E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyrja në NATO ishte pozitive dhe për gjithë rajonin

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje se "aplikimi për statusin e vendit kandidat është pjesë normale e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE". Bregu shprehu sigurinë në këtë drejtim, pasi "një pjesë të hapave më të guximshëm tashmë i kemi marrë, përfshirë këtu reformat kryesore, të cilat janë të nevojshme për të afruar Shqipërinë me BE". Ajo përmendi si një hap të guximshëm dialogun me qytetarët shqiptarë. "Pra komunikim dhe shpjegim për të kuptuar më mirë, për të pasur gjatë gjithë kohës mendjen dhe opinionin e qytetarëve për hapat dhe procesin e anëtarësimit në BE", sqaroi ministrja Bregu. Në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin Lohan, në kuadër të çeljes së "Javës Evropiane" në Shqipëri, znj. Bregu u ndal në plotësimin e detyrave kryesore për sa i përket kriterit politik, ekonomik dhe standardeve evropiane. "Sikurse e dini, legjislacioni shqiptar përafrohet gradualisht me atë komunitar", tha ajo, duke shtuar se "për sa i përket kriterit politik, mund t‘ju themi se legjislacioni tashmë është përafruar në 80 për qind, ndërkohë që për sa i përket plotësimit të kriterit ekonomik, 65 për qind e legjislacionit të brendshëm është përafruar, ndërsa në plotësimin e standardeve evropiane, rreth 70 për qind e legjislacionit komunitar është arritur tashmë, pra është përafruar legjislacioni shqiptar me atë komunitar".

Basha

Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, cilësoi dje se marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe shpallja e Kosovës si një shtet i pavarur janë padiskutim zhvillimet më të rëndësishme në Evropën Juglindore, impakti i të cilave i kalon kufijtë rajonalë. pranishëm në konferencën ‘Young Atlantik Political Leader‘, që po zhvillohet në hotel "Tirana International", ministri Basha nënvizoi se "Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në drejtim të reformave të saj integruese".

Ai veçoi hartimin e kornizave përkatëse ligjore në përshtatje me nevojat e integrimit, si dhe ndërmarrjen e reformave strukturore, duke u përqendruar kryesisht në privatizimin transparent dhe të drejtë të aseteve kryesore kombëtare, si dhe në krijimin e mekanizmave eficente në zbatimin e ligjeve dhe rendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›