Çapaliku rreket për traditën e Shkodrës
Dramaturgu Stefan Çapaliku, ndër të pakët njerëzit aktivë të teatrit në kryeqytet, në kontrovers me traditën, i kthehet herë pas herë qytetit të tij, Shkodrës. Jashtë kufijve të Tiranës, kur çdo gjë shihet si provinciale, ku çdo përpjekje për të bërë teatër shihet e izoluar, Çapalikun nuk e tremb. Sepse ky qytet e kërkon herë pas herë ta ngacmojë kujtesën e traditës së hershme, qoftë për kinemanë, dhe teatrin - dikur kujtojmë se ky qytet i kryente kësi veprimtarish në oborret e shtëpive. Ky rikthim i Çapalikut, pas një shfaqje relativisht të mirëpritur në gjithë hapësirën shqiptare, pra “Allegreto Albania”, në Shkodër, po përgatit shfaqjen e komedisë së përgjakshme “Shën Gjon Kryepremi” me tekst dhe regji nga e njëjta dorë si dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Rikard Ljarjes, në rolin kryesor. Do jetë evenimenti kryesor kulturor i qytetit të Shkodrës për këtë fillim viti realizimi i këtij produksioni të madh teatror si për nga rëndësia ashtu dhe përmasat. Ajo është e para vepër skenike shqiptare që i kushtohet epokës së komunizmit dhe dramës së tij njerëzore. Me skenografi nga Zef Paci, kostume nga Belinda Maçi dhe koncertmaestër Marjan Deda në këtë produksion do interpretojnë: Zyliha Miloti (Agetina ose e shoqja e Gjonit), Agron Dizdari (Patër Andrea), Frederik Fistani (Shoku Miltiadh ose operativi i lagjes), Enver Hyseni (Hilmiu ose kasapi), Merita Smaja (Sadetja ose shitësja e bukës), Rita Gjeka (Anunciata ose një e ve italiane), Ina Gjonci (Ardita ose revolucionarja), Marjan Deda (Arbeni ose revolucionari), Jozef Shiroka (Leci ose djali i shtëpisë, ushtar), Gjon Kola (Ejlli, katundar), Rajmonda Marku (Mrija ose e shoqja e Ejllit). Ngjarjet janë vendosur në një shtëpi qytetase me 29 Gusht të vitit 1968. Është koha e revolucionit kulturor. Ka filluar shkatërrimi i kishave dhe xhamive. Në shtëpinë e Gjonit arrin nga jashtë televizori i parë në qytet. Ardhja e televizorit koinçidon me ditën e Shën Gjon Kryepremit apo ditën e emrit të të zotit të shtëpisë. Ardhja e televizorit nuk mbetet pa rënë në sy të banorëve të mëhallës, të cilët vijnë dhe mbushin shtëpinë e Gjonit. Nis përpjekja për të vënë në punë këtë aparat të çuditshëm, me anë të cilit mund të çahet izolimi komunist. Përgjatë veprimit skenik kemi edhe risemantizimin e televizionit si një media që merr mbi sipër të gjithë vëmendjen dhe besimin e njerëzve. Ndërkohë, pra, që jashtë po shkatërrohen religjionet e vjetra, Brenda po lind një i ri: televizioni. Sfondi biblik shërben për të krijuar asosiacion midis fatit tragjik të Gjon Pagzorit dhe Gjonit tonë, të zotit të shtëpisë. Kjo është vepra më e re e Stefan Çapalikut, i cili ka bashkëpunimin e dytë edhe si regjisor me Teatrin Migjenit pas dramës “Putargat e thata” të vitit 2008. Premiera e “Shën Gjon Kryepremit” do jetë ditën e premte, më datë 24 prill 2009, ora 19:00 në Shkodër. Shfaqja do vazhdojë edhe në ditët në vijim.