Itali, tre shqiptarët me 14 kg heroinë
ITALI - Tre shqiptarë janë arrestuar pasi karabinierët e Kietit në Itali sekuestruan 14 kilogramë heroinë. Sipas mediave italiane, droga ishte paketuar në qese të vogla gati për shitje. Dy prej shqiptarëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë tentuar të largohen por janë arrestuar në Peskara. Duke iu referuar medias italiane të tre shqiptarët ishin të pajisur me dokumente të rregullta qëndrimi në Itali. Ata do të hetohen për mbajtje të lëndëve narkotike. Policia italiane, të cilës i referohen mediat, bën të ditur se shqiptarët ishin arrestuar pas një hetimi disa mujor të zhvilluar prej tyre. Hetuesit kanë dyshime se në momentin e arrestimit, të pandehurit ishin duke transportuar sasinë e konsiderueshme të drogës për tek personat që më pas do të merreshin me shitjen e saj. Hetimet e para ndaj grupit të shqiptarëve të akuzuar për trafik narkotikësh filluan mbi bazën e informatave të marra nga agjentët në rrugë operative. Më pas, organet e policisë zhvilluan një sërë përgjimesh telefonike dhe vëzhgime në terren nga të cilat arritën të provonin dyshimet se tre të hetuarit merreshin me trafik droge.