Lohan: Ndryshimet afrojnë standardet
Përfaqësuesi diplomatik i Bashkimit Evropian në Tiranë ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Brukselit, i cili ka dhënë aprovimin total për ndryshimet kushtetuese që ndërmori Parlamenti shqiptar, me marrëveshjen e dy partive të mëdha, e cila ngjalli një revoltë të forcave politike më të vogla. Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, ka bërë me dije se BE ka miratuar thelbin e ndryshimeve, që në fakt është dhe kushti themelor i Brukselit, i cili kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Duke komentuar pikërisht këto ndryshime, diplomati gjerman që përfaqëson BE-në deklaroi se "ndryshimet që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë janë amendime që u hapin rrugë zgjedhjeve të vitit 2009". Duke theksuar se në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera demokratike të botës ka një sërë mundësish për sa u përket sistemeve zgjedhore, Lohan theksoi se "Shqipëria, me anën e një mazhorance të madhe në Parlament, ka bërë të mundur zgjedhjen e njërit prej këtyre sistemeve zgjedhore, të cilën mendon se është sistemi më i duhur për t‘u praktikuar në Shqipëri". Ambasadori Lohan u ndal dhe në përmbushjen e standardeve për krijimin e regjistrit të qytetarëve dhe kartat e identitetit, duke nënvizuar se "ne kemi mbështetur krijimin e një regjistri të ri nëpërmjet një projekti kompleks dhe ne do të bëjmë të pamundurën që ai të përfundojë në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve të 2009". Ndërkaq, në lidhje me bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës, Lohan tha se "nga përvoja e vendeve të tjera kandidate, apo e atyre që kanë qenë më parë vende kandidate për në BE-në, ajo që kemi parë është në fakt që qeveria dhe opozita kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për çështje të Bashkimit Evropian".
"Java Evropiane"
Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, presidencën sllovene të Bashkimit Evropian dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, ka hapur dje "Javën Evropiane 2008".
Ky është viti i katërt që kjo iniciativë po zhvillohet në Shqipëri. "Java Evropiane 2008" do të mbahet nga datat 2-9 maj. Programi i këtij viti përfshin veprimtari kulturore, veprimtari që përqendrohen në historinë e Bashkimit Evropian, marrëdhënien e BE-së me Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe veçanërisht ato zhvillime që kanë ndikim te Shqipëria. Programi shtrihet në të gjithë vendin, duke përfshirë qytete të ndryshme si Korça, Elbasani, Vlora, Shkodra, Durrësi dhe sigurisht Tirana.
"Më shumë se çdo gjë ne do të donim të nënvizonim anën humane të Evropës dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian", tha ambasadori Helmuth Lohan. Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri theksoi se "ne duam të vijmë te ju, qytetarë shqiptarë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke ju sjellë informacione mbi Bashkimin Evropian, por gjithashtu duke dëgjuar mendimet dhe sugjerimet tuaja për Shqipërinë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian". Veprimtaritë e kësaj jave do të çojnë në festimin e 9 majit, Ditës së Evropës. Pikërisht më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm francez, Robert Shuman, hodhi propozimin për krijimin e Komunitetit Evropian, me synim që të konsolidoheshin marrëdhëniet paqësore në kontinentin tonë.