E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti në Kavajë: Masa për sezonin turistik



TIRANË - Prefekti i qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, kërkoi nga autoritetet vendore dhe forcat e rendit që të merren masa për garantimin e kushteve për sezonin turistik. Gjatë një takimi me strukturat lokale të qytetit të Kavajës ai parashtroi kërkesat për disiplinimin e lëvizjes së motorëve të ujit, kontrollin e ujit të pijshëm, pijeve dhe ushqimeve, si dhe masat për eliminimin e zhurmave gjatë natës. Po ashtu, ai u bëri thirrje drejtuesve të pushtetit vendor që të pastrojnë plazhet, të ofrojnë shërbim shëndetësor gjatë 24 orëve dhe të marrin masa për qarkullimin rrugor, parkimin e mjeteve etj.
Po ashtu ai kërkoi krijimin e kushteve për funksionimin e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë dhe shpëtimit përgjatë vijës së plazhit në raste kur rrezikohet jeta e pushuesve nga mbytjet në ujë, rreziku nga zjarri dhe nga aksidente të tjera, si dhe të vendosen tabela në rrugët hyrëse të plazheve, me numrat e telefonit të Policisë së Shtetit, repartit të zjarrfikësve si dhe tabelat për zonat e rrezikshme. Gjatë ditës së djeshme, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë Kufitare raportuan bllokimin dhe sekuestrimin e dy motorëve të ujit në zonën e Spillesë dhe të Golemit për mungesë dokumentacioni.

Ndotet Gjiri i Vlorës, u shkarkuan 30 tonë solar

VLORË - Rreth 30 tonë solar janë derdhur në tokë vetëm disa metra larg ujit të detit në Gjirin e Vlorës. Gjatë shkarkimit të hidrokarbureve, një defekt ka bërë që e gjithë masa e solarit të përhapet në tokë. Rreziku i depërtimit të saj në ujërat e detit sa vjen e bëhet më i madh, ndërkohë që punëtorët e firmës që po kryenin transportin e solarit. Ata janë përpjekur të ndalojnë depërtimin në det, duke ngritur mure rëre.
Sipas banorëve të zonës, depozita është çarë në orët e vona të mbrëmjes së hënë. Solari i papërpunuar, i cili ra në kontakt me ujin e detit u ngurtësua menjëherë ndërsa ai që u derdh në tokë vijon të qëndrojë i nxehtë për një kohë të gjatë, si dhe të jetë akoma i lëngshëm. Situata vazhdon të jetë problematike pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun në tokë, përveç faktit që ujërat e Gjirit të Vlorës kërcënohen nga një ndotje masive.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›