Hysa: Gardistët s’na ndaluan në fillim
Aristir Lumezi
Deputeti socialist, Ndriçim Hysa, i cili është akuzuar për dhunë ndaj punonjësve të Gardës në Kuvend bashkë me deputetin Harasani, sqaron se gjithçka është inskenuar nga kryetarja e Parlamentit. Pasi mohon ushtrimin e dhunës, Hysa shprehet se ishte një veprim për të sensibilizuar Parlamentin për skandalin me misrin steril.
Zoti Hysa, ju jeni akuzuar nga punonjësit e Gardës se keni ushtruar forcë ndaj tyre. Si është e vërteta për këtë ngjarje?
E vërteta është krejt ndryshe. Unë bashkë me zotin Harasani, pasi kaluam kontrollin fizik me skaner ku nuk rezultoi asnjë objekt i dyshimtë, kemi deklaruar dhe kallinjtë e misrit që kishim me vete. Pas këtij kontrolli punonjësit e Gardës na kërkuar të ndalonim, për të marrë leje më parë tek kryetarja e Kuvendit. Një nga punonjësit e Gardës ka takuar kryetaren e Parlamentit e cila, duket e tmerruar nga skandali i misrit, dha urdhër të prerë që asgjë nga këto të mos kalonin për në sallën e seancave. Duket se Jozefina, si ish-punonjëse eksperimenti në Institutin e Misrit dhe Orizit, ka alergji nga misri. Në këtë moment, si për çudi e gjithë Garda u grumbullua ne hyrjen e sallës së seancave, duke na ndaluar të fusnim kallinjtë e njomë të misrit. Unë i bëra thirrje punonjësve të Gardës, bashkë me deputetin Harasani që të qetësoheshin, por siç duket ishte vetë kryetarja e Parlamentit që i bënte presion atyre për të na ndaluar.
Ju akuzoni kryetaren e Parlamentit për urdhër politik kundër deputetëve të opozitës dhe jo punonjësit e Gardës?
Nuk është hera e parë që kryetarja e Parlamentit në mënyrë verbale nxjerr urdhra në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren. Edhe rregullorja e brendshme përcakton se deputeti nuk duhet të fusë në sallë materiale që prishin punimet e saj, që janë kryesisht materiale fizike, metalike. Ndërsa në rastin tonë, 3 kallinj misri të njomë, nuk besoj se do dëmtonin seancën e Parlamentit. Ky është një inskenim direkt i zonjës Topalli, e cila ka frikë nga përhapja e këtij skandali që është në vazhdën e skandalit të Gërdecit. Por, si PS ashtu dhe unë si deputet i një zone e cila është prekur më shumë nga ky skandal, do të bëjmë publik përmasat katastrofike të misrit steril. Unë i bëj thirrje dhe kryeministrit të distancohet nëse nuk është implikuar në këtë skandal dhe të vërë para përgjegjësisë qoftë bosin e "Agro-Blend"-it që ka ekskluzivitetin dhe monopolin e imputove në Shqipëri, po ashtu dhe ministrin Gjana dhe mesa mora vesh edhe një ministër tjetër është i implikuar që nga koha e qeverisë "Nano", i cili vazhdon të jetë aksioner në të.
Atëherë ju hidhni poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga drejtues të Gardës për plagosje?
Unë jam një nga deputetët më të vjetër të Parlamentit, dhe nuk mund të bëhet fjalë për dhunë ndaj punonjësve të gardës. Gardistët janë rreshtuar para nesh vetëm prej urdhrit të Jozefina Topallit, pasi me sa di unë disa prej tyre rrezikonin të pushoheshin nga puna. Në këtë rast unë vë përpara përgjegjësisë kryetaren e Parlamentit, e cila mundohet të inskenojë skena të tilla dhe të tjetërsojë rregulloren e Parlamentit.
Ka pasur raste të tjera që ju keni kaluar objekte brenda në sallë dhe ndërhyrja e Gardës nuk është parë e nevojshme?
Vetë fakti që në Parlament, hyjnë të gjitha objektet e tjera përveç atyre metalike, tregon se kallinjtë e misrit si objekte nuk përbënin asnjë shkelje të rregullores. Por për vetë skandalin që ka plasur tashmë me misrin steril, këto objekte janë dëshmia më e mirë e skandalit që prek shumë njerëz me pushtet. Jozefina kërkonte që këtë demaskim tonin në sytë e gjithë shqiptarëve ta ndalte në sallën e Parlamentit.