E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në restaurim shpata e Sulltan Bajazitit II

Objekti i artit islamik, shpatë beteje e tipit damaskin, bart historinë me emrin e një Sulltani, i lidhur drejtpërdrejt me historinë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, në fund të shek. XV, fillim i shek. XVI.


Lajmin e bëri të ditur personi që është ngarkuar me kryerjen e këtij procesi, Frederik Stamati, i cili është njëherësh njeriu që ra në gjurmët e zbulimit të kësaj shpate, e identifikuar në tetor 2004. "Është përgatitur dokumentacioni zyrtar dhe është miratuar grupi i punës. Do të fillohet me analizimin e gjendjes së shpatës në disa aspekte: optik, strukturë dhe përbërje kimike.


Të gjitha analizat do të jenë jo destruktive, pra gjithçka do të kryhet nëpërmjet metodave që japin të dhëna pa dëmtuar objektin", - tha dje Stamati. "Studimi do të kryhet si një bashkëpunim midis Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë të QSA-së, Qendrës së Fizikës Bërthamore të Aplikuar dhe Katedrës së Fizikës të Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Së bashku me rrugën e propozuar të restaurimit, do t'i paraqitet për shqyrtim Komisionit të Restaurimit, i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Mbas miratimit të projektit do të realizohet ndërhyrja. Mendohet që puna të zgjasë rreth një muaj. Për arsye sigurie, punimet do të kryhen në mjediset e fondit etnografik dhe jo në laborator.


Tashmë, pajisjet laboratorike janë transferuar".


Përfundon me kaq informacioni i Stamatit, shef i të vetmit Laborator Restaurimi të Trashëgimisë në vend. Ai do të drejtojë punimet mbi këtë objekt, i cili ndodhet në ruajtje në fondin etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Stamati vazhdon kështu iniciativën e projektit të deskriptimit të mbishkrimeve në shpata.
Mbishkrimi i shpatës në fjalë u transkriptua 5 vjet më parë nga Profesor Frederik de Jong.

Studiuesi i osmanishtes, profesor i Universitetit të Utrecht-it në Hollandë, e transkriptoi këtë mbishkrim osman në shpatën 400-vjeçare, e cila rezultoi të ishte më e vjetra nga 40 shpatat e fondit etnografik që ai studioi gjatë një jave në Tiranë, më 2004-ën.


Ai pati deklaruar se kjo shpatë i është dhuruar Sulltan Bajazitit II: "Dhuruar Madhërisë së tij, Sulltanit të Lartë, Bajazit Han, djalit të Sulltan Mehmet Han, i biri i Sulltan Muratit", është shënimi në osmanishte mbi tehun e shpatës së shek. XV-XVI, pronë e ish-Institutit të Kulturës Popullore.


Veç këtij mbishkrimi, që na informon se kjo shpatë i është dhuruar Sulltan Bajazitit II, ajo nuk përmban asnjë të dhënë tjetër, datë apo vend prodhimi që zakonisht shpatat e kanë.


Doreza është e dekoruar me filigram argjendi, karakteristikë kjo për veriun e Shqipërisë. Nuk është shpatë e plotë, sepse këllëfi dhe doreza prej briri e thyer në të dyja anët, janë të një periudhe më të vonë se tehu. Të tria u përkasin kohëve dhe vendeve të ndryshme.


Për shpatën e betejës të tipit damasik, prof.


De Jong kishte përjashtuar mundësinë e prodhimit në ndonjë nga provincat e Perandorisë Osmane, veçse në ndonjë nga qendrat e saj të mëdha, si Stambolli apo Bursa. Kjo për shkak të cilësisë së lartë të çelikut, kaligrafisë fine, në ar, me reliev. Këllëfi i saj, me pjesë metalike dhe lëkure, i lyer në bojë të zezë, i përket shek. XIX.


Sulltan Bajaziti II ka udhëhequr forcat otomane në fushatat në Shqipëri. Pas vdekjes së Sulltan Mehmetit II, në krye të perandorisë vjen një nga dy djemtë e tij, Bajaziti II, i vlerësuar si "figurë qendrore për stabilitetin që vendosi në Perandorinë Osmane".


Ishte në krye të fushatës kundër kryengritjeve të himariotëve, ashtu si sulltanët e kishin zakon të ishin në krye të betejave, pra më 1481-shin dhe 1492-shin, si dhe në pushtimin e Durrësit, më 1506-ën. Vetë Mehmeti II, në pranverë të vitit 1478, marshoi me trupat e tij drejt Krujës dhe synonte Shkodrën.


Gjatë gushtit të vitit 1481, në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës.

Inventar


Shpata mban numrin e inventarit 841, në Fondin e ish-Institutit të Kulturës Popullore. Është në gjendje të mirë, edhe pse nuk është restauruar. Shpata u gjend në Institutin Shkencor në vitet '46-'47. Më pas, fondi ku ajo bënte pjesë, kaloi në varësi të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, për të ardhur tek ai i Kulturës Popullore, ku ndodhet sot e kësaj dite. Historia e origjinës së saj nuk dihet.


Diçiturë:


Një shpatë damaskine përpara restaurimit, nga të dyja anët, që do të futet shumë shpejt në procesin e restaurimit.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›