E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, dy viktima brenda 24 orëve



ELBASAN/LUSHNJË – Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar dy viktima nga vetëvrasjet, ku për njërin prej tyre shkas është bërë ndarja e gjatë prej emigracionit dhe kushtet e vështira ekonomike. Burimet policore raportuan se ngjarjet ndodhen në Lushnjë dhe në Elbasan.
Në Elbasan është vetëvrarë një emigrant për shkaqe ende të panjohura. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës në lagjen “Skënderbej. Fqinjët kanë parë, teksa kaluan në rrugë, 38-vjeçarin Leonard Ibrahimllari të vetëvarur në katin e dytë të banesës së tij. Mësohet se viktima sapo ishte kthyer nga Greqia për të kaluar pushimet pranë familjes në qytetin e Elbasanit. Ende nuk dihet shkaku që e shtyu 38-vjeçarin të vetëflijohet, ndërkohë që vazhdojnë hetimet nga policia. Viktima, babai i dy fëmijëve, jetonte dhe punonte prej vitesh në Selanik të Greqisë.
Por, ngjarja me emigrantin pason një tjetër të ngjashme të ndodhur këtë radhë në Lushnjë. Sipas informacioneve të fundit që vijnë nga policia, bëhet e ditur se një shtetas 19 vjeç ka vrarë veten dje rreth mesditës në Lushnjë. Policia tha se viktima e ngjarjes është shtetasi Amarildo Demiri, i cili qëlloi veten me armë zjarri pas një debati të rastit me familjarët e tij në banesë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjazë të Lushnjës dhe pak minuta pas debatit, trupi i 19-vjeçarit u gjet pa jetë nga familjarët e tij.
Vetëm tri ditë më parë, edhe një shtetas francez, punonjës në kompaninë koncesionare të prodhimit të dokumenteve biometrike në Tiranë, u hodh nga kati i dhjetë pasi mori vesh për sëmundjen e pashërueshme që kishte.

Arrestohet kryeplaku, deklaroi se në fshat nuk ka Cannabis

PUKË – Preng Vukaj është një nga kryepleqtë që e ka provuar me pranga detyrimin ligjor që u kërkon autoriteteve vendore për të informuar policinë në rastet e kultivimit të lëndës narkotike. Ai është arrestuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Kçirë të rrethit të Pikës. Gjatë një operacioni në komunën e Qerretit, policia gjeti në vendin e quajtur lagja “Vnezë” të fshatit Kçirë, 6 parcela të mbjella, me 340 rrënjë bimë me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis Sattivas, të cilat u shkulën dhe u asgjësuan. “Kryeplaku i këtij fshati, shtetasi Preng Vukaj, u mor nën hetim për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, pasi kishte bërë deklarim si kryeplak i fshatit se nuk është kultivuar lëndë narkotike në zonën e tij”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së qarkut Shkodrës. Sipas ligjit, drejtuesit vendorë, përfshirë edhe kryepleqtë, kanë detyrim ligjor për të denoncuar dhe informuar policinë në rastet kur kultivohet lëndë narkotike në zonat që kanë nën administrim. Ky ligj është kundërshtuar ashpër nga ekspertët ligjor pasi në të përcaktohen edhe penalizime.

Arrestohet 28-vjeçari, iu gjetën 5 kg marijuanë

GJIROKASTËR - Sektori Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër arrestoi një shtetas për “trafik të lëndëve narkotike” dhe sekuestroi 100 euro dhe një celular. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:00, agjentët antidrogë bënë një kontroll në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër, në një banesë të improvizuar për hotel në katin e parë të një pallati, u arrestua shtetasi Roland Tosuni. Droga u gjet në ndërtesën në pronësi të shtetasit A. T., i cili është ndaluar bashkë me poseduesin e lëndës narkotike. Gjatë kontrollit u gjet një çantë, e cila kishte 5 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban. Policia bëri të ditur se u arrestua shtetasi Roland Tosuni, 28 vjeç, lindur dhe banues në Libohovë të rrethit Gjirokastër. Ky shtetas do ta tregtonte lëndën narkotike në rrethe të tjera si Fier apo Tiranë.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›