Kokaina në trup për të shmangur kontrollin
Trafiku i drogës
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy të pandehurve korçarë, Asqeri Bebri dhe Artion Sula të cilët tentuan të kalojnë nga Shqipëria në Greqi 600 gram kokainë.
Sipas kërkesës për gjykim që tashmë ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të Gjykatës së Krimeve të Rënda, mësohet se droga e sekuestruar mesditën e 10 dhjetorit të vitit 2008, është zbuluar nga qeni i anti-drogës që kontrollon me anë të nuhatjes çantat e udhëtarëve nga Shqipëria në Greqi.
"Droga e gjetur dhe e sekuestruar ishte fshehur në trupin e të riut Artion Sula, i cili e kishte mbështjellë me një qese najloni drogën në trup.
Me ndihmën e natribanit mbi qese 24 vjeçari Sula kishte mundur të fshehë 8 qeset e vogla të mbushura me 600 gramë kokainë,- thuhet nga burimet zyrtare.
Zbulimi i drogës së fshehur në trup, sipas kërkesës për gjykim, është bërë në momentin qe qeni i kufirit i specializuar në nuhatjen e lëndëve narkotike ka kaluar rreth trupit të të riut Sula.
Pas sinjalit të qenit, efektivët e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës kanë ushtruar kontroll në trupin e 24 vjeçarit dhe kanë zbuluar 8 qeset e drogës të mbështjella në trup.
"Me zbulimin dhe sekuestrimin e kësaj sasie lëndë narkotike, policia ka sekuestruar dhe këqyrur aparatin celular që i pandehuri Artion Sula kishte me vete.
Nga këqyrja dhe kontrolli i telefonit dhe nga verifikimi i numrave me të cilët kishte biseduar 24- vjeçari ka rezultuar se personi që ia kishte dhënë drogën për ta transportuar në drejtim të Greqisë ishte shtetasi Asqeri Bebri, i cili është arrestuar menjëherë me urdhër të prokurorisë",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas saj, arrestimi i Bebrit është bërë vetëm disa metra larg autobusit të ndaluar ku është arrestuar Artion Sula.
"I pandehuri Asqeri Bebri, pasi ia kishte dorëzuar sasinë e drogës prej 600 gramësh kokainë të riut Sula në Korçë është nisur me makinën e tij të tipit "Benz" me targë KO 4654 B, duke ndjekur autobusin që po shkonte në drejtim të shtetit fqinj,- thanë burimet e prokurorisë.
Pas arrestimit të Sulës dhe verifikimet e kryera ka rezultuar se Bebri ishte pronari i drogës dhe është urdhëruar arrestimi i tij. Sipas kërkesës për gjykim, Asqeri Bebri, 40 vjeç, nga Korça është pronari i 600 gramëve kokainë.
Kundrejt pagesës emigranti Artion Sula 24 vjeç kishte pranuar ta transportonte nga Korça në drejtim të Selanikut të Greqisë.
Mësohet se dy korçaret Bebri e Sula, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të përgjigjen para togave të zeza për kryerjen e veprës penale të "trafikut të lëndëve narkotike" të mbetur në tentativë në bashkëpunim.
Gjithashtu, mësohet se institucioni i akuzës, ka veçuar aktet hetimore edhe për persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të këtij rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi nëpërmjet rrugëve tokësore të linjave të autobusit.
Ndërkohë, po atë ditë, është ndaluar edhe një vajzë shqiptare me inicialet N.K. studente e vitit të parë të Mjekësisë në Universitetin e Selanikut në Greqi.
Pas hetimit të kryer ajo është liruar, pasi sipas hetimit kishte rezultuar se nuk ishte e përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.