E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: GJND-ja e bën të paqëndrueshëm çfarëdo argumenti kundër njohjes së Kosovës

Prishtinë, 23 gusht -  Ministri i Punëve të Jashtme të  Kosovës,   Skender Hyseni, në Seminarin e 29-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i ka njour seminaristët me ecuritë konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Duke u përqendruar sidomos në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Hyseni tha se “një zhvillim – do të thoja – i përmasave monumentale, në funksion të realizimit të aspiratave tona në rrafshin ndërkombëtar, është Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”.
Përtej konsideratave morale dhe të drejtshmërisë që Mendimi përmban, pasojat pozitive nuk kufizohen në këtë. Unë pres që përfundimi i qartë i Gjykatës Botërore se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare do të ketë implikime të rëndësishme politike. Kjo përmbajtje e Mendimit, e dhënë nga Gjykata, -- autoriteti final i drejtësisë në sistemin e Kombeve të Bashkuara, - e bën tërësisht të paqëndrueshëm çfarëdo argumenti kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Unë kam besim se, një Mendim kaq i qartë dhe autoritativ është po ashtu vështirë të mos merret në konsideratë nga organet kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njëri prej të cilëve (Asambleja e Përgjithshme), është organi që vetë ka kërkuar Mendimin.
Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës ka afirmuar qëndrimin konsistent të Republikës së Kosovës dhe argumentet ligjore të ofruara gjatë gjithë procesit këshillëdhënës. Për ata që synojnë të hedhin mjegull në opinionin botëror, duhet theksuar se Gjykata e ka bërë të qartë se, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës duhet të shihet brenda kontekstit faktik që ka çuar në shpalljen e saj, tha Hyseni.
Thënë ndryshe, sipas Hysenit, Mendimi i Gjykatës deklaron se rrethanat që kanë çuar deri te Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishin, dhe janë, të veçanta. Gjykata vë në spikamë këto rrethana faktike dhe ligjore që janë të veçanta për Kosovën, e që janë: (1) Shpërbërja e dhunshme dhe jo-konsensuale e ish Jugosllavisë; (2) miratimi i rezolutës 1244 të KS të KB për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur me qëllim që të zgjidhë krizën e rëndë humanitare në Kosovë; (3) periudha e administrimit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara; dhe (4) shterimi, pas shumë vitesh, i të gjitha rrugëve për një zgjidhje të negociuar. Specificiteti i vendimit të Gjykatës, pra, nuk mund të shërbejë si precedent për raste të tjera. Kjo nënkupton se, përpjekjet për të portretizuar vendimin e Gjykatës si “hapje të Kutisë së Pandorës” janë çorientuese dhe të pasakta.
Mendimi i qartë i Gjykatës se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare e konfirmon faktin se nuk ka asnjë arsye ligjore për shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të vonojnë më tej njohjen e tyre. Dhe, ne presim që këto shtete të lëvizin në drejtim të njohjes formale. Këtë e kam artikuluar edhe në letrën që u kam dërguar homolgëve të mi, Ministrave të Jashtëm të shteteve që ende nuk e kanë marrë vendimin e njohjes, në letrat e 22 korrikut, sikundër edhe drejtuesve apo përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si Liga Arabe, Organizata e Konferencës Islamike dhe Bashkimi Afrikan. Këtë ua kam thënë edhe dhjetra përfaqësuesve të përhershëm ose diplomatëve të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nga shtete të ndryshme dhe organizata të mëdha dhe me ndikim, tha kryediplomati kosovar.    
Procesi i komunikimit me vende të ndryshme vazhdon. është duke u bërë punë intensive dhe e pandërprerë për ta intensifikuar edhe më tutje këtë komunikim ekzistues dhe për të konkretizuar shumë nga këto përpjekje, veçanërisht gjatë kohës së sesionit plenar të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Siç është thënë edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, e ardhmja jonë është në anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian.
Qytetarët e Kosovës, njësoj si qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të përfitojnë nga e drejta elementare e lëvizjes së lirë, një veprim që do të lehtësonte pa masë ndërveprimet intelektuale dhe kulturore. Siç e kemi shprehur edhe në Deklaratën tonë të Pavarësisë, “për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane.” Për këtë arsye, ne vazhdojmë t’i mbesim besnikë synimit tonë të shpallur botërisht për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive, përfundoi Hyseni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›