E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Kosova, deklaratë dinamike në Hagë

Prishtinë - Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni ka shprehur bindjen e tij se në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë argumentet janë në anën e Kosovës dhe se procesi do të përmbyllet në favor të Kosovës. “Kosova ka bërë një deklaratë shumë dinamike, koncize, një deklaratë që nuk e lë indiferent edhe vëzhguesin dhe lexuesin më indiferent. Kjo i krijon një avantazh të madh deklaratës së Republikës së Kosovës dhe kemi bindjen që është një deklaratë e mirë dhe përplot argumente - argumente të pakontestueshme, pse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe pse Kosova është shtet dhe do të jetë shtet”, ka thënë të premten Hyseni në një konferencë për media.

Hyseni tha se procesi në Hagë do të rezultojë brenda një viti me një mendim këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. Si i tillë, ai tha se nuk do të ketë efekte afatgjate për Kosovën dhe asnjë efekt sa i përket statusit të saj. Por, ndikimet, sipas tij, do të jenë politike në kuptimin e dinamikës së njohjeve të Kosovës, pasi që disa vende do të marrin vendim për njohjen e Kosovës vetëm pasi që procesi në GJND të marrë fund.

Ndërsa Prishtina dhe Beogradi i kanë deponuar argumentet e tyre për dhe kundër pavarësisë së Kosovës, gjithashtu edhe vendet anëtare të OKB-së e kanë pasur të njëjtën mundësi që të pozicionohen rreth asaj se ishte apo nuk ishte shpallja e pavarësisë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Ministri Skënder Hyseni tha se aktualisht ai posedon informacione se ka më shumë vende që kanë deponuar deklarata në favor të Kosovës, sesa vende që janë rreshtuar kah Serbia.

Pas deponimit të argumenteve nga Kosova dhe Serbia, deri më 17 korrik, të dyja palët kanë afat që të kundërshtojnë argumentet mes vete tek Gjykata. Më pas, Gjykata vendos nëse do të thërrasë edhe seancë dëgjimore. Kurse, interpretimi përfundimtar rreth asaj se ishte apo nuk ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sipas autoriteteve në Prishtinë, pritet të merret diku brenda një viti, apo edhe më gjatë. / Evropa e Lirë/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›