Krujë, eksploziv fabrikës së çimentos
Rreth 400 gram tritol që janë vendosur në vendin ku qëndronte roja kanë shkaktuar vetëm dëme materiale
KRUJË- Një sasi eksplozivi ka tronditur në orët e para të mëngjesit të djeshëm zonën e Borizanës në Krujë. Rreth 400 gram tritol janë vendosur në fabrikën e re të çimentos që po ngrihet në këtë zonë edhe pse e kundërshtuar fuqimisht nga banorët.
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se shpërthimi ka ndodhur në orën 02. 30 të mëngjesit dhe ka shkatërruar ambientet e vendit ku qëndronte roja. Fatmirësisht vetë roja në atë moment nuk ndodhej në vendin e tij por kishte dalë për inspektim.
Sipas policisë, persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lënde eksplozive në fabrikë. Nuk ka pasur dëmtime në njerëz por vetëm dëme të vogla materiale. Ekspertët kanë thënë se sasia e tritolit mund te ketë qenë deri në 400 gram.
Ky është rasti i dyte që vendoset eksploziv në këtë fabrikë, gjë që përbën një panik të përhershëm për banorët pasi kanë frikë se po te vendosen sasi më të mëdha mund të dëmtohen edhe ata vetë.
Burime të policisë së Krujës bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje rojet e fabrikës, të cilët janë shprehur se nuk kanë vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë. Ndërkohë që policia po heton në disa pista, ku më të mundshmet janë personat e shumtë që janë kundër ndërtimit të fabrikës në atë vend. Pista e dytë ka të bëjë me pakënaqësitë që mund të ketë ndonjë nga ish-punonjësit.
Të njëjtat burime saktësojnë se deri tani nuk ka asnjë person të shoqëruar apo arrestuar nga ana e policisë së Krujës. Ky është rasti i dytë që i vendoset eksploziv fabrikës së re të Borizanës në Krujë.
Ndërkohë që para disa javësh janë bërë protesta të banorëve, të cilët janë ankuar se ajo po shkatërron jetën e tyre dhe banesat me eksplozivin që përdoret. Ata janë përballur me pronarët duke kërkuar që të mos i lënë që të hyjnë në fabrikën e re. Protesta është ndërprerë vetëm pas ndërhyrjes së policisë, e cila ka shoqëruar në komisariat disa prej banorëve.