E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, vritet me thikë një 24-vjeçar



ELBASAN - Një 24-vjeçar është vrarë me thikë në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, ndërsa është bërë i mundur arrestimi i autorit. Sipas tyre, shtetasi Adriatik Menallaj e ka qëlluar dy herë me thikë viktimën Vladimir Rama. Pas sinjalizimit për ngjarjen e rëndë, policia ka shkuar në vendngjarje, ku ka mësuar detajet për krimin e ndodhur. Nga hetimet paraprake mësohet se vrasja ka ndodhur pas një grindjeje të çastit mes të rinjve në një nga lokalet e qytetit të Elbasanit. Rama nuk ka mundur t’u shpëtojë goditjeve vdekjeprurëse, ndonëse është dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të qarkut të Elbasanit. Ndërkohë, ndaj të arrestuarit Menallaj pritet të rëndojë vepra penale e “vrasjes”.

Shpallet në kërkim autori i atentatit te Inxhinieria e Ndërtimit

TIRANË - Policia e kryeqytetit identifikoi autorin e plagosjes me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në një lokal pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është shpallur në kërkim shtetasi Rruzhdi Zoku pasi dyshohet se është autori i plagosjes së Roland Dokut, 24 vjeç, me banim në Tiranë. Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje është ndaluar edhe Hajredin Laçi, 36 vjeç, i cili do të ndiqet në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Pas atentatit, ku mbeti i plagosur rëndë 24-vjeçari Doku, i cili ndodhet në mjediset e Spitalit Ushtarak në Tiranë jashtë rrezikut për jetën, policia nisi verifikimet për autorin e krimit. Zoku, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, ka rezultuar se është person i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendim të datës 07 nëntor të vitit 2009, për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Zëdhënësja e Policisë së qarkut Tiranë thotë se materialet në ngarkim të këtyre dy personave pritet t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës. Ndaj shtetasit Rruzhdi Rroku pritet të rëndojë akuza e “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “trafikim i armëve dhe municioneve”.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›