Çifti grek masakron shqiptarin
GREQI - Një çift grekësh kanë masakruar në mënyrë barbare një emigrant shqiptar. Sipas mediave greke, shqiptari 57-vjeçar që jetonte e punonte në Selanik të Greqisë është goditur për vdekje me mjete të forta. Policia helene ka pohuar se autorët e krimit të rëndë janë dy shtetas grekë, burrë e grua, të cilët e kanë goditur me shishe në kokë emigrantin, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe më pas vdekjen. Identiteti i viktimës nuk është bërë i ditur, ndërkohë thuhet se emigranti ka humbur jetën në spital si pasojë e hemorragjisë së madhe të gjakut. Pas krimit, policia e Selanikut ka vënë në pranga dy bashkëshortët, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për vrasjen e shqiptarit. Ata dëshmuan për policinë se shqiptari u ka ngacmuar vajzën e tyre dhe se ata nuk mund ta duronin dot diçka të tillë. Por ky deponim i tyre po hetohet nga policia. Aktualisht ata ndodhen të izoluar në qeli, ndërsa pritet që të merren në pyetje nga prokurorët, të cilët po përgatisin dosjen paraprake hetimore. Gjatë ditëve në vazhdim çifti i grekëve pritet të përballet në gjykatë me kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë në ngarkim të tyre. f.m.