E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati & Gjirokastra, peng të pronave



Gjendja e Gjirokastrës dhe Beratit në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës

Dy qytetet shqiptare, Gjirokastra në vitin 2005 e tre vjet më pas Berati, janë pranuar nga UNESCO, “Pasuri e trashëgimisë kulturore botërore”, e aktualisht po përballen me sfidat e ringritjes dhe të konkurrencës turistike. Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Vangjel Muço, thotë: "Kemi projektin e parë atë për hartimin e planit të rikuperimit të zonës muzeale e historike, dhe projekti i dytë, ai për riskun sizmik të ndërtimeve në këtë zonë historike". Për Beratin, Ministria e Turizmit e Kulturës ka akorduar fondin prej 2 milionë USD, ndërkohë që janë duke u realizuar edhe disa projekte të përbashkëta me partnerë italianë.

Olsi Lafe është drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit e Kulturës. Ai thotë se për Beratin ka një plan strategjik restaurimesh dhe investimesh në infrastrukturën turistike. "Ne e dimë të gjithë se sa e vështirë është të ruajmë vlera të tilla shekullore. Prandaj po punojmë me intensitet për këtë gjë". Por pavarësisht punëve të kryera deri tani, nuk mungojnë zërat kritikë për mungesë vizioni, projektesh e menaxhim të situatave. Vladimir Qirjaqi, është specialist e arkeolog. Ai sqaron se "ne nuk duhet të presim nga UNESCO dhe nga ai faktor që kemi pritur shumë atë që kemi në mendje. Në këtë drejtim mendoj se jemi defektozë në menaxhimin e situatës". Të dy qytetet, Gjirokastra e Berati kanë probleme të mëdha të pronësisë, sidomos me ngrehinat monument kulture. Ende ligji shqiptar i trashëgimisë kulturore nuk përcakton detyrimet se çfarë bëhet me grupin e pronarëve që nuk i dalin zot monumentit, kur ata janë të larguar, kur monumenti shembet etj. Sadi Petrela, drejtor i Fondacionit “Pachart” që operon në këto qytete me projekte të trashëgimisë thotë: "Nuk është e pamundur që të bëhet, por duhet një vullnet i bashkuar i pronarëve, një ndërhyrje e fuqishme e shtetit, ndoshta modifikim, ndryshim në legjislacion ose le të themi riaktivizim i legjislacionit të vjetër". Një nga sfidat më të rëndësishme në Gjirokastër është ndalja e rrënimit të rreth 23 monumente të kategorisë së parë nga 58 gjithsej, dhe të dhjetëra të tjerave të kategorisë së dytë në mbi 500 që ka qyteti. Procesi i restaurimit ka mjeshtëri, teknika e kosto të lartë, por ai do kryer për të mbajtur në këmbë këtë trashëgimi të vyer të identitetit kombëtar. Adil Kore, mjeshtër guri e ndërtimi thotë: "Në çatitë më të larta, kur je në dërrasë të bardhë, sikur je në ski, në majë të malit, në dëborë. Çatitë gjirokastrite janë shumë të ndërlikuara, kanë shumë përforcime brenda. P.sh. Shtëpia e Babametos, unë e kam punuar, që nesër çatmatë të prishen të tëra, çatia të mos dëmtohet. 700, 800 trarë në çati".

Sfidat e ringritjes, të dy qytetet shqiptare në UNESCO i shohin të lidhura me zhvillimin e turizmit. Për këtë janë ndërgjegjësuar shoqëria civile, biznesi e pushteti vendor. Drejtuesja e rrjetit të shoqatave joqeveritare, Silva Kekezi, thotë se "pika kyçe ku gjithë zhvillimi i qytetit duhet të mbështetet është trashëgimia kulturore, është promovimi kësaj trashëgimie, është investimi e zhvillimi për turizmin gjirokastrit". Gjirokastra dhe Berati e kanë përcaktuar tashmë drejt rrugën e tyre, si dy prej destinacioneve më të rëndësishme turistike shqiptare, destinacionet më të rëndësishme të qytetërimit e identitetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›