E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria “përvëlohet” nga zjarret, digjen qindra hektarë

29/08/2011  Situata e plotë e vatrave të ditës së djeshme në zonat më të rrezikuara

Disa zjarre të fuqishme kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe kullotash në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, pavarësisht se nuk është shënuar asnjë viktimë.

Pukë

Ekonomitë pyjore në rrethin e Pukës vazhdojnë të dëmtohen rëndë nga zjarre të fuqishme. Ditën e diel janë rikthyer sërish flakët në pyjet e këtij rrethi dhe konkretisht në ato të fshatit Zath dhe Kulumri ku sipërfaqe të tëra pyjesh me pisha janë shkrumbuar nga zjarri. Njëkohësisht, në këtë zonë, flakët po rrezikojnë seriozisht disa banesa, ndërsa janë bërë pengesë dhe për qarkullimin e automjeteve në rrugën nacionale Qafë Mali –Bajram Curri. Burimet shprehen se, duke qenë një situatë kritike shtabi i emergjencave pranë nënprefekturës së Pukës ka urdhëruar evakuimin e banorëve që banojnë pranë vatrave të zjarrit në fshatrat Zath e Kulumri. Janë mbi dhjetë banesa që rrezikohen seriozisht nga flakët, të cilat kanë përparuar me shpejtësi nga majat e maleve në drejtim të zonave të banuara. Vatrat e zjarrit janë përhapur me shpejtësi pasi pyjet janë me pisha, era është e fortë dhe temperaturat janë ende shumë të larta. Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjetet zjarrfikëse që janë në dispozicion të këtij rrethi. Forcat zjarrfikëse kanë punuar së bashku me banorët për shuarjen e zjarreve të paktën në pjesët që po u afrohen banesave, pasi në thellësi e kanë të pamundur të ndërhyjnë. Njëkohësisht zjarrfikësit e Pukës kanë ndihmuar për evakuimin e banorëve të rrezikuar, kryesisht fëmijë dhe të moshuar. Ndërkohë flakët që kanë shkrumbuar pyjet me pisha të fshatit Zath të Pukës kanë mbërritur deri rrëzë rrugës nacionale Qafë Mali –Bajram Curri dhe rreth 100 metra larg banesave. Rruga nacionale në fjalë është bllokuar përkohësisht, pasi shkurret buzë rrugës janë kapur flakë, ndërsa tymi ka vështirësuar së tepërmi pamjen për drejtuesit e automjeteve. Burimet nga PMNZZH bëjnë të ditur se është kërkuar ndërhyrje nga ajri, pasi situata është tepër kritike.

Lurë

Deri dje pasdite vazhdonin të ishin tepër aktive vatrat e zjarrit në pyjet e Lurës. Burime nga vendngjarja thonë se flakët e zjarrit kërcënuan dje edhe Parkun Kombëtar të Lurës. Flakët e zjarrit prej tre ditësh kanë shkatërruar një masiv prej më shumë se 50 ha kryesisht me pisha dhe drurë halorë. Forca të shumta ushtrie dhe zjarrfikës nga Burreli, Bulqiza dhe Dibra po luftojnë me flakët, të cilat janë mjaft të vështira për t’u shuar kjo për shkak të terrenit tepër të thyer malor. Në ndihmë të tyre ka ardhur edhe një avion, por edhe ndërhyrja e tij nuk e ka normalizuar situatën.

Gramsh, Elbasan, Librazhd

Flakët e zjarrit ende nuk janë shuar në masivin pyjor të "Teqes së Dushkut ", në vendin e quajtur "Kroi i Bardhë " në rrethin e Gramshit. Zjarri, i cili ka katër ditë që ka rënë, ka djegur disa hektarë pisha dhe ferra, ndërkohë që burime zyrtare nga emergjencat civile pranë prefekturës së Elbasanit bëjnë të ditur se është izoluar në maksimum përhapja e flakëve, por situata mbetet ende problematike. Për shuarjen e zjarrit po punojnë forcat e shërbimit pyjor të Gramshit dhe vetë komuniteti i zonës, si dhe forcat e shërbimit zjarrfikës dhe ato të ushtrisë, ndërsa mësohet se flakët e zjarrit janë lokalizuar dhe janë drejt shuarjes. Mësohet se gjatë paradites të së dielës një vatër e fuqishme zjarri u shfaq në një masiv me shkurre pranë varrezave të qytetit të Elbasanit, flakë që rrezikuan jo vetëm varrezat, por dhe disa banesa. Ndërhyrja në kohë nga ana e shërbimit zjarrfikës shmangu pasojat e mundshme të këtij zjarri. Vatra të reja zjarri janë raportuar gjithashtu nga nënprefekturat e Librazhdit e Peqinit, por pa pasoja të rënda. Vatra të izoluara në këtë rreth janë shënuar në Kërrabe, Gjegjan dhe Iballë. Zjarrfikëset janë angazhuar veçanërisht në mbrojtje të transmetuesve televizivë.

Krujë

Disa vatra zjarri kanë shpërthyer në zonën e pyllëzuar me pisha në Krujë dhe Fushë Krujë. Zjarrfikësit kanë verifikuar 6 vatra zjarri që kanë nisur në të njëjtën kohë dhe flakët me shpejtësi janë përhapur në drejtim të zonës malore të Krastës. Zjarri i është afruar edhe depove të dinamitit që ndodhen në zonë, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka ndalur avancimin. Pesë mjete zjarrfikëse u përdorën për të shuar zjarret. Drejtuesit e reparteve zjarrfikëse thonë se janë të paktën 50 hektarë të djegur. “Sipërfaqja është shumë e madhe, zjarrvënia është e qëllimshme dhe shpresojmë që policia e shtetit dhe ajo kriminale të arrestojnë këtë zjarrvënës”, është shprehur Dilaver Laçi, Drejtor i përgjithshëm i Zjarrfikësve.

Berat

Zjarret e rëna ditët e fundit në të gjithë qarkun e Beratit në kullota, kodra me pisha dhe plantacione me ullinj kanë bërë që organi blu në këtë qytet në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Pyjores të intensifikojë hetimet për të zbuluar motivet e rënies së këtyre zjarreve dhe vënë përpara përgjegjësisë autorët për ato raste kur zjarret janë vënë me dashje. Kështu sipas burimeve të policisë së qarkut të Beratit mbrëmjen e djeshme është bërë ndalimi i Novruz Merkaj, 67 vjeç, banues në fshatin Velabisht. Ndalimi i 67-vjeçarit mësohet se është bërë pasi rezulton të jetë autor i djegies së një plantacioni me ullinj në fshatin e tij. 67-vjeçari mësohet se është ndaluar duke i vënë zjarrin rreth 100 rrënjëve të ullinjve në vendin e quajtur "Lolot", në fshatin Velabisht, pronë e shtetasit K. Ç, ku si rezultat u dogj gjithë plantacioni me ullinj me një vlerë prej një milion lekësh. Po dje mësohet se ka nisur procedimi penal ndaj Zeqir Kapllani, lindur dhe banues në fshatin Dobrushë në rrethin e Skraparit. Ky person tashmë është shpallur në kërkim dhe rezulton të jetë autor i djegies së një sipërfaqe prej 10 hektarë kullotë në afërsi të fshatit Dobrushë. Dhjetëra raste zjarresh janë regjistruar gjatë ditëve të fundit në të gjithë qarkun e Beratit ku hektarë të tëra me kullota, kodra me pisha dhe plantacione me ullinj janë shkrumbuar nga zjarret. Ndërkohë që po punohet për të mësuar shkaqet e rënies së këtyre zjarreve, ende rasti i zjarrit të rënë në fshatin Lapardha, ku u shkrumbuan 2500 rrënjë me ullinj, nuk ka autorë të vënë përpara përgjegjësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›