E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosta Trebicka - Telefonata që ftoi biznesmenin për gjueti në Korçë

 

Trazhgim Sokolaj

Në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Tiranë, Kosta Trebicka ka qenë me dy miq të tij në një prej bareve më të njohura të kryeqytetit. Ai ka qëndruar aty deri rreth orës 14:00 dhe gjatë bisedës duke folur për gjuetinë, 50-vjeçari ka shfaqur një mendim që hedh dyshime të forta rreth shkaqeve të udhëtimit të mëpasëm të tij në drejtim të Korçës. "Nuk është kohë për gjueti. Të paktën sa të kalojë një muaj nuk do të dal për gjah, pasi nuk është koha e përshtatshme", mësohet të ketë thënë Trebicka gjatë bisedës me miqtë e tij, njëri prej të cilëve politikan. Biseda ka zgjatur për disa orë, por gjatë saj, është folur edhe për gjuetinë, pasi edhe dy miqtë e biznesmenit e njihnin mirë pasionin e tij të madh për gjahun. Më pas, rreth orës 14:00, Kosta Trebicka është larguar në drejtim të banesës së tij pranë zonës së Saukut në Tiranë. Në këtë kohë, besohet se ai ka pasur një telefonatë nga një i njohur i tij në Korçë, i cili e ka ftuar të dilnin për gjueti. Banorë të zonës ku ndodhet shtëpia e Kosta Trebickës në Tiranë, madje disa të njohur të biznesmenit, pretendojnë se ftesës për të shkuar për gjueti 50-vjeçari fillimisht i ishte përgjigjur me idenë se do të shkonte në Korçë pas disa ditësh, por më pas është bindur. Kjo telefonatë, e cila pretendohet nga komshinjtë e biznesmenit në Tiranë, shikohet me dyshim prej hetuesve për shkak se biznesmeni ka dalë i vetëm për gjah dhe nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka qenë i shoqëruar nga persona të tjerë. Nga ana tjetër, telefoni celular i biznesmenit është gjetur dje në vendin e ngjarjes dhe hetuesit që bënë verifikimin e tij thanë se ende nuk kishin gjetur diçka të dyshimtë. Gjithsesi, rreth orës 17:00 të së enjtes, Kosta Trebicka ka marrë rrobat e gjuetisë, armën, qenin dhe me automjetin e tij që e përdorte për gjah në zonat malore, është nisur në drejtim të Korçës. Është e paqartë koha kur 50-vjeçari ka mbërritur në qytet, por burime të konfirmuara nga hetimi thanë mbrëmë për gazetën "Panorama", se Kosta Trebicka ka mbërritur në hotel në orën 23:00. Ai ka hyrë në një hotel në Voskopojë pasi ka parkuar makinën dhe është ngjitur në dhomë bashkë me qenin e tij, të cilit i fliste në gjuhën angleze. Gjithçka ka kaluar normalisht deri mëngjesin e djeshëm, kur punonjësit e hotelit dëshmuan për hetimin se Kosta Trebicka ka dalë dhe është nisur drejt zonave malore për gjueti. Pasi u gjet i vdekur në Lekas, një grup hetuesish mbërriti në hotelin ku Trebicka kishte kaluar natën. Punonjësit e hotelit kanë pohuar se biznesmeni Trebicka ka qenë i vetëm si kur ka mbërritur në hotel, ashtu edhe në momentin kur është nisur për gjueti. Në dhomën e tij janë gjetur sendet personale që ai kishte lënë aty, për shkak se do të kthehej pas gjuetisë. Ndërkohë, në xhepin e pantallonave në vendin ku u gjet Kosta Trebicka, policia ka sekuestruar edhe çelësin e dhomës së hotelit, të cilin ai e kishte marrë me vete. Në orët e mbrëmjes së djeshme, pranë vendit ku gjeti vdekjen biznesmeni është pikasur edhe qeni i tij i gjahut. Policia ka pasur vështirësi fillimisht, pasi qeni ka qenë i trembur dhe nuk kuptonte asgjë, derisa oficerët i kanë folur në anglisht për ta qetësuar. "Siç duket edhe vetë Trebicka e kishte mësuar qenin e gjahut t'i fliste anglisht", thanë burimet e policisë.
Hetimi nga FBI
Zyrtarët e lartë të policisë dhe Prokurorisë shqiptare konfirmuan dje në mbrëmje përfshirjen e specialistëve të FBI-së në hetimin e ngjarjes, ku gjeti vdekjen Kosta Trebicka. Për shkak se ai ishte dëshmitar në një hetim të Kongresit amerikan për aferën e fishekëve kinezë të shitur nga Shqipëria, por edhe për shkak se viktima ishte nënshtetas amerikan, oficerët e Byrosë Federale të Hetimeve janë angazhuar në hetimin e ngjarjes. Një fakt i tillë u konfirmua mbrëmë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe autoritetet e Policisë së Shtetit, të cilat thanë se makina me të cilën po udhëtonte Kosta Trebicka është izoluar dhe është urdhëruar të mbahet e pa prekur deri në momentin kur ekspertët e huaj të mbërrijnë në Korçë për të bërë këqyrjen e saj. Mësohet se në orët e vona të ditës së djeshme, autoritetet amerikane janë kontaktuar nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e hetuesve të FBI-së në investigimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet amerikane janë treguar të gatshme, ndërsa më pas është dhënë urdhri që automjeti i Kosta Trebickës si dhe të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, të mbahen të pa prekura derisa të kalojnë në duart e hetuesve amerikanë. Mbrëmjen e djeshme, një grup i gjerë mjekësh ka filluar kryerjen e autopsisë mbi kufomën e biznesmenit 50-vjeçar. Burimet zyrtare nga policia konfirmuan se gjatë kryerjes së autopsisë, me kërkesën e saj, ka qenë e pranishme edhe kunata e biznesmenit, e cila ka parë nga afër gjithë punën e bërë nga specialistët për saktësimin e shkakut të vdekjes së Kosta Trebickës.

Trebicka: Pas denoncimeve, kam telefonata shqetësuese

TIRANE - Biznesmeni shqiptaro-amerikan, anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili u vendos në qendër të vëmendjes publike për muaj me radhë pas denoncimit të aferës së fishekëve, ku implikohej edhe ngjarja e Gërdecit, por edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe biznesmenë shqiptarë e amerikanë, ka pasur telefonata shqetësuese pas publikimit të skandalit. Më 20 mars 2008, gjatë një rrëfimi të tij për mediat, Kosta Trebicka është pyetur nëse ka pasur ndonjë kërcënim pas denoncimeve dhe akuzave që ka bërë publikisht për abuzime dhe afera me fishekët kinezë që Shqipëria i shiti kompanisë AEY të tenderuar nga Departamenti i Shtetit. Trebicka, madje, bëri publike edhe një bisedë telefonike të përgjuar, e cila hidhte dritë mbi skandalin. Pas pyetjes lidhur me kërcënimet e mundshme, Trebicka ka pranuar se ka pasur telefonata shqetësuese, por asnjë kërcënim konkret apo artikulim për ndonjë rrezik të mundshëm që i kanosej në të ardhmen. Trebicka dha dëshmi me vlerën e provës në hetimin e Gërdecit dhe aferës së fishekëve, por ndaj tij nuk ishte aplikuar asnjë masë mbrojtëse nga autoritetet ligjore shqiptare.

Vdes dëshmitari i trafikut të fishekëve

tirane / korçe

I veshur me rroba marinsi, me një shpend të varur në rripin e pantallonave dhe me armën e gjahut pranë tij, biznesmeni Kosta Trebicka, u gjet i vdekur dje rreth orës 15:30 në vendin e quajtur "Kullat e Gjergjevicës". Ngjarja ndodhi në rrugën automobilistike që lidh komunën e Lekasit me Voskopojën, në Korçë. Biznesmeni shqiptar, me nënshtetësi amerikane, ndodhej për gjueti në këtë zonë prej dy ditësh, kur makina e tij "Nissan Kabriolet" me targa TR 8843 J dhe ngjyrë të kuqe, ka dalë nga rruga dje rreth orës 15:00. Viktima e aksidentit ishte personi që denoncoi publikisht pas tragjedisë së Gërdecit, aferën korruptive të shitjes së fishekëve kinezë nga ndërmarrja shqiptare MEICO tek kompania amerikane AEY, në pronësi të Efraim Diverolit. Drejtori i policisë së Korçës, Emri Vata, tha për gazetën "Panorama" se, automjeti i hapur në anën e sipërme të tij, ka bërë më tepër se tri rrotullime pasi ka dalë nga rruga. Gjatë lëvizjes së pakontrolluar të makinës në zonën malore, trupi i biznesmenit 50-vjeçar ka dalë nga automjeti dhe ka përfunduar rreth 50 metra më tutje. Fuoristrada kishte pësuar dëmtime të shumta, thyerje të xhamit të përparmë të saj, shtypje në pjesën e sipërme, por pas rrotullimeve kishte mbetur në pozicionin e zakonshëm me katër gomat në tokë. Drejtuesi i saj Kosta Trebicka, është gjetur nga tre persona, dy punëtorë të mirëmbajtjes së rrugës dhe një banor i zonës, të cilët lajmëruan menjëherë kryetarin e komunës Lekas, Nexhip Bazelli, i cili nga ana e tij ka njoftuar policinë e Korçës. Shërbimet e gatshme të policisë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, ku kanë gjetur makinën e biznesmenit të dalë jashtë rrugës dhe akoma të ndezur. Policia tha se, automjeti ka vazhduar lëvizjen në dishezë edhe pas daljes së trupit të Trebickës nga makina, duke u larguar në këtë mënyrë nga vendi ku ka mbetur kufoma e 50-vjeçarit. Burimet zyrtare në vendin e ngjarjes konfirmuan se, Kosta Trebicka kishte pësuar dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës dhe në fytyrë, të cilat besohet se i kanë shkaktuar vdekjen. Viktima nuk kishte shenja dhune apo plumbash në trup.
Hetimi
Fillimisht identifikimi i tij ka qenë i vështirë por më pas, dokumentet janë gjetur gjatë kontrollit që policia ushtroi në makinën e aksidentuar. Brenda në makinë efektivat e policisë kanë gjetur edhe tre zogj që biznesmeni kishte gjuajtur gjatë ditës dhe i kishte vendosur në automjet para nisjes për t'u kthyer në Voskopojë. Forcat e policisë, të cilat shkuan në vendin e ngjarjes thanë se nuk ka asnjë dëshmitar që tregon të ketë parë momentin kur makina e biznesmenit doli nga rruga dhe mënyrën si ka ndodhur ngjarja. Tre personat që kanë gjetur kufomën e biznesmenit, siç duket në grahmat e fundit, janë shprehur se nuk kanë parë asgjë nga mënyra si ndodhi që makina doli nga rruga rurale dhe përshkoi mbi 150 metra lëvizje të pakontrolluar dhe tri rrotullime. Kufoma e Kosta Trebickës nuk është lëvizur nga vendi deri në mbërritjen e prokurorit në vendin e ngjarjes. Më pas, trupi i pajetë i biznesmenit është drejtuar për në morgun e Korçës, ku janë kryer verifikime hetimore deri pas mesnatës së djeshme. Zyrtarët e hetimit konfirmuan se trupi pa jetë i 50-vjeçarit mund të transportohet në morgun e Tiranës për ekspertizë të specializuar. Burimet zyrtare nga policia e Korçës pohuan se, pista e hetimit për këtë ngjarje është ajo e një aksidenti automobilistik. Sipas këtyre burimeve, Kosta Trebicka kishte mbërritur i vetëm në Voskopojë një natë më parë. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 05:00 ishte nisur për gjueti në drejtim të zonës malore me fuoristradën e tij, ku mbante dhe një qen gjahu. Gruaja e Kosta Trebickës është marrë në pyetje mbrëmë në policinë e Korçës dhe ka pohuar se i shoqi i kishte thënë se po shkonte për gjueti rreth dy orë para nisjes. Ajo ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për ngjarjen dhe po pret që shkaqet e saj ti mësoje nga hetimi.                        t.s/j.gj

Helikopter special për familjen e prokurorët

Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme me një helikopter shtetëror në drejtim të qytetit të Korçës janë nisur familjarët e afërt të Kosta Trebickës, një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, drejtori i hetimit në polici Agron Koliqi, si dhe një përfaqësues nga ambasada amerikane në Tiranë. Më pas një tjetër helikopter fluturoi në drejtim të Korçës duke marrë me vete ekspertët xhenerikë dhe ata të qarkullimit, të cilët u dërguan në vendin e ngjarjes për të bërë matjet dhe verifikimet shkencore në ndihmë të hetimeve. Në helikopterin e dytë ndodheshin edhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit dhe oficerë të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët mbërritën në Korçë për të monitoruar hetimet që po zhvillohen për zbulimin e shkaqeve e rrethanave të ngjarjes.

Trebicka, hetuesi i komunizmit që u bë biznesmen

Njeriu që ishte dëshmitar kyç për ngjarjen e Gërdecit, Kosta Trebicka, përpara vitit '90 punonte si hetues në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë.

Pas ndryshimit të sistemit, Trebicka la punën e tij shtetërore, si hetues, duke u angazhuar me një kompani amerikane, e cila kishte mbërritur në Shqipëri për të eksploruar bregdetin shqiptar për naftë. Pas kësaj pune, Trebicka merr rrugën e emigrimit përtej Atlantikut, në SHBA. Atje i futet studimeve në një shkollë amerikane për administrim-biznes. Pas përfundimit të kësaj shkolle, ka punuar për llogari të qeverisë amerikane në vendet e Amerikës Qendrore, si në Nikaragua, Honduras etj., duke punuar si ekspert ekonomie. Gjatë kësaj periudhe, Trebicka martohet për herë të dytë, duke marrë si bashkëshorte një shtetase amerikane. Nga kjo martesë e dytë kanë një fëmijë, e cila aktualisht është në moshën 18-vjeçare. Në vitin 1995, tashmë me një shtetësi amerikane, rikthehet në Shqipëri, duke krijuar fondin shqiptaro-amerikan "Anglo-Adriatica", që merrej me mbledhjen e bonove. Në vitin 1998, me statusin e biznesmenit, Trebicka ka ngritur biznese të ndryshme. Prej kësaj periudhe ka ushtruar aktivitet privat, duke u marrë me biznese të ndryshme. Në vitin 2006 krijon një kompani ambalazhimi, duke e pagëzuar me emrin "Xhoi". Firma e tij merrej me ambalazhimin e çdo malli të ndryshëm në Shqipëri. Në vitin 2007 mësohet se ka kontaktuar me firmën dhe është kontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli për të bërë paketimin e municionit. Gjatë momenteve të diskutimeve dhe tratativave për arritjen e një marrëveshje me Diverolin në skenë doli një firmë tjetër, skenë e kompanisë "EVDIN LTD" me administrator Henri Tomein, i cili kishte shkaktuar dyfishimin e çmimit. Kjo përplasje solli më pas dhe bisedën ndërmjet tij dhe Divelorit, e cila është bërë publike më pas në media. Denoncimi i kësaj afere të re mes kompanisë AEY dhe MEICO-s për tregtinë e armëve në Afganistan u bë publike pas ngjarjes tragjike të 15 marsit 2008, në Gërdec të Vorës. Në këtë denoncim, ai bëri të ditur se është shmangur nga kontrata e re pikërisht në momentin kur "Meico" lidhi kontratë me firmën e Mihal Delijorgjit, "Albademil". Për këtë ai kishte denoncuar këtë aferë, duke bërë me dije dhe ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediu. Skandali i armëve në Afganistan, kur dolën fishekë skarco, u bë publike dhe nga gazeta prestigjioze "Neë York Times". Investigimi i gazetës nxori në sipërfaqe gjithashtu skandalin me fishekët shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin shumë të vjetër dhe jashtë standardit. Gazeta prestigjioze i referohej edhe transkriptimit të bisedës që u regjistrua me celularin e Kosta Trebickës me Efraim Diverolin, kontraktor i Pentagonit për shitjen e armëve. Trebicka ka dëshmuar disa herë në Prokurori për ngjarjen tragjike të 15 marsit. Dëshmia e Trebickës në prokurori hidhte dritë mi rolin e firmës "Evdin LTD", në nënshkrimin e kontratave me firmën shtetërore për shitjen e armëve "Meico", drejtori i së cilës asaj kohe ishte Ylli Pinari. Gjithashtu edhe kongresi amerikan, pas skandalit të publikuar nga gazeta "New York Times", kërkoi që Trebicka të bënte një dëshmi përpara një grupi hetimi të ngritur posaçërisht. Trebicka ka qëndruar për një periudhë në SHBA, pak javë më parë kishte mbërritur nga SHBA-ja në Tiranë, për të qëndruar pranë familjes së tij.

Tiranë, vajtime në banesën e Trebickës

TIRANE - Në banesën e Kosta Trebickës, biznesmenit që humbi jetën mesditën e djeshme në rrethin e Korçës, gjendeshin vetëm fqinjët. Kishin dëgjuar për humbjen e jetës së fqinjit të tyre dhe po sistemonin shtëpinë që ndodhet në rrugën e Elbasanit, për të pritur njerëzit për ngushëllime. Vjehrra e Trebickës, pasi kishte marrë lajmin e humbjes së dhëndrit kishte udhëtuar për në banesën e tij, ndërsa e bija (bashkëshortja e Trebickës), menjëherë sapo kishte marrë lajmin ishte nisur drejt Korçës bashkë me një të afërmin e vet. Pak çaste pasi kishte mbërritur në banesën e dhëndrit, vjehrra e Trebickës kishte pësuar gjendje të fikti, ndërsa fqinjët i kishin dhënë ndihmën e parë. Fqinjët e biznesmenit pohojnë se janë njoftuar motra e të ndjerit dhe vajza e tij që jetojnë në SHBA, të cilat pritet të vijnë sot në Tiranë, për t'i bërë njeriut të tyre nderimet e fundit. Porta e oborrit të banesës trekatëshe qëndronte e hapur për të pritur njerëzit e shumtë që vinin për ngushëllime, të cilët informoheshin nga mediat për ecurinë e hetimeve, autopsisë, ndërkohë që flisnin gjatë gjithë kohës në telefon me familjarët që ndodheshin në Korçë, me qëllimin që të përgatitej kufoma e të ndjerit. Fqinjët pohojnë se një ditë më parë e kishin parë makinën e Trebickës të parkuar në trotuarin ngjitur me rrethimin e vilës së tij, aty ku ai i linte zakonisht mjetet. Ndërkohë gjatë pasdites së djeshme vazhdonin të shkonin për ngushëllim mjaft njerëz, përfshirë të afërm, fqinjë dhe të njohur të Trebickës.                                    fa.ma

“Gërdeci”, Trebicka denoncoi aferat me armatimin shqiptar

TIRANE - Emri i Kosta Trebickës, biznesmenit kryeqytetas u bë i njohur për publikun kur mediat pasqyruan denoncimin e tij për aferën korruptive mes kompanisë amerikane "AEY" dhe asaj shtetërore shqiptare, MEICO për tregtinë e armëve. Fillimisht, nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe më pas në studiot e disa televizioneve, Trebicka shpjegoi skemën me të cilën funksiononte afera me armët dhe municionet e ushtrisë shqiptare si dhe sasinë e parave që supozohet se kanë përftuar personat e implikuar në këtë skandal që parapriu tragjedinë e Gërdecit. Trebicka ka pretenduar publikisht se në vitin 2007, kompania e tij ishte kontraktuar nga ajo amerikane "AEY", e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli për të bërë ripaketimin e municionit, nga arkat origjinale metalike në kuti kartoni. Por ende pa mbaruar fazën e parë, një tjetër kompani ndërkombëtare "hyn në lojë", duke dyfishuar çmimin, çka ka shmangur Trebickën. Kompania zvicerane "Evdin" me qendër në Qipro dhe me administrator Henri Tomein, futi në skenë kompaninë e Mihal Delijorgjit, vazhdimi i kontratës të cilës iu dhurua nga "MEICO", ndërsa AEY u detyrua të pranonte duke mos pasur zgjidhje tjetër. Më tej situata ndërlikohet, pasi Diveroli që kishte ardhur në Shqipëri për të negociuar për çmimin përfshihet në një takim të fshehtë në një banesë në rrugën e Durrësit, me Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe një djalë të moshës 27-30 vjeç, që ende ka mbetur enigmë për grupin e hetimit. Në daljet e tij mediatike, si dhe në dëshmitë e dhëna grupit special të hetimit të çështjes "Gërdeci", Trebicka pohon se MEICO kishte si qëllim të sabotonte furnizimin e AEY, pasi tregtia e skrapit ishte më fitimprurëse. Ndërkohë edhe gazeta prestigjioze "The New York Times", duke iu referuar një bisede të përgjuar nga Trebicka, publikoi skandalin me fishekët shqiptarë që shiteshin në Afganistan, një pjesë e të cilëve ishin shumë të vjetër dhe jashtë standardit. fa.ma

Vdekja e Trebickës,fitore e krimit

Pas aksidentit dje në mesditë ku mbeti i vdekur biznesmeni Kosta Trebicka ka reaguar edhe deputeti socialist, Petro Koçi. Në një prononcim për mediat Koçi e lidh këtë aksident me hetimin e Gërdecit. "Vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka është një atentat ndaj hetimeve për ngjarjen e Gërdecit. Zhdukja e dëshmitarit kryesor në hetimet e Gërdecit është një fitore e madhe për krimin në Shqipëri", ka deklaruar dje pasdite deputeti Petro Koçi. Sipas deputetit socialist, kryeministri Berisha duhet të distancohet nga kjo ngjarje dhe të gjejë një mënyrë për të treguar pastërtinë e tij ndaj kësaj çështje", tha Koçi. Në të njëjtën kohë deputeti Koçi, ka kërkuar që ngjarja e ndodhur dje në mesditë në një fshat në afërsi të Korçës të zbardhet përmes një hetimi amerikan.

Rama e Meta fajësojnë Berishën

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta reaguan dje pas vrasjes së biznesmenit të njohur Kosta Trebicka, i cili pak kohë më parë denoncoi trafikun e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit.

Gjatë një konference për shtyp, gati katër orë pas aksidentit të ndodhur në Lekas të Korçës, kreu i PS theksoi se sytë e të gjithë shqiptarëve tani janë nga prokurorët, të cilët po hetojnë këtë ngjarje, teksa shpreson që vdekja e Trebickës të mos ketë lidhje me denoncimet që ai ka bërë. Kreu i socialistëve garantoi kryeprokuroren Ina Rama për të çuar deri në fund hetimet e nisura për shpërthimin në Gërdec dhe trafikun e armëve. "Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, ka të gjithë solidaritetin njerëzor e mbështetjen morale të opozitës, për të zbuluar, së bashku me ata që hetojnë çështjen, fillin e plotë të kontrabandës së fishekëve, për t'i nxjerrë fundin kraterit të zullumit vrastar të Gërdecit dhe për të na thënë një orë e më parë, nëse Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht, duke u kthyer nga gjahu, apo u vra nga kriminelë, të cilët kanë filluar gjuetinë e njerëzve, që dinë më shumë se ç'duhet për Gërdecin", theksoi Rama. Në fund ai iu drejtua edhe kryeministrit Berisha duke i thënë se, "Zoti Kryeministër, prokuroria është sot në provën e saj më të rëndë, sepse duhet të zbardhë pa humbur kohë një histori ku qeveria dhe emri juaj janë drejtpërdrejtë të përfshirë, ndërkohë që vdekja ka marrë jetën e 27-të, pas atyre 26 që mori ditën kur kjo histori plasi si bombë atomike, duke tronditur Shqipërinë e botën".
Meta
Ndërsa kryetari i LSI-së Ilir Meta ishte më i qartë dhe i drejtpërdrejtë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Ai i kërkoi gjithashtu Berishës të ndalë presionet ndaj Prokurorisë. Meta i bëri apel kryetares së Kuvendit të mbledhë urgjentisht Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme. "I kërkojmë Kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli, të mbledhë urgjentisht Kuvendin e Shqipërisë, si i vetmi organ kushtetues dhe pluralist që garanton veprimtarinë e institucioneve të pavarura dhe monitoron ekzekutivin, në një seancë të jashtëzakonshme, për ngritjen e një komisioni parlamentar me përbërjen e të gjithë grupeve parlamentare", shtoi Meta. Në emër të LSI-së Meta shprehu shqetësim për ngjarjen tragjike, të cilën e cilëson në rrethana të dyshimta të biznesmenit Kosta Trebicka, të cilin e konsideron dëshmitarin kryesor për hetimet dhe zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit. Ngritjen e një komisioni parlamentar për zbardhjen e kësaj ngjarje, kreu i LSI-së e kërkon pasi vëren "mungesë të plotë, prej disa orësh, të informacionit zyrtar nga organet e specializuara të policisë dhe Prokurorisë mbi ngjarjen, por dhe pengesën dhe pamundësinë e medias, si në asnjë rast tjetër, për të informuar mbi zhvillimet rreth ngjarjes.

Bujar Nishani nuk përdor termin aksident

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një konferencë për shtyp shpjegoi mbrëmë zyrtarisht se në orën 14:00, në Policinë e Korçës është administruar një informacion nga banorët e fshatit Lekas, se në rrugën Voskopojë - Lekas, në vendin e quajtur "Kulat e Gjergjevicës" është parë një makinë e batuar nga rruga dhe një person i vdekur. Duke mos e përmendur asnjëherë fjalën aksident, por ngjarja dhe çështja, Nishani tha se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë drejtues dhe specialistë të bluve të Korçës, të cilët nga dokumentet e mjetit tip "Nisan", kapriolet me targa TR 8843 J kanë konstatuar se i përkiste biznesmenit Kosta Trebicka. Të ndodhur në këtë situatë me informacionin e marrë, Policia e Shtetit ka kontaktuar Prokuroren e Përgjithshme dhe në vendngjarje janë nisur grupe ekspertësh kriminalistë, mjeko-ligjorë dhe autoteknikë, si dhe një prokuror nga organi qendror i akuzës, për të koordinuar dhe kontrolluar veprimet hetimore. "Në vendngjarje janë kryer filmimet dhe fotografimet përkatëse, ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes, mjetit të dalë nga rruga e të dëmtuar nga batimi, si dhe kufomës e të gjithë sendeve e provave materiale të gjetura aty", tha Nishani, i cili shtoi se nga tërësia e veprimeve të para u bë identifikimi i kufomës, që i përket Trebickës, ndërsa të gjitha veprimet hetimore po kryhen nën drejtimin e kreut të akuzës së Korçës. Më tej, Nishani tha se në dispozicion të Prokurorisë janë vënë ekspertë të të gjitha fushave për të kryer ekspertizën e plotë të ngjarjes dhe për të konkluduar në përfundim mbi mekanizmin e ndodhjes se saj. Gjithashtu, sipas ministrit, në dispozicion të grupit hetimor janë vënë edhe dëshmitarët që kanë dijeni dhe tregojnë rrethanat e hetimit të kësaj ngjarje, për të cilën është njoftuar edhe Kryeministri, që ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes.                    f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›