Oli Ren: Ballkani në BE, nuk ka vend për pikëpyetje
Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit nuk ka asnjë pikëpyetje. Këtë deklaratë dha dje komisioneri i Zgjerimit, Oli Ren, i cili hodhi poshtë zërat sipas të cilëve, kriza ekonomike do të pengojë rritjen e BE-së. Komisioneri Ren tha se kriza ekonomike që ka pasur si shkak mosfunksionimin si duhet të sistemit financiar, nuk ka të bëjë me politikën e zgjerimit. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Ballkani Perëndimor të përjashtohet nga hyrja në BE. Ren bëri të qartë se shtrirja e BE-së nuk bëhet në bazë të justifikimeve. “Zgjerimi i BE-së nuk ka pretekst krizën financiare dhe gabimet e kapitalizmit”, - tha Ren. Në deklaratën e tij, Ren hodhi poshtë edhe kritikat sipas të cilave BE-ja ka humbur për shkak të anëtarësimeve të reja. Ai theksoi se zgjerimi është një faktor kyç i konkurrencës ekonomike, si dhe për “konsolidimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Evropë”. Në raportin e Komisionit Evropian theksohet se hyrja e anëtarëve të rinj nga Ballkani bëri që të ardhurat për frymë në këto vende të rriten ndjeshëm. Zgjerimi me vende të reja, sipas komisionerit Oli Ren, krijoi hapësira të reja në zhvillimin ekonomik dhe çoi në rritjen e standardeve të jetesës tek vendet e reja anëtare. Ai shtoi se më hyrje në BE të këtyre vendeve, u krijuan mundësi për rritjen e eksporteve dhe investimeve. Komisioneri evropian beson se zgjerimi i BE-së do të bëjë të mundur që vendet e reja anëtare të krijojnë mundësi shtesë për rritjen ekonomike dhe standardet e jetesës. Shqipëria tashmë ka ratifikuar plotësisht në të gjitha vendet e BE-së Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pritet që të shpejti Shqipëria të bëjë edhe aplikimin për t’u shpallur si vend kandidat për hyrjen në BE. Nga ky proces, koha është e limituar dhe hyrja e Shqipërisë në BE nuk mbetet e largët. Mbeten për t’u konfirmuar thellimi i mjaft reformave si dhe garanci të plota të mjaft proceseve jetësore. Zhvillimi i zgjedhjeve tërësisht të lira mbetet kriteri kryesor politik, ndërsa kriteret e tjera kanë të bëjnë me reformat. Thellimi i tyre ka të bëjë me rritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit të drogës, rritjes së drejtësisë etj. Reforma në drejtësi është ende në aplikim dhe për këtë ka një angazhim të përbashkët mbipartizan të politikës në Shqipëri.