E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Hamallajt – Inspektorat, përplasja në Prokurori



Konflikti mes banorëve të Hamallajt dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar përfundon në dyert e prokurorisë. Disa banorë të zonës, të cilëve pritet t’u prishen banesat në fshatin bregdetar, kanë deklaruar se kanë bërë kallëzim në organin e akuzës, ku ata padisin edhe Policinë e qarkut të Durrësit. Ata thonë se ndaj tyre është bërë gjenocid, duke pretenduar se janë shkelur 15 nene të Kodit të Procedurës Penale. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, i cili e ka konsideruar të pakuptimtë hapin e hedhur nga fshatarët e Hamallajt, duke shtuar se kjo nuk e pengon këtë institucion për të realizuar planin.
Vetëm dy ditë më parë, kreu i Inspektoratit, Gjergj Bojaxhi, tha se do të prishen objektet pa leje në këtë zonë turistike.

Padia
Banorët e Hamallajt kanë paditur për gjenocid në Prokurorinë e Durrësit Inspektoratin Ndërtimor Kombëtar, kreun e këtij inspektorati, Gjergj Bojaxhiun, si dhe Policinë e Durrësit. Ata pretendojnë se janë shkelur 15 nene të Kodit Penal. Banorët kanë vënë në dijeni për kallëzimin edhe presidentin Topi, kryeparlamentaren Topalli dhe prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Pak momente pas depozitimit të padisë dhe konferencës për shtyp, katër prej banorëve janë shoqëruar nga efektivat e Policisë së Durrësit. Pas reagimit të dhunshëm të banorëve dhe përplasjes fizike me forcat e rendit javën e shkuar, deri tani janë arrestuar nëntë persona, të cilët akuzohen për organizim protestash të paligjshme, prishje të rendit e qetësisë publike, si dhe goditje për shkak të detyrës. Burime nga Prokuroria e Durrësit konfirmojnë se janë prerë edhe 10 fletë-arreste dhe po punohet për zbardhjen e incidentit.

Reagimi

Menjëherë pas padisë së banorëve të Hamallajt ka reaguar Inspektorati Ndërtimor Kombëtar, që e cilëson kallëzimin penal një veprim të pakuptimtë. Në njoftimin për shtyp thuhet se ky veprim e komprometon edhe më tej pozicionin e banorëve dhe se nuk krijon asnjë lloj pengese për Inspektoratin, për ekzekutimin përfundimtar të vendimeve për prishje të objekteve pa leje. “Ky kallëzim na inkurajon për vënien para përgjegjësisë penale të këtyre shtetasve, pasi, siç dihet, në Kodin Penal, neni 199/A, çdo ndërtim i paligjshëm parashikohet si vepër penale dhe përveç ndëshkimit me gjobë dhe prishjes, dënohet edhe me burgim nga një deri në pesë vjet”, - thonë burimet zyrtare të Inspektoratit.
Para pak ditësh, gjatë një operacioni të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për prishjen e rreth 100 objekteve në Hamallaj, pati një përplasje mes forcave të rendit dhe banorëve. Për pasojë, u plagosën 10 persona, ku tre prej tyre ishin punonjës të forcave speciale të RENEA-s. Policia ka arrestuar 9 veta në lidhje me këtë ngjarje dhe ndaj tyre është dhënë edhe masa e arrestit “burg pa afat” nga Gjykata e Durrësit. Burimet policore sqarojnë se po vazhdon puna për kapjen e personave të tjerë, të përfshirë në revoltën kundër forcave të rendit.

KODI PENAL - Neni 199/a

Ndërtimi i paligjshëm

Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

ORIKUM - Banorët e Orikumit u janë rikthyer protestave, duke kërkuar pronësinë e 450 hektarëve tokë të ish-ndërmarrjes bujqësore. Me pankarta në duar ata i janë drejtuar godinës se Bashkisë së qytezës, duke i bërë thirrje kreut të këtij institucioni të dalë në mbështetje të tyre. Banorët kërkojnë tapitë për tokën që kanë në përdorim prej vitesh, sipas Ligjit 7501. Ata janë kundër ligjit të miratuar në Kuvend për ndarjen e tokave në bregdet. Banorët deklarojnë se do të përshkallëzojnë protestat. Madje, javën e ardhshme kërcënojnë me bllokim të rrugës që të çon në fshatrat e bregut.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›