E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyrja në NATO, përgjegjësitë e Shqipërisë



Hyrja e Shqipërisë në NATO ngre sfida të reja, kur mbeten vetëm një muaj e gjysmë nga zyrtarizimi. Dimensioni i ri i Shqipërisë në Ballkan mbledh sot në Tiranë autoritete të larta të NATO-s, të vendit si dhe përfaqësitë diplomatike, ku në axhendë është përcaktuar diskutimi i sfidave të reja. Konferenca “Karta e Adriatikut, integrimi euroatlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor” pritet të hedhë dritë mbi disa nga angazhimet që do të ketë vendi ynë, por edhe për përgjegjësitë e reja nën flamurin e NATO-s. Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dejvid Hobs, i shoqëruar nga shumë delegacione parlamentare të vendeve anëtare të Aleancës. Konferenca do të theksojë vendosmërinë e Shqipërisë, për sa i përket sigurimit të burimeve të nevojshme që kërkon mbrojtja. Thellimi i reformave ushtarake, të cilat u mundësojnë vendeve përkatëse të bashkëveprojnë me forcat e NATO-s. Diskutimi do të prekë rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar si dhe një përpjekje më e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, trafikun e armëve, të lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore, tregtisë së paligjshme dhe formave të tjera të krimit ndërshtetëror. Parlamenti shqiptar do të duhet të miratojë ligje të nevojshme për zbatimin e reformave.

Shqipëria zhvillon këtë konferencë në kushtet kur të 26 vendet kanë miratuar anëtarësimin e saj, me atë të ratifikimeve në parlamentet përkatëse. Protokolli i Anëtarësimit u nënshkrua më 9 korrik të vitit 2008 dhe kanë mjaftuar vetëm disa muaj që Shqipëria të mbyllë këtë proces i cili nuk parashikohej të mbyllej në një rekord të tillë. Procesi i ratifikimeve nisi në muajin shtator të vitit 2008, kur Hungaria më 15 shtator u bë vendi i parë që ratifikoi NATO-n me Shqipërinë dhe më pas 25 vende të tjera u përgjigjën me të njëjtën mënyrë. Procesi u mbyll më 17 shkurt kur në të njëjtën ditë Holanda dhe Greqia i thanë “po” hyrjes së Shqipërisë në Aleancë. Personalitet më të larat të shtetit shqiptar do të japin sot garancinë që kërkon Aleanca për thellimin e reformave. Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, dhe ministri i Jashtëm Basha do të japin sot një garanci të tillë. Pjesëmarrës të tjerë do të mbërrijnë nga parlamentet e vendeve fqinje si dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›