Ministria: Rama të dorëzojë planin rregullues të Tiranës
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i kërkoi dje Bashkisë së Tiranës të dorëzojë planin rregullues të kryeqytetit. Drejtori për Marrëdhëniet me Publikun pranë kësaj ministrie, Agim Ndroqi, ka kërkuar nga ana e bashkisë të bëjë dorëzimin e këtij plani rregullues pranë sekretarisë teknike të KRRTRSH-së. Ai tha se kryetari i bashkisë propagandon se e ka këtë plan gati prej muajsh, por realisht Tirana ende nuk ka një plan rregullues, pasi bashkia nuk e ka dorëzuar për t’u miratuar. “Prej disa muajsh sekretaria e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit po pret që bashkia të dërgojë pranë kësaj sekretarie këtë plan. Ndaj, i kërkoj zyrtarisht bashkisë të paraqesë planin rregullues të Tiranës pranë sekretarisë teknike të KRRTRSH-së”, - tha Ndroqi. Sipas ministrisë, Rama po vonon qëllimisht planin për të zvarritur më shumë këtë proces. Ministria e drejtuar nga Olldashi shprehet se kryetari Rama po mban peng këtë plan me qëllim vendosjen e sa më shumë njollave të ndërtimit në kryeqytet. “Është e paprinciptë dhe e papranueshme që ky plan të mbahet peng muaj të tërë për tu modifikuar njollat dhe trojet e ndërtimit sipas interesave të grupit Kokëdhima dhe grupit Edil”, - deklaroi Agim Ndroqi.
Altin Çomo, kryetari i ri i PD-së në Gjirokastër
Delegatët e qarkut të Gjirokastrës zgjodhën dje në krye të Partisë Demokratike për këtë qark, Altin Çomon. Në fund të votimit, Çomo fitoi shumicën e votave mes 274 delegatëve të PD-së. Në garë morën pjesë tre kandidatë. Eduard Karagjozi dhe Spartak Drasa nuk arritën të sigurojnë shumicën. Çomo fitoi 172 vota mes 274 delegatëve, duke i dhënë atij besimin e drejtimit të PD-së në Gjirokastër për katër vitet e ardhshme. Altin Çomo është në të njëjtën kohë edhe kryetar i Bashkisë së Libohovës. Përpara delegatëve ai premtoi se do të punojë në rritjen e Partisë Demokratike në Gjirokastër. Çomo premtoi se do të tejçojë më tej vlerat e Partisë Demokratike. Ai deklaroi se do të ketë një riorganizim për fitoren e ardhshme të Partisë Demokratike në këtë qark.