Trojet në përdorim, brenda pak muajve në dorë të pronarëve
Vendimi i qeverisë për kalimin në pronësi të trojeve në përdorim i ka hapur rrugën procesit të verifikimit të tyre. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën të ditur se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, procesi nuk do të zgjasë më shumë se disa muaj. AKKP-ja bën me dije se kohëzgjatja e procesit do të varet më shumë nga vetë të interesuarit. Pronarët e trojeve në përdorim do të duhet të paraqesin sa më shpejt dokumentacionin përkatës, i cili vërteton se toka në fjalë ka qenë pronë e tij. Më pas, AKKP-ja ka vetëm 1 muaj kohë shqyrtimi si dhe vetëm 10 ditë kohë për të dhënë vendimin përfundimtar. Në rast se dokumentacioni është në rregull, AKKP-ja mund të japë vendimin final të kalimit në pronësi të plotë të truallit në përdorim, brenda një muaji. Përfituesit e këtij vendimi do të jenë qytetarët, që në kohën e diktaturës komuniste, toka rreth shtëpive iu cilësua si “oborr në përdorim”.
Tjetërsimi
Oborret në përdorim janë ato sipërfaqe toke në pronësi shtetërore në funksion të një ndërtimi të ligjshëm ose në posedim të qetë dhe pa ndërprerje të pronarit të ndërtimit. Kjo sipërfaqe toke përfshin tokën nën ndërtim dhe sipas rastit, tokën rreth saj. Oborret në përdorim tjetërsohen vetëm në rast se brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim, është e regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit, në rast se problemi është ngritur para datës 10.08.1991 ose janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e organeve të qeverisjes vendore. Oborret në përdorim tjetërsohen pa kundërshpërblim atëherë kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr për shkak të ligjeve të kohës pa kompensim dhe me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në rastet e tjera kur mund të ketë përfitim oborri në përdorim gjatë kohës së diktaturës, çdo sipërfaqe e tepërt mbi vendimin e kohës, do të paguhet me vlerë tregu. Oborret në përdorim që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave. Oborret në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal, nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja sipas këtij vendimi, por trajtohen sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
Tjetërsimi
Verifikimi i kushteve bëhet mbi bazën e dokumentacionit provues të paraqitur nga kërkuesi dhe nëpërmjet inspektimit në terren nga ana e punonjësve të zyrës rajonale. Në përfundim të shqyrtimit dhe gjithmonë brenda afatit 30-ditor, zyra rajonale ia përcjell dosjen zyrës qendrore të AKKP-së, së bashku me vlerësimin ligjor. Zyra Qendrore e AKKP-së, brenda 10 ditëve nga mbërritja e dosjes, verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave të këtij vendimi nga ana e zyrës së AKKP-së në qark, bazuar në aktet e mbledhura në dosje dhe pa kryer vetë veprime verifikuese. Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga mbërritja e mandatit që vërteton pagimin e çmimit, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim. Njëkohësisht, ai vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga njoftimi i kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim.
Dokumentacioni dhe kërkesa
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar edhe dokumentacionin që çdo i interesuar duhet të plotësojë për të përfituar truallin në përdorim. Kërkesa plotësohet sipas modelit standard të miratuar nga ministri i Drejtësisë. Ajo paraqitet nga kërkuesi pranë zyrës rajonale të AKKP-së. Kërkesa mund të paraqitet në zyrën rajonale të AKKP-së edhe nëpërmjet postës.
Dokumentacioni
1- Dokumenti mbi të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja.
2- Gen-plani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar.
3- Dokumenti me të dhënat mbi gjendjen juridike të oborrit në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja.
4- Dokumentet që provojnë faktin se ndërtimi që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.08.1991. Këto dokumente mund të jenë leje ndërtimi e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, akt zyrtar i lëshuar nga Arkivi Teknik i Ndërtimit, akt i nxjerrë nga Arkivi Qendror Shtetëror, vendim gjyqësor mbi vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së tij, akt-njoftunia përkatëse ose dokumente zyrtare të lëshuara nga organet e pushtetit (lagjja ose rrethi) brenda kompetencave të tyre.
5- Dokumentin që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që për shkak të ligjeve të kohës i ka kaluar në përdorim pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim.