E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Nëse ndahet Kosova, ndahet Ballkani


"Po të ketë ndarje, ndryshimi i kufijve nuk do të ndalet në Kosovë por do ta përfshijë gjithë Ballkanin", ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

Sipas tij, Serbia nuk po e pengon vetëm Kosovën drejt anëtarësimit në BE por gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë ka bërë të ditur se pret që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë neutral. E ky qëndrim sipas tij do të ishte në të mirë të Kosovës.

"Kërkesa për ndarje nënkupton destabilizim të të gjithë rajonit", ka pohuar shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni. Ai ka thënë se tema e ndarjes është lançuar nga Beogradi për të parë reagimet në Kosovë. "Nuk ka ndarje të Kosovës", ka potencuar Hyseni duke shtuar se ndarja do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të gjithë Ballkanit.

"Po e themi troç. Po të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës atëherë nuk do të ndalet në Kosovë, nuk përfundon në Kosovë, do ta përfshijë gjithë rajonin e Ballkanit".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›