E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi vendimi, kriteret për distancat midis pallateve

29/08/2011  Forma e re e dhënies së lejeve të ndërtimit, zhvillimi i objekteve, institucionet që do ti miratojnë

Ndërtimet e reja duhet të bazohen mbi kriteret e reja të përcaktuara nga qeveria. Një rregullore e re i ka kushtuar rëndësinë e duhur hapësirës ndërmjet objekteve në varësi të tipit dhe rëndësisë që kanë, si dhe formës së re të dhënies së lejeve të ndërtimit, zhvillimin e objekteve, institucionet që do ti miratojnë dhe kontrollojnë. Vendimi i fundit i qeverisë ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe shoqëron ligjin "Për planifikimin e territorit", i cili parashikohet të nisë zbatimin më 15 shtator. Kjo rregullore përcakton rregullat model dhe kushtet e zhvillimit të tokës ose të strukturave në të, rastet e zbatimit të saj, si dhe hapat që ndiqen nga autoritetet e planifikimit për të orientuar zhvilluesit në procesin e zhvillimit në mungesë të instrumenteve vendore të planifikimit.

Përcaktimet

Katër janë përcaktimet bazë të hapësirave, orientimi dhe pamja nga dielli, gjendja e strukturave kufitare, respektimi i kërkesave higjieno-sanitare dhe respektimi i kërkesave mjedisore. Ndërtuesit duhet kenë parasysh faktin se pozicioni i objektit duhet të jetë në atë mënyrë që të ketë pamje nga dielli, për të paktën tri orë në ditë, në periudhën 22 mars - 22 shtator. “Orientimi bëhet drejt jugut në kufijtë deri 40 gradë të tij, sipas rastit duke preferuar drejtimin gjatësor të strukturës”, - thuhet në pikën 3 e nenit 40 të vendimit. Distanca minimale për faqet pa dritare dhe pa çarje fasade të çdo lloji tjetër, të cilat ndodhen përballë njëra-tjetrës, duhet të jetë 4 metra. Në rast se zgjidhja arkitektonike është e tillë që ndërtesat janë në bashkim të plotë në këto dy faqe, atëherë ndërtuesi duhet të ofrojë të gjitha zgjidhjet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri dhe duhet të sigurojë nënkalime më përmasa minimale prej 4 metra gjerësi dhe 6 metra lartësi.

Zonat që ndërtohen rishtazi

Në zonat që ndërtohen rishtazi, në përputhje me përcaktimin e tyre si zona të sistemit të urbanizueshëm, ose zona të sistemit urban ku do të ndodhë rizhvillim, distanca minimale midis ndërtesave është e barabartë me lartësinë e ndërtesës më të lartë. Distanca minimale midis faqes së një strukture dhe kufirit të pronës parcelë ku është vendosur kjo strukturë është 4 metra. Në rast se parcela minimale e nën njësisë strukturore, sipas instrumentit të përgjithshëm të planifikimit, është 600 m2 ose më shumë, distanca minimale e strukturës nga kufiri i pronës, sipas kësaj pike, duhet të jetë 5 m, thuhet në pikën 12 të nenit 40, për hapësirën e objekteve. Vendimi u kushton rëndësi edhe njësive publike, si çerdhet, kopshtet, shkollat dhe objektet shëndetësore, të cilat duhet të jenë në drejtimin e Jugut, jo më pak se 1,5 herë e lartësisë së përgjithshme të ndërtesës më të lartë të shprehur në metra, dhe në çdo rast jo më pak se 10 m. Gjithashtu, distanca nga rruga, konsiderohet tepër e rëndësishme nga autoritetet për garantimin e sigurisë. Me vendimin e fundit janë parashikuar hapësira deri në 15 m, si për rrugët, ashtu dhe për trenat. Distancat varen nga gjerësia e rrugës, që në rastin konkret parashikohet: për gjerësi rruge, me ose pa trotuare, më të vogël se 7 m, distanca minimale është 5 m; për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, 7 deri në 15 m, distanca minimale është 7.5 m; dhe për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, më të madhe se 15 m, distanca minimale është 10 m.

Rregullat për ndërtimin

Një zhvillim i kërkuar sipas kësaj rregulloreje, nuk kryhet në zona subjekt i mbushjes urbane, sipërfaqja bruto e mbetur e pazhvilluar e së cilës është në vlerën 20% ose më e lartë dhe intensiteti ekzistues i ndërtimit, i matur për pjesën e zhvilluar është në vlerën 2.5 ose më i lartë. Sipërfaqja, e zhvilluar dhe e pazhvilluar matet si shumatore e parcelave në pronësi private dhe nuk përfshin rrugët, sheshet publike ekzistuese dhe hapësira të tjera të shfrytëzuara për shërbime publike. Infrastruktura e nevojshme që mundëson funksionimin e një zhvillimi të ri dhe e lidh zhvillimin e ri me rrjetet ekzistuese të infrastrukturave, realizohet nga zhvilluesi dhe leja e përdorimit jepet vetëm, pasi kjo infrastrukturë regjistrohet në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme. Çdo zhvillim i miratuar në bazë të kësaj rregulloreje, zbaton kushtet, rregullat dhe normat e detyrueshme të përcaktuara në Rregulloren Kombëtare të Planifikimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›