Autostrada Rrëshen-Kalimashit, tre variantet për mirëmbajtjen
Ministria e Punëve Publike po punon për të pasur një faturë të saktë të kostos së mirëmbajtjes për rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila ka kushtuar sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Deri tani nuk ka një të dhënë të saktë, por rezultati final do të mësohet vitin tjetër. Ky dikaster po studion variantet për mirëmbajtjen e rrugës, tjetër problem ky për qeverinë shqiptare. Sipas zëvendësministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka, po shihen tri variante që bëjnë të mundur mirëmbajtjen e autostradës 60 kilometra të gjatë. Ai ka thënë se autostrada Rrëshen-Kalimash është një rrugë e projektuar dhe e ndërtuar sipas standardeve të shekullit XXI, me elementë infrastrukturorë të veçantë dhe specialë, të cilët kanë nevojë për mirëmbajtje të kujdesshme për të garantuar cilësinë dhe sigurinë maksimale. E në një kohë që debatet për këtë rrugë vijojnë, vetëm pak kohë më parë Ministri i Financave pranoi faturën e lartë të ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, duke thënë se ka prekur rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjatë një debatit në një televizion privat, ministri Ridvan Bode tha se, “deri tani rruga ka kushtuar mbi 800 milionë euro dhe se të tjera financime do të vijojnë deri në përfundim të punimeve për tunelin tjetër. Ndoshta për tunelin që ka mbetur ende në punë, do të hidhen nga buxheti edhe 30 milionë euro të tjera”. Në vitin 2006, kur qeveria miratoi projektin rrugor, ministri Bode ishte shprehur kundër, duke parashikuar koston e lartë të saj.
7 Korrik 2010