Ky fakt mund të konstatohet nga Gjykata pasi e drejta e një personi për tu njohur si pronar i një sendi rregullohet nga Kodi Civil, si rrjedhim Gjykata çmon se jemi jashtë fushës së veprimit të së drejtës publike e cila rregullon veprimet e organeve shtetërore në mbrojtje të interesave publikë. Për sa më sipër, vendimet e organeve administrative, që kanë pasur si kompetencë kthimin dhe kompensimin e pronave, në vite, nuk mund të konsiderohen akte administrative, në kuptimin normal juridik të termit (strictu sensu), por akte sui generis të nxjerra nga një organ sui generis, për të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka përdorur termin e ri leksikor, quasi gjykatë. Në mbështetje të konstatimit të mësipërm Gjykata ka vlerësuar faktet e mëposhtme: Gjykata çmon, mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, se në rastet kur kemi të bëjmë me të drejta subjektive, edhe pse enti shtetëror ka shprehur vullnetin e vet nëpërmjet akteve, këto të fundit nuk trajtohen dhe nuk goditen në gjykatë si akte administrative, por përkundrazi, shtetasi në gjykatë, në një gjykim të zakonshëm kërkon të drejtën e pronës duke paraqitur prova në mbështetje të kësaj të drejte. Situata paraqitet ndryshe kur një subjekt pretendon se një akt shpronësimi i cenon të drejtat e veta pasurore ose reale. Duke qenë se në këtë rast jemi para një interesi publik, subjekti kërkon mbrojtjen e interesit të vet të ligjshëm dhe për këtë qëllim kundërshton aktin publik i cili ka karakteristikat e aktit administrativ. Për pasojë, Gjykata konstaton se, shqyrtimi i të drejtës së pronësisë mbi një send mund të bëhet vetëm nga gjykata e zakonshme në përputhje me Kodin Civil. Nisur nga arsyetimet e mësipërme, Gjykata çmon të nevojshme të marrë në shqyrtim se përse kërkesa për njohjen e të drejtës se pronës mbi sendet e paluajtshme bëhej pranë KKKP dhe jo në gjykatë. Dy ishin arsyet kryesore për këtë mënyrë zgjidhjeje; së pari, organet që duhet të merreshin me kërkesat për kthimin e pronës duhet të ishin të shpërndara në territor dhe të kishin kontrollin kapilar të këtij të fundit dhe së dyti, ato duhej të ishin organe që kishin njohuri specifike për fushën duke garantuar një proces sa më të shpejtë dhe të zhdërvjellët (lexo duke shkarkuar barrën e vlerësimit të kërkesave nga gjykatat).
Nenet që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese
Neni 15 pika 1, germat c, ç, d, dh dhe
1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik, në vijim AKKP, me qendër në Tiranë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:
a) Përfundon brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohjen, kthimin e njohjen e së drejtës së kompensimit, të depozituara në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar:
i) tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi;
ii) vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, në përputhje me nenin 2 të këtij ligji, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.
Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, sipas përcaktimeve të bëra në nënndarjen “ii” më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të trajtimit të kërkesës për:
- rrëzimin e kërkesës;
- njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale, që parashikohen sipas këtij ligji.
b) Përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, si edhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të depozituara në AKKP, brenda afatit për ushtrimin e së drejtës së ankimimit.
Pas shqyrtimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- rrëzimin e ankesës dhe lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
c) Përfundon shqyrtimin e ankimeve, që gjenden të depozituara në AKKP, nga Zyra e Avokaturës së Shtetit, për vendimet e njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
Pas shqyrtimit e vlerësimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- rrëzimin e ankesës;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
ç) Përfundon shqyrtimin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të rasteve, për të cilat Drejtori i Përgjithshëm, me nismën e vet ose kryesisht, ka urdhëruar shqyrtimin e tyre. Pas vlerësimit e shqyrtimit, me nismën e vet ose kryesisht, të rastit të urdhëruar, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
d) Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
dh) Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit.
Pas vlerësimit, sipas shkronjave “d” dhe “dh”, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
i) mosfillimin të procedimit të verifikimit të ligjshmërisë;
ii) fillimin e verifikimit të ligjshmërisë së vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe apo të vendimeve të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve në rrethe a bashki për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, duke vendosur:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
e) Pranon, shqyrton dhe vlerëson kërkesat për përfitimin e së drejtës së njohur për kompensim, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në fuqi.
ë) Verifikon dhe llogarit detyrimet financiare, që i lindin shtetit për subjektet e shpronësuara ose për të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
f) Depoziton për regjistrim aktet e njohjes, të kthimit ose kompensimit të pronave dhe të të drejtave reale, të lidhura me to, në regjistrat e pasurisë së paluajtshme.
2. AKKP-ja, për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në këtë nen, bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton sanksionet për shkelje të afateve dhe mospërgjigje me përgjegjshmëri nga institucionet që kanë në administrim pronën dhe informacionin ligjor për të.
3. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në zbatim të përgjegjësive për kompensimin, shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankimeve, ndaj vendimeve për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave, shprehet me vendim.
Vendimet e dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, sipas këtij neni, duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai përbën titull ekzekutiv.
4. Ngarkohen zyrat e shërbimit përmbarimor për ekzekutimin e vendimit të përmendur në pikën 3 të këtij neni, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.
5. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të AKKP-së, procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, si dhe procedurat e afatet e komunikimit me institucionet shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Tarifat për procedurat e kthimit dhe kompensimit të pronave përcaktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.
Neni 16
Shqyrtimi i vendimit kryesisht
1. AKKP-ja përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, të kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
2. AKKP-ja mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve, të cilat, për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme.
7 Korrik 2010